1 Shkurt, 2020

Zbulohet arsyeja pse Klea Huta dhe Elgit Doda u martuan larg miqve në Marok, prezantuesja e frikësuar nga …


Pak ditë më parë, moderatorja e njohur, Klea Huta, dhe partneri i saj, Elgit Doda, zbuluan për të gjithë fansat fotot e dasmës së organizuar në Marok disa muaj më parë. 

Huta theksoi se publikimi i pamjeve të veçanta do të vazhdonte dhe sot, ndërsa nuk ka hezituar t’i dedikojë edhe fjalët më të bukura të dashurisë në postimin e fundit në “Instagram”.

“Që e vogël kam ëndërruar për ty! Që e vogël doja dikë si ti kur të isha e madhe. Kemi kaluar ditë të mira e jo të mira, por gjithmonë të kam pasur pranë e kam qenë pranë teje. Në të mirë e në të keq. Kur flas për ne, edhe ndonjë lot gëzimi m’i njom faqet. Të dashuroj bashkëshorti im! Zoti na bekoftë dhe syri i keq mos na paftë!”, ka shkruar Klea krah fotos ku shihet se ka përqafur Elgitin.

 

 

Fansat e çiftit kanë vazhduar t’i urojnë në komente për këtë hap të rëndësishëm në jetën e tyre dhe fëmijën e tyre të parë, i cili pritet të vijë në jetë pas disa muajsh. Ndërkohë që nuk mungojnë ata komentues që kanë evidentuar frikën e Kleas nga syri i keq, duke theksuar se kjo ishte arsyeja pse Klea dhe Elgiti u martuan larg Shqipërisë e në fshehtësi të plotë larg miqve.

Klea Huta do të bëhet nënë për herë të parë nga kjo lidhje dashurie, që u finalizua me martesë. Pasi ishte e ftuar në “Shiko kush luan”, mediat hodhën dyshimet e para se aktorja, prezantuesja dhe këngëtarja është në pritje të ëmbël, duke u nisur nga barku i saj i rrumbullakosur.

Ndërsa së fundmi mediat shkruanin se Klea dhe Elgiti janë në pritje të një djali, duke zbuluar kështu edhe gjininë e bebit. Fëmija pritet të vijë në jetë në ditët e para të verës, ndërkohë që burime pranë çiftit tregojnë se bëhej fjalë për një shtatzëni të paplanifikuar për Klean.

 

 

Ky perceptim, nisur nga fakti se në intervistat e mëparshme, çifti shprehej se po shijonte thjesht lidhjen dhe se krijimi familjes apo sjellja në jetë e fëmijës së parë ishte diçka që i takonte së ardhmes. Kujtojmë që për herë të parë mediat shkruanin për lidhjen e Kleas me kantautorin Doda para dy vitesh.

Një foto e publikuar në profilin e Klea Hutës dhe të Elgit Dodës konfirmoi më në fund ekzistencën e raportit të dashurisë mes tyre, edhe pse kishin kohë që shoqëroheshin bashkë, duke qenë se kishin bashkëpunuar për projekte të ndryshme.

Por habia për publikun ishte e madhe, pasi një ditë më parë, e ftuar te “Rudina”, Klea e la pa përgjigje pyetjen se si qëndronte e vërteta e marrëdhënies së saj me Elgitin, ndërsa direkt ditën tjetër konfirmoi lidhjen e tyre.

Në foton e postuar ajo mori shumë komente, ku të gjithë e pyesnin se përse një ditë e mohoi dhe të nesërmen e pohoi lidhjen me Elgitin. Sigurisht që nuk munguan as urimet VIP dhe habitë nga personazhe të tjerë të botës së showbizzit. Që prej asaj kohe, secili prej tyre u përpoq të fliste më shumë me anë të gjesteve e fotove të postuara në “Instagram”, sesa me fjalë gjatë e gjerë për marrëdhënien e tyre.

 

 

E ftuar në “Thumb”, Klea Huta dha disa detaje lidhur me partnerin e saj, duke zbuluar fakte nga marrëdhënia e tyre jashtë vëmendjes së publikut. Fillimisht, Klea pranoi se vitet e fundit pushimet i kishte kaluar me Elgitin, pavarësisht se e kishin mbajtur sekret.

Por jo vetëm kaq, një fakt për t’u përmendur dhe që e bëri marrëdhënien më serioze ishte se lidhja e tyre ishte bërë dhe familjare. “Në momentin që e kam njohur unë Elgitin, e kanë njohur edhe ata. Unë dhe Elgiti njihemi këtu e para 6 vitesh”, tha ajo para dy viteve. Ka qenë mendim shumë i mirë dhe shumë pozitiv nga familjarët e mi për Elgitin.

Dhe kryesorja, ata ecin me idenë ‘nëse ti je e lumtur, edhe ne jemi të lumtur’”, ka treguar Klea. Me këtë deklaratë, ajo pohoi se familja e Kleas është mjaft e kënaqur me zgjedhjen e vajzës së tyre, ndërkohë që sa i takon lidhjes që ata kanë, duket se silleshin si çift i martuar.

Elgiti e shoqëroi Klean me statusin e partnerit në udhëtimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po xhironte dhe intervistonte personazhe të famshme për një program televiziv në “Top Channel”. Elgiti mori përsipër menaxhimin e Kleas jo vetëm si këngëtare, por edhe si showgirl, pasi e shoqëronte kudo. Klea mund të themi se ndihet e bekuar dhe me fat, pasi po shijon karrierën dhe dashurinë.

Edhe pse e kanë ditur që sytë kureshtarë përreth kanë qenë të shumtë dhe gjithashtu edhe fotografët, Elgit Doda dhe Klea Huta u panë së bashku për herë të parë gjatë finales së festivalit “Kënga Magjike”.

 

 

TRENDI I MARTESAVE VIP, DASMË SEKRETE JASHTË SHQIPËRISË 

Kujtojmë që Klea dhe Elgiti nuk janë të vetmit që kanë preferuar të martohen në fshehtësi, duke u arratisur në vende të bukura jashtë Shqipërisë. Një tjetër dasmë që u zhvillua larg publikut ishte ajo e Miriam Canit dhe Alban Skënderajt.

Çifti u martua në Maldive, vendi ku ata xhiruan klipin e këngës “Duamë” dhe mësuan se do bëhen prindër për herë të dytë. Në maj të vitit të kaluar, vetë çifti publikoi fotot nga dasma dhe zbuluan se janë martuar. Dasma e tyre ishte shumë e veçantë, pasi prezente ishte edhe vajza, Ameli. Modelja shqiptare me famë botërore, Angela Martini, u martua dy vite më parë me bashkëshortin e saj, Dragos Savulescu.

Çifti kurorëzuan dashurinë në martesë me një ceremoni në Las Vegas dhe lajmin e dha Angela një ditë më pas. Modelja u martua me një fustan të zi dhe larg tradicionales. Sara Hoxha dhe Ledion Liço u martuan gjithashtu jashtë vendit, me një dasmë ku privatësia ishte primare. Çifti e mbajti dasmën në Komo të Italisë dhe kishin ftuar familjet dhe njerëzit e tyre më të afërt.

Ishin mediat ato që publikuan pak foto nga dasma dhe pas disa ditësh, Lori e Sara sollën foto e video të plota, që të gjithë mund të shihnin magjinë e asaj dite. Më interesantja është se postimi i fotove bëhet më vonë në rrjetet sociale nga çiftet VIP, që bëjnë këtë zgjedhje për t’u martuar larg vendit. /Panoramaplus.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al