3 Qershor, 2023

Xhoi Jakaj: Ju rrëfej dramat e femrave shqiptare të dënuara/ “Fredoom”, zbulon historitë tronditëse nga qelitë e burgut


Xhoi Jakaj rikthehet për lexuesin me një tjetër libër. Këtë herë, krijimtaria e saj ka shkuar për gratë që vuajnë dënimin në burgje. Me rrëfime personale, drama dhe tragjedi, “Freedom”, vjen nga Xhoi si një dritare lirie, jo vetëm për gratë e dënuara, por edhe ato që sot gjenden në vështirësi. Në intervistën e dhënë, ajo zbulon historitë e këtyre grave, si dhe faktin që pikërisht këto histori, kanë shënjuar Xhoin si grua, si drejtuese, por edhe si nënë…

Xhoi vjen me librin e saj më të ri, “Freedom” çfarë është ky botim?

Kam konstatuar ndër vite nga puna me gra e vajza që nëse liria jashtë burgut nëse është e cunguar, mund të jetë më e rëndë se vete burgu? Ky libër ka copëza jete, vuajtje, dhimbje, dashuri të mundura dhe të pamundura, ka pranga, liri dhe kohë të ndryshme në hapësirë. “Freedom” në tërësi është edhe një konceptim i ri si e mendoj unë drejtimin e një IEVP. Liria e individit që ka humbur “lirinë” por edhe rehabilitimi pasi kryen dënimin që merr nga gjykata. Ky libër ka histori të vërteta, rrëfime, kujtime, mbresa, e nostalgji. Bashkëpunimi me punonjësit e sistemit penitenciar, si edhe me drejtuesit e nivelit të lartë. Formati i një drejtuesi sipas meje është përshkruar ndër rreshta në “Freedom”.

Cilat kanë qene përjetimet teksa shkruanit “Freedom”?

Siç e përmenda dhe më sipër, “Freedom” ka shumë histori të dhimbshme, të vuajtjeve dhe sakrificave të grave para sa të prekin dyert e një burgu, pra jashtë shpesh ka qenë një burg më i madh se burgu i vërtet. Teksa i shkruaja historitë ndjeja dhe më afër vuajtjet e tyre, përjetoja emocionet e dhimbjes që kanë kaluar. Por, kurrë nuk jam dakord as nuk e përligj një vepër penale. Ka alternativa, dhe çdo grua apo vajzë duhet të rri larg asaj rruge.

Sa është Xhoi si grua në këto rrëfime?

Xhoi është grua, nënë, vajzë, motër, bashkëshorte dhe njeri human. Por si drejtuese tepër kërkuese. Kam ndjerë peshën time tek çdo histori rrëfyer në vete të tretë ose jo, dhe e kam sjellë atë pa emra me përjashtim 2-3 raste që i kane kërkuar vetë ato, ama janë histori reale që edhe lexuesi do përjetojë ndjenjat e dhimbjes e habisë kur ta lexoje “Freedom”.

A keni një histori apo një emocion që ju ka lënë mbresa?

Çdo histori është ndryshe nga njëra-tjetra dhe secila prej tyre më ka lënë pa fjalë në momentin që mi kanë rrëfyer. “Freedom” tregon se liria ka kosto, do karakter, forcë të madhe individuale, do durim, mençuri dhe je shpesh në një luftë sfiduese me veten, liria nuk ka çmim nëse ti e posedon, por njëherësh ajo në çdo rast kushton shumë. Po sjell një thënie nga Pëtefi “Për dashuri jap jetën, për liri jap dashurinë”. Ato dashurinë nuk e gëzuan, lirinë e humbën, por ende jetonin me shpresë, ndaj e them se për aq sa ke jetën, ndërton dhe shpresën dhe dritën e saj e kërkon ngado. Shpesh më drejtoheshin që të shohim si dritë në fund të tunelit.

Çfarë është liria në sytë tuaj?

Si pedagoge e konsideroj shumë të rëndësishme lirinë e fjalës, e cila askujt nuk duhet ti mungojë, por në të njëjtën kohë as të abuzoje me fjalën. Skllavëria më e madhe është të mos kesh liri individuale, të arsimimit, fjalës, mendimit, dhe lirinë fizike, është dhimbje e përhershme të mos konsiderohesh e lirë dhe e aftë të ndjehesh e tillë!

Sa e ka shënjuar karrierën, por edhe jetën tuaj puna si drejtoreshë e Burgjeve të grave?

Shumë! Drejtimi i burgut të grave më ka mësuar sa dy universitete. Ishte një detyre sa e vështirë aq eksploruese dhe interesante, që kishte nevojë për disiplinë, por edhe njerëzëllëk, një drejtor burgu së pari duhet të jetë social, unë atë detyrë e kam kryer me zell dhe emocione, kam vendosur dijet si bazë të zbatimit të asaj detyre, të cilat i kam përfituar edhe nga puna si pedagoge, por përgjegjësia e kësaj pune vazhdonte dhe pas orarit zyrtar. Ajo detyrë shpesh ma mori edhe mua lirinë e kohën! Të punuarit me persona të profesioneve të ndryshme, më ka bërë që të mësoj shumë edhe nga profesionet e tyre.

Sa të lira i sheh sot gratë shqiptare?

Gratë në Shqipëri e kanë fituar lirinë në këto vite, ama ka nevojë dhe për shumë përmirësime pasi ka situata që lënë shenja në jetën e tyre. Ka ndryshuar shumë gjithçka pas viteve 90-të nga koha e diktaturës dhe viteve të para të demokracisë, por ka ende nevojë për arsimimin dhe forcimin e ekonomisë së një gruaje në qytetet e vogla dhe kryesisht zonat rurale.

Shumë libra nën emrin tuaj, veç krijimtarisë çfarë duhet të presim tjetër nga Xhoi?

Deri tani janë botuar 5 libra. Me shitjet e librave kam mbështetur shumë fëmijë të “spektrit autik” dhe me “aftësi të veçanta” me bursa. Ata që më njohin edhe nga afër e kuptojnë botën time, gjithmonë kam 2-3 ide e shumë ëndrra në kokë që i realizoj me aktivitete, projekte dhe nisma sociale në dobi të personave me nevoja të veçanta. Aty mbushet shpirti im me emocione të bukura. Dhe nuk ndalem derisa t’i realizoj. Momentalisht po përgatitemi te Qendra “Xhoi & Xhulia” për ekspozitën e pikturës. Kemi filluar që tani përgatitjet edhe për “Rinfest 2023”, aktivitet që ka pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Sot, e them me bindje që ngrita një qendër sociale të cilën e ktheva në institucion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al