2 Maj, 2022

“Ylli i popit nga Tirana”- Mediat italiane shkruajnë për Ronela Hajatin: Po sjell një stil më modern


Teksa po i afrohemi 10 majit kur do nisë “Eurovision”, përfaqësuesja e Shqipërisë, Ronela Hajati ka nisur provat zyrtare për performancën e saj.

Mediat italiane kanë shkruar për këngëtaren shqiptare, e cila ka mbërritur prej pak ditësh në Torino ku do të mbahet dhe Eurovision 2022.

Prestigjozja “La repubblica” shkruan se “Ronela, ylli i popit nga Tirana është e para që ka mbërritur në Torino.”

“Mamaja ime mori biletë vetëm për finalen, nuk rri dot kaq shumë ditë. Nuk e di kush do të fitojë. Nuk bëj dot asnjë parashikim, ka shumë këngë të bukura nga shumë artistë të këndshëm. Shumë prej tyre i kam takuar në shkurt në disa festa që janë organizuar. Ne jemi të njohur”, tha këngëtarja.

Ndërsa sitilisti Niko Komani, i cili ka punuar look-un Ronela Hajatit tha për median italiane: “Shumë seksi, siç mund të ishte Christina Aguilera për çmimet MTV…”

Ronela është shprehur se Eurovision është një ëndërr që po e sheh të bëhet realitet ndërsa shton se prioriteti për të është të bëjë performancën më të mirë. Ajo shtoi se një tjetër synim i saji është gjithashtu të shfaqë një anë ndryshe të Shqipërisë së saj nga ajo që është parë në skenën e Eurovizionit gjatë këtyre viteve të fundit nga përfaqësuesit e tjerë.

“Së pari, ajo që është e ndryshme është se unë nuk po sjell një baladë, të cilën Shqipëria e sillte në garë prej shumë vitesh. Ishin balada të bukura, nga këngëtarë me zë të bukur. Por mendoj se po sjell një stil më modern. Ideja ishte e imja.

Unë e shkrova këngën dhe ideja ime ishte të prezantoj një këngë moderne që ende arrin të identifikojë vendin tim, Shqipërinë. Kam projektuar performancën, shfaqjen skenike dhe videon. Dhe është videoklipi që zbulon një sekret të parë, i dyti do të jetë në skenë me performancën.

Fakti që është shumë e larmishme mendoj se është arsyeja pse njerëzit e pëlqejnë këngën. Dhe ky është pikërisht qëllimi i një artisti: të kënaqë audiencën. Dhe ky është qëllimi im. Ne jemi shërbëtorë të popullit.”, rrëfeu Ronela Hajati.

Kujtojmë se Ronela gjatë këtyre muajve ka arritur një sukses të madh me këngën e saj ku është renditur si një ndër këngët më të dëgjuara në kanalin e Eurovisionit në YouTube.

Spektakli do të mbahet më 10 maj në Torino, Itali me natën e parë gjymsëfinale, 12 maj, nata e dytë gjysmëfinale dhe 14 maj, finalja e madhe.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al