3 Shkurt, 2020

Valer Kolnikaj: Ermal Mamaqit i shkoi kot mundi në rolin e gay-t, pres që të më ftojë mua si …


/Nga Klotilda Harka

Aktori Ermal Mamaqi mbajti mbrëmjen e së mërkurës premierën e filmit të tij “I love Tropoja”, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. 

 

Por disa komente që pasuan premierën e filmit, ndërsa u tha se “tropojani respekton mikun me vajzën e shtëpisë duke e futur në krevat”, e indinjuan Ermalin, i cili vendosi të sqaronte ndjekësit e tij, duke i quajtur ‘idiotësi’.

Sipas tij, “I love Tropoja” i nxjerr tropojanët si njerëz të besës, të traditës e nderit. Po si e ka përjetuar këtë histori nga Tropoja Valer Kolnikaj, i cili jeton në Malësi të Madhe dhe erdhi në Tiranë posaçërisht për premierën e filmit.

Për “Panorama Plus”, ai komenton Ermalin si aktor dhe filmin e tij të kontestuar.

valer-kolnikaj3

Një djalë showbizz-i që jeton ende në Malësinë e Madhe dhe erdhe në Tiranë për të ndjekur premierën e filmit “I love Tropoja”. Të pëlqeu historia e treguar në film? 

Valer Kolnikaj: Film më i bukur nuk bëhej! Realizimi dhe cilësia e filmit ishin në nivel maksimal. Gallatë që nga fillimi e deri në fund. E pabesueshme si mund të tregohet një histori e bukur dashurie, njëkohësisht komedi që të bën të qeshësh në çdo moment dhe të përcjell dhe mesazh të veçantë, pra subjekt shumëplanësh.

Çfarë mendimi ke për komentuesit që mendojnë se ky film ‘çnderon tropojanët’? 

Valer Kolnikaj: Për sa i përket kësaj zhurmës që filmi paska ‘çnderuar tropojanët’, jam i bindur që është thënë me qëllim keqdashës nga dikush që s’ia ka idenë e as nuk e ka parë filmin. Tropojanët jam i sigurt që do t’i jenë mirënjohës Ermalit sapo ta shohin filmin. Përveçse një promovim të jashtëzakonshëm të bukurive të atij vendi, është një art i veçantë i të bërit komedi, duke ruajtur traditat e zakonet e zonës. Për mendimin tim, në asnjë moment nuk cenohet nderi apo zakoni në film. Janë thjesht dashakeqës ata që komentojnë ashtu. Kur të shohin filmin, do të qeshin me komentet e tyre pa lidhje, po aq sa qeshëm ne në premierë duke e parë ‘I love Tropoja’.

Po skena puthjes në buzë e Ermalit me vjehrrin nga Tropoja, që luhej nga Bruno Shllaku, t’u duk moment provokues për vetë burrat e Tropojës? 

Valer Kolnikaj: Ky film nuk është dokumentar për Tropojën, por komedi që të jep ndjesitë që përmenda më parë. Familja, traditat, rregullat e zakonet e secilit nga ne janë të paprekshme në realitet dhe nuk duhet të hyjnë në diskutim në këtë mes. Filmi prandaj quhet film dhe puthja në buzë apo çdo skenë tjetër të bën të qeshësh shumë.

Si t’u duk Ermali në rolin e gay-t, nën lëkurën e të cilit donte t’i shpëtonte martesës me zor?

Valer Kolnikaj: (Qesh) Nuk ishte aspak bindës tek ajo pjesë, i shkoi kot mundi. (Dhe në film nuk e bindi dot babanë e nuses, Frrokun apo Frroçin, siç e thërriste në film ai gjatë asaj skene. Por Ermali në çdo rol është interesant dhe të bën të qeshësh.

Në lidhje me disa komente rreth filmit, ku thuhej se “tropojani respekton mikun me vajzën e shtëpisë duke e futur në krevat”, mendon është një legjendë apo ka pasur diçka të vërtetë në traditën e Tropojës?

Valer Kolnikaj: Nuk e njoh këtë traditë të jem i sinqertë dhe nuk e besoj të jetë e tyre. Në filmin e Ermalit nuk ndodh kjo gjë. Unë kam qenë në Tropojë dhe janë shumë mikpritës e njerëz të mirë.

Cili do të ishte subjekti i filmit të ardhshëm, që do të doje të shihje nga Ermali? 

Valer Kolnikaj: Unë sugjeroj që Ermali filmin tjetër ta titullojë ‘I love Malësia’. Me siguri që bukuritë natyrore të Vermoshit-Kelmendit-Malësisë e Thethit janë më të mëdha se në Tropojë. Pastaj dhe traditat e zakonet tona do t’i jepnin karakter e bukuri komedisë së re në filmin e radhës.

E ke të siguruar rolin kështu, pra mund të jesh ti aktor në filmin e tij të ardhshëm? 

Valer Kolnikaj: Unë pres që Ermali të më ftojë direkt pa kaluar në casting, siç kanë kaluar të tjerët. (qesh). Ermali është shumë i zoti në gjithçka bën. Ne njihemi mirë dhe jam i sigurt që bashkëpunimi ynë do të ishte më i suksesshmi nga gjithë tjerët, të mëparshëm apo të mëvonshëm. ‘I love Malësia’ duhet të jetë i radhës! /Panoramaplus.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al