Reperi Kleviol Ahmeti i njohur me emrin e artit “Cllevio” është arrestuar nga policia një ditë pas sherrit të bujshëm në Durrës, ku ai u rrah nga reperi tjetër Noizy.
Një sherr që kishte nisur në rrjetet sociale u përshkallëzuar deri në dhunë fizike një ditë më parë ndërkohë që Noizy dhe babai i tij tashmë po hetohen nga policia në gjendje të lirë.
LEXO EDHE: Dhunoi reperin në Durrës, procedohet penalisht Noizy dhe babai i tij
Por ngjarja e ditës së djeshme ka shërbyer si indicie për uniformat blu duke çuar në arrestimin e Cllevios i cili në momentin e ngjarjes duhet të ishte në arrest shtëpie.
Ai kishte qenë i arrestuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në Mars të vitit të kaluar ai është ndaluar nga uniformat blu duke drejtuar një automjet pa patentë ndërkohë që gjatë kontrollit i janë gjetur tre thika dhe një sasi lënde narkotike.
Njoftimi i policisë
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, pas informacioneve të marra në rrugë policore se shtetasi K. A. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Pas kontrolleve nga Policia, shtetasi K. A. është lokalizuar në lagjen “Çlirimi”, në qytetin e Lushnjës.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi, për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetasit K. A., 36 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në 19.03.2021, shtetasi K. A. është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi në automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, iu gjetën doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe 3 armë të ftohta (thika), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Shtetasi K. A. ka qenë i dënuar dhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe kanosje. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al