8 Maj, 2022

“Vuaj nga një sëmundje që…” Nga marrëdhënia me vajzën e bashkëshortit te incidenti gjatë celebrimit, rrëfehet Fiori Dardha


Ndonëse është në ekran çdo ditë me emisionin investigativ që drejton, Fiori Dardha i ka shumë të rralla rrëfimet nëpër intervista.

Pak javë më parë ajo ka zbuluar se ka vendosur të martohet “ligjërisht” në 50-vjetorin e bashkëshortit të saj, 5 vite pasi realizuan edhe dasmën. E ftuar në “Jo vetëm modë”, me nota humori u shpreh se “iu bë ves” të martohet me të njëjtin person, aq sa dëshiron të gjejë gjithnjë shkaqe për një ngjarje të tillë të bukur.  Ndërsa rrëfeu se bashkëshorti i saj u emocionua dhe vetë ajo e shijoi sërish veshjen e bardhë, e shoqëruar në altar edhe nga djali i saj, ndodhi edhe një ‘incident’ gazmor gjatë ceremonisë.

“Erdhi krejt rastësisht. Ne bëmë një dasmë para 5 vitesh, që ishte një dasmë e madhe, tradicionale. Unë doja që ditën e celebrimit ta kishim më 9 mars që përkon me ditën e lindjes së Abelit. Kur shkova në njësinë administrative më thanë që nuk mundet sepse duhet bërë shpallja. Për momentin e lashë, thashë do ta bëj 9 marsin tjetër dhe kështu kaluan 5 vite, pa u celebruar. Më erdhi ideja që celebrimin ta bënim për 50-vjetorin e bashkëshortit. Unë tentova t’ia bëja në formë surprize, por ishte e pamundur sepse për t’u martuar dy persona duhet miratimi i të dyve, kështu që mbeti një surprizë në tentativë. Si mbaroi e gjithë ceremonia, unë u kujtova që bashkëshorti nuk më kishte propozuar kështu që kam një arsye për të organizuar një tjetër festë.  Në momentin që zonja e bashkisë më pyeti “E ke unazën për bashkëshortin?”, “Jo” i thashë, “Por unë kam”. Dhe ngaqë nuk dija si të reagoja i thashë Nardit “Të lutem hiqe unazën e fejesës” dhe bëmë një manovrim të vogël. Ia hoqa unazën e fejesës dhe ia vendosa, ama unë mora unazë.”- tregoi ajo.

Një dhimbje e fortë në jetën e Fiorit është humbja e nënës së saj e cila u nda nga jeta pak kohë më parë nga një sëmundje e rëndë.Fiori rrëfeu se nuk është e vetmja që e ka përjetuar kaq fort ngjarjen e trishtë pasi djali i saj 10-vjeçar ruan ende me fanatizëm sendet e gjyshes së tij.

“Nuk do mësohem kurrë me mungesën e saj, se thonë ndonjëherë që mësohesh edhe me mungesën, nuk mësohesh, është një dhimbje që çdo ditë vetëm rritet. Ajo që më bën të shkoj përpara, që të them çdo ditë jeta është shumë e bukur është pikërisht mami im. Kujtimi që më ka lënë, këshillat që më ka lënë dhe kur ka momente delikate, të vështira ose që për mua kanë një domethënie ndryshe në jetën time, e di cili është vendi parë ku unë shkoj? Vendi kur prehet mami im. Për Abelin ishte një humbje aq e madhe dhe e fortë, sa Abeli thuajse nuk e përmend gjyshen e tij. Ka mënyrat e tij për ta kujtuar, ne kemi ende në shtëpinë disa objekte që ndodhen aty ku i ka lënë mami im, ende nuk i kemi hequr veshjet e saj dhe kur ne bëjmë ndonjë ndryshim, qoftë për të pastruar, Abeli refuzon.”- tregoi ajo me dhimbje.

Fiori ka rrëfyer se vuan nga një sëmundje autoimune që lidhet me krijimin e më shumë antitrupave se sa organizmi ka nevojë, duke rrëfyer se ndonjëherë përpiqet ta mundë dhe madje zë edhe krevatin. Teksa deklaroi se këtë rrëfim e ka bërë për të ndihmuar njerëzit dhe jo për tu viktimizuar, Fiori tha se një nga gjërat që e lëndon më shumë është edhe pyetja se kur do bëjë fëmijë tjetër.

“Unë vuaj nga një sëmundje autoimune që shpesh më privon nga shumë aktivitete. Nuk e them se dua të viktimizohem por për të ndihmuar të tjerët që kanë kuptuar se vuajnë nga diçka por nuk e kanë zbuluar ende. Unë këtë fazë kam vuajtur. Pikën e zbulimit të sëmundjes. Pyetja që më bëhet rregullisht është “Kur do bësh një fëmijë tjetër dhe nuk e kam kuptuar kurrë këtë lloj kurioziteti. Ka disa gjëra që janë private dhe ti duhet të dish të krijosh kufijtë. Mendoj se e bëjnë nga paditura, por edhe nga kurioziteti. Ka të tjerë që janë dashakeqës. Ku e dinë ata që unë edhe e dua një fëmijë tjetër por nuk kam mundësi ta bëj? Kjo të lëndon ndërkohë që është një zgjedhje personale.”

Si rrallëherë moderatorja u ndal te marrëdhënia me vajzën e bashkëshortit duke u shprehur se kanë raporte shumë të mira. E sidomos djali i saj, Abeli.

“Abeli ka fatin e madh që ka një motër që jeton në Amerikë dhe unë e di se Abeli nëse dëshiron të shkollohet jashtë e ka mundësinë. Do shkojë te motra e tij. Kemi marrëdhënie të shkëlqyer. Abeli ka një motër të shkëlqyer që e do shumë, ne e duam shumë dhe ajo na do shumë. Më vjen mirë që kanë një lidhje kaq të fort pavarësisht diferencës prej 12 vitesh. Kur i shoh bashkë duken si dy fëmijë 5-vjeçarë.”- tregoi ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al