30 Mars, 2018

Video/ Debati për LGBTI nëpër shkolla, Elton Ilirjani kundër Xheni Karajt


Takimet e përfaqësuesve të komunitetit LGBTI në gjimnazet e Tiranës kundër bullizmit ka shkaktuar reagime të mëdha në rrjetet sociale.

Organizata LGBT në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Bashkinë e Tiranës po zhvillojnë këto takime duke u kthyer në shqetësimin kryesor dhe duke nxitur debat të madh. Lidhur me këtë debat ka patur reagime të ndryshme, ndër ta edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë siç është Nard Ndoka, i cili është kundër këtyre takimeve nëpër shkolla.

Pikërisht për këtë temë ishin të ftuar në “Zonë e Lirë” përfaqësueset e LGBTI, Xheni Karaj dhe Deni Sanxhaku, deputeti Nard Ndoka, Elton Ilirjani  dhe Arjan Çurri.

Edhe pse ka pranuar publikisht orientimin e tij seksual, Ilirjani u shpreh kundër nismës së LGBTI nëpër shkolla, duke thënë se informacionin adoleshentët duhet ta marrin nga familja.

“Unë nuk jam dakord për të sjellë këto prirje që janë të miat dhe të Xhenit nëpër shkolla. Unë mendoj se kjo duhet të nisë nga familja, ajo është e para që jep informacionin. Unë mendoj se nuk duhet të mësohet nëpër shkolla.

Unë nuk jam në krahun e Xhenit dhe komunitetit në këtë rast. Mendoj se ky diskutim është marrë shumë me nxitim. E kam deklaruar publikisht që jam gay që kur kam qenë në Tepelenë dhe i varfër, seksualiteti im ka qenë i dukshëm”, tha Ilirjani.

Karaj tha se Ilirjani është i pari gay që del kundër kësaj nisme.

“Ilirjani nuk e ka kuptuar çfarë ndodh realisht nëpër shkolla. Nuk kishte ndoshur që një gay të dalë kundër nesh. Ai e di shumë mirë që nuk mund të çosh prirjet nëpër shkolla dhe se nuk mund t’i bësh të tjerët si vetja”, tha Karaj.

Ndërkohë deputeti Ndoka po ashtu shprehu edhe një herë publikisht qëndrimin e tij kundër kësaj nisme, ndërkohë që tha se ky vendim është i papranueshëm për Ministrinë e Arsimit dhe Bashkinë.

“Unë shqetësimin e kam më tepër me politikën, pasi kjo është nismë e mbështetur nga Ministria e Arsimit. Nuk ka asnjë njeri që është kundër të drejtave të njeriut. Kjo është e papranueshme edhe për Ministrinë e Arsimit, edhe për Bashkinë. Për këtë duhet të ishte bërë një lloj filtri, të ketë konsulta me prindërit dhe informimim të detajuar. Ne u futëm në këtë fushë pa informacion fare. Ne në politikë kemi patur shumë shqetësime nga prindërit, pasi ishin krejtësisht të papërgatitur. Unë s’kam asgjë me LGBT, por mendoj se nuk janë këto personat e duhur për ta bërë këtë informimim nëpër shkolla. Është detyra e ministrisë të gjejë personat e duhur për ta bërë këtë nëpër shkolla”, tha Ndoka.

Filozofi Çurri po ashtu tha se nëse dikush duhet të informojë nxënësit nëpër shkolla, ata duhet të jenë mësuesit.

“Unë jam pro aktivizmit të LGBT, por jo nëpër shkolla. Mediatori në atë institucion është mësuesi dhe nëse ka për t’iu thënë ndonjë gjë mund ta bëjë ai”, tha Çurri./tvklan.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al