17 Dhjetor, 2017

Video/ E fejuan që tre vjeçe, fëmijët i bëjnë lutjen prekëse nënë së tyre


Motër dhe vëlla kanë qenë të pranishëm në “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, në Tv Klan. Rrëfimi nis nga Marinela, e cila tregon se nëna e tyre është martuar që në mos 3-vjeçare dhe ka pasur një jetë plotë vështirësi dhe halle. Ata kanë ardhur nga Greqia, për t’i thënë nënës së tyre një mesazh. Marinela, e cila është dhe vajza e madhe kërkoi që nëna e tyre, e cila kishte vuajtur shumë dhe tani po përballej me një sëmundje kancerogjene të mos hiqte dorë nga kurimi, pasi kishte shprehur dëshirë që të mos kurohej më. Ndërsa Arturi i kërkoi nënës ta falte për të gjithë shqetësimet që i kishte shkaktuar për shumë vite, si dhe i dhuroi një unazë të cilën nëna e tij e kishte shitur kur ai ishte fejuar në mënyrë që të blinte rroba për nusen e djalit.561804

Marinela: Historia e mamit tim është shumë e dhimbshme, pasi ka vuajtur shumë. Ajo është fejuar që 3 vjeç. Një ditë teksa luante në një lartësi 3 metra, rrëzohet. Në ato momente kalon një zotëri dhe e pret mamin në krahë. Ndërkohë që gjyshja ime punonte shumë pranë dhe e shikon që një zotëri mbante në krahë vajzën e saj. Ajo shkon dhe e falënderon zotërinë dhe i thotë nuk di si t’ja u shpërblej dhe ai i kërkon që ajo të bëhet nusja e djalit të tij. Dhe ashtu ndodhi. Mami ishte 3 vjeç, babi ishte 9 vjeç, kur familja i tha fjalën. Në moshën 17-vjeçare mami u fejua dhe më pas u martuan dhe sollën në jetë 6 fëmijë. Mami për shumë vite ka pasur probleme me shëndetin, më shumë ka ndenjur në spital sesa në shtëpi. Motra e vogël ishte 8-muajshe dhe unë 10-vjeçe, kujdesesha gjatë gjithë kohës. Mami kishte gur në tëmth dhe u operua 3 herë dhe për fat të mirë e kaloi me sukses.

Pas disa vitesh unë dhe vëllezërit u martuam, ajo u diagnostikua më kancer në lëkurë. Kishte 7 vite që ajo kishte një puçërr të zakonshme, por në të vërtetë ajo kishte një sëmundje kancerogjene. Mami do të vuajë gjithë jetën nga kjo sëmundje, pasi ajo i shfaqet në pjesë të ndryshme të fytyrës. Unë dhe vëllezërit e mi e kemi ndihmuar me shpenzimet. Mami im ka hequr dorë nga kurimi dhe sot kam ardhur që t’i them që të mos heqë dorë nga kurimi, por të vijë.

Arturi: Unë kam ardhur sot këtu për mamin, pasi arsyeja pse ajo është duke vuajtur kaq shumë jam unë. Unë kam ndjekur një rrugë të keqe. Kam ikur në Greqi që në moshën 14-vjeçare dhe rrija tek vëllai dhe të gjitha lekët që punoja i harxhoja me shoqërinë. Kam ndenjur 10 vite, pa ardhur asnjëherë në Shqipëri dhe flisja një herë në muaj. Duke qenë se kam ndenjur shumë vite atje, nuk kisha dhembshuri për asnjë njeri. Ajo më lutej që të vija në Shqipëri që të krijoja familje, por unë nuk pranoja.

Ardit Gjebrea: Si u binde që të vijë?

Arturi: “Më shumë doja t’i bëja qejfin prindërve, por dhe e kuptova që ajo nuk ishte një jetë e mirë dhe nuk do shkoja në asnjë vend’.

Ardit Gjebrea: Mami insistonte që të fejoheshe?

Arturi: Po dhe unë erdha u fejova, u martova dhe sot kam një djalë. Kur u fejova duhet të blinim disa rroba, edhe pse ishim të varfër. Mami im ka bërë një gjest të jashtëzakonshëm, ajo shiti unazën e saj dhe unë bleva disa gjëra për të fejuarën. Dhe për këtë gjë doja ta falenderoja.

Marinela : Mamit doktori ia kishte ndaluar në mënyrë kategorike për të qëndruar në diell, por ajo vazhdonte dhe punonte, edhe pse sëmundja e saj nuk pranonte që ajo të shfaqej në diell, ajo përsëri nuk hiqte dorë. Dhe këtë e bënte vetëm e vetëm që të ndihmonte djalin.

Arturi: Unë sot kam ardhur t’i kthej mamit unazën që ajo e shiti për mua.

Gazetari i ka një mesazh për ty ka shkuar dhe ka takuar zonjën Sabire, për t’i thënë se ka një mesazh në telefonin e saj dhe ajo është e ftuar në studio. Zonja Sabire ka ardhur në studio dhe ka parë dy fëmijët e saj të cilët i thanë dhe mesazhin.

Marinela: Mami, të dua shumë, ti e di shumë mirë. Mbase nuk ta kam shprehur dashurinë me fjalë.

Sabire: Mami, e di që ti je munduar për mua.

Marinela: Unë e di që ti nuk e shpreh, por e di dhimbjen tendë.

Sabire: Ti e di që mami është e fortë …

Marinela: E di që je e fortë, por kur ishe herën e fundit në Greqi dhe me the që nuk do vij më në Greqi të  kurohem, mua nuk më zinte gjumi. Nuk dua të dëgjoj fjalën tënde, nuk vij, se nuk dua që ju të vuani.

Sabire: Më vjen keq për ju.

Marinela: Unë nuk dua ta dëgjoj më këtë fjalë, sepse sikurse ke bërë ti për nënën tënde, ashtu do bëj dhe unë dhe nesër do bëjnë vajzat e mija për mua.

Sabire: Unë do vij që nesër, ta premtoj.

Marinela: Mami unë nuk jam vetëm sot këtu, jam me dikë tjetër.

Sabire: Uaa, nuk e prisja, e dija në Greqi.

Arturi: Mami si je?

Sabire: Mirë, djalë si je ti?

Ardit Gjebrea: Pse mendon se djali ka ardhur me një unazë?

Sabire: Ma merr mendja, sepse mua më ka blerë vajza një unazë dhe kur është fejuar Arturi unë e kam shitur. Është shumë i dhimbsur, por dua të më premtojë që të mos prishë paratë.

Ardit Gjebrea: Artur çfarë do t’i thuash mamit?

Artur: Në radhë të parë do i kërkoj falje, të më falë për gjithçka kam bërë. Dhe në radhë të dytë do i premtoj që nga sot dhe tutje, unë do të jem shumë ndryshe.

Sabire: Rrofsh, ti je shumë i mirë dhe ke një nuse shumë të mirë.

Arturi: Nga sot e tutje unë do ndryshoj, do shikosh një Turi shumë ndryshe.

Pas përqafimesh dhe lotësh, Arturi i vuri nënës unazën të cilën ajo e shiti.

Nuk munguan dhe surprizat… Në studio mbërrijë dhe mbesat e zonjës Sabrie nga Athina, të cilat takojnë gjyshen dhe mes emocionesh përqafohen./tvklan.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al