20 Mars, 2022

Zbardhet ngjarja! Konflikte dhe sherret e mëparshme, kush janë dy vellezërit qe rrahën kuzhinierin e njohur Indrit Çela


Në incidentin e ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme, ku kuzhinieri i njohur Indrit Çela është marrë nga autoambulanca dhe dërguar në qendrën shëndetësore të Fushë-Krujës, ai ka rrëfyer në polici se është aksidentuar me një mjet tjetër i cili është larguar nga vendi i ngjarjes.

Dëshmi kjo, e cila nuk i ka bindur aspak efektivët e policisë të cilët dyshojnë se i riu është dhunuar, por ende nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar nga dëshmitë paraprake.

Megjithatë, ditën e sotme policia e Fushë-Krujës ka bërë zbardhjet e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Në deklaratën e tyre ata kanë arrestuar dy autorë të dyshuar, që janë vëllezër nga fshati Derven ku njëri prej tyre është arrestuar mbrëmjen e djeshme ndërsa tjetri është ende në kërkim.

Deklarata e plotë:

Fushë-Krujë

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u dhunua fizikisht, me sende të forta 39-vjeçari I. Ç.

Autorët e dyshuar, dy vëllezërit nga fshati Derven, njëri prej të cilëve, shtetasi E. L., 24 vjeç është kapur mbrëmjen e djeshme gjatë operacionit policor të koduar “Derveni”.

Vëllai tjetër, shtetasi D. L., 27 vjeç, është shpallur në kërkim dhe po vijon puna për kapjen e tij.

Strukturat Hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë, pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dy shtetas kishin dhunuar fizikisht shtetasin I. Ç., i cili ka deklaruar se nuk i kishte njohur, si pasojë e errësirës, kanë organizuar punën, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, paraditen e sotme, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, ku ka rezultuar se:

Shtetasit E. L., dhe D. L., vëllezër, banues në fshatin Derven, rreth orës 18:30, në aksin rrugor Fushë Krujë – Rinas, në vendin e quajtur “Ura e Gjoles”, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhetonte shtetasi I. Ç., 39 vjeç, dhe e kanë goditur këtë të fundit me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.

Shtetasi E. L., është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi D. L., është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultat se mes shtetasve I. Ç., dhe vëllezërve E. L., e D. L., ka pasur konflikte të mëparshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale  “Plagosje e rënde me dashje”, e kryer ne bashkëpunim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al