Gjyqtarja e Elbasanit Enkeleda Kapedani u bë hit në rrjet pas publikimit nga ‘Hashtag’, të disa videove të saj në TikTok, ku dukej duke “sfiluar” në korridoret e gjykatës dhe zyrën e saj.
Drejtuesja e Gjykatës në një prej qarqeve më problematike në vend sa i përket krimit kujdesej që gjatë detyrës së saj të realizojë edhe video për rrjetin social “Tik Tok”, rrjet i popullarizuar posaçërisht për videot.
E shkujdesur totalisht nga të qenët në zyrat e institucionit, Kapedani performon me duar dhe me flokët e saj, pamje këto të denja për të ashtuquajturat “vajzat e Instagram-it”.
Brenda zyrave të saj, gjyqtarja realizon të tjera video shoqëruar në sfond me këngë hip-hopi.
Në njërën prej tyre, Kapedani shoqëron shfaqjen e saj ndërsa bën një panoramim në sfond të ambienteve të zyrës, me këngën e Dom Xhonit “Maffia, maffia”, mesazhi i së cilës në thelb është mbështetje për krimin dhe drogën, ndërsa në tekst nuk mungojnë as fjalët banale.
“Mafi Mafi Mafia
Rrethi jem o mafios
Nike t’zeza sinthia
Don Xhon Kolumbia
Vija t’bardha, dhipi fresh
Dridhe dridhe thoben fort,
mos fol, mos ma tesh”, është teksti i këngës që shoqëron “performancën” e gjyqtares.
Pas këtyre videove, ka reaguar edhe reperi, Don Xhon.
Ai ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram videon e gjyqtares duke dëgjuar këngën e tij dhe përkrah saj ka vendosur një ‘emoji’ që tregon mimikën e një personi që mendohet.
Më pas, ai publikoi një tjetër video të vetes në Instastory, krahas së cilës shkroi: “Gjej dikë më të fuqishëm se unë… po pres!”.
Pas publikimit të videove, Inspektori i Lartë i Drejtësisë urdhëroi nisjen e një hetimi disiplinor për kryegjyqtaren.
Videot e gjyqtares u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar kritika të shumta mbi mënyrën se si gjyqtarja trajton institucionin, në një nga qytetet ku organet e drejtësisë duhet të kenë shumë punë për shkak të vrasjeve të shumta, e etiketuar nga rrjeti “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” pak javë më parë (10 maj 2021) si pika kyçe e trafikut të heroinës Lindje-Perëndim.
GJYQTARJA
Gjyqtarja Enkeleda Kapedani ka qenë “Miss Shqipëria” rreth 18 vite më parë dhe duket se rritja në shkallët e drejtësisë nuk i ka shuar pasionet e saj për famën, tanimë në rrjetet sociale.
Pasi u shpall më e bukura e Shqipërisë në vitin 2003, ajo vendosi të studionte për drejtësi, shoqëruar më pas me studimet në Shkollën e Magjistraturës me profil gjyqtar. Pas përfundimit të stazhit, gjyqtarja nisi punë dhe në vitin 2015 ajo u dekretua nga Presidenti Bujar Nishani si gjyqtare pranë Gjykatës së Elbasanit, ku vazhdon edhe aktualisht, por tanimë si drejtuese e kësaj Gjykate.
Përgjatë këtyre viteve, emri i Kapedanit bëri bujë në media pasi liroi nga burgu Viktor Ymerin, i cili konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës (Gaxhait), i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.
Gjyqtarja nuk është përballur ende me procesin e vetingut. Nuk dihet ende se sa kohë gjyqtarja përdorte rrjetin “Tik Tok”, ku hidhte video të tilla, por ajo që dihet është se gjyqtarja e mbante llogarinë në emrin e saj. Pas publikimit të videove në mediat online, ato u bënë masive në rrjet, duke sjellë reagime të shumta jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga institucionet përkatëse, si Ministria e Drejtësisë apo Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Vetë gjyqtarja fillimisht i konsideroi sulme duke theksuar se ishte grua dhe nënë.
Vetë Enkeleda e ka mohuar t’i ketë postuar video të tilla në TikTok, pasi është shprehur se nuk përdor rrjete sociale dhe se kjo ishte një tentativë për të prishur imazhin e saj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al