3 Mars, 2022

Zbulohen detaje nga performanca e Ronela Hajatit në “Eurovision” dhe roli i Klaudia Pepës


Kënga e Ronela Hajatit “Sekreti” që përfaqëson Shqipërinë në “Eurovision” deri tani ka arritur suksese shumë të mëdha.

Sakaq, Ronela po përgatitet për performancën e saj në skenën e madhe të festivalit që këtë vit mbahet në Torino. Stilisti i njohur shqiptar, Niko Komani, ka treguar disa detaje rreth performancës së këngëtares.

Gjatë një interviste për emisionin “FriendZone”, Niko tha se performanca do të jetë krejt ndryshe nga Festivalit të RTSH-së. Ai u shpreh se Ronela do të vijë më moderne dhe bombastike. Stilisti gjithashtu zbuloi se ajo do të ketë një performancë më energjike dhe se për koreografinë po kujdeset Klaudia Pepa.

“Është totalisht diçka tjetër. Do të jetë diçka tepër moderne. Do të jetë një Ronela bombastike, do të kërcejë më shumë se tek festivali. Ronela do të “çmendet”. Klaudia Pepa po merret me koreografinë. Performanca nuk do të ketë asnjë lidhje me performancën që pati në festival. Është një koncept ndryshe. Për veshjen finale ende nuk kemi arritur në përfundim sepse janë katër veshje dhe do të shikojmë se cila është idealja.”, tha Niko.

Ndërkohë së fundmi Ronela ka zbuluar përmes një postimi në rrjetet sociale se ditën e nesërme publikohet videoklipi. Në foton e publikuar në llogarin e saj të “Instagram”-it, ajo duket si një mbretëreshëm e veshur me një fustanë të kuq dhe me një kurorë në kokë teksa qëndron e ulur në një fron.

Videoklipi është xhiruar buzë Vjosës, në Bylis, në Gjirokastër dhe Tepelenë. Videoja do të tregojë disa nga bukuritë më përrallore të Shqipërisë, që do të shërbejë si një promovim për të gjithë dëgjuesit e eventit. Kujtojmë se Eurovision këtë vit do të mbahet mes 10 dhe 14 majit në Torino të Italisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al