11 Mars, 2022

“Zbulohet e dashura e re e Donaldit”, thirrja virale që fton qytetarët t’i bashkohen protestës


Qytetarët vijojnë  protestën në ditën e tretë, të cilët kërkojnë uljen e çmimit të naftës dhe produkteve ushqimore.

Ndërkohë që të enjten u mblodhën shumë qytetarë, të cilët paralajmëruan se këto protesta do të vazhdojnë deri në marrjen e vendimeve të duhura për ta.  Ashtu siç është bërë  tashmë zakon në rrjetet sociale , po qarkullojnë ‘meme’ të ndryshme, të cilat nxisin qytetarë të shumtë nga e gjithë Shqipëria për t’u bashkuar në shesh. Për të tërhequr vëmendjen  e publikut masivisht e për t’iu bashkuar protestës janë përdorur mesazhe gazmore.

Më e fundit, që po bën xhiron e rrjetit, është një ‘meme’ që lidhet me Donald Veshajn, i cili është personazhi më i komentuar i momentit në showbiz. “Zbulohet e dashura e re e Donaldit”, shkruhet te thirrja për qytetarët. Ky postim është bërë viral në median sociale dhe shpërndarë në shumë faqe duke marrë parasysh edhe ngjarjet e fundit të medias rozë.

“Tani që kam vëmendjen tënde. Sot protestohet për rritjen e çmimeve. Mos mungo ora 17:00 tek Kryeministria”, vijon thirrja.

Ndërkohë  që këtë mënyrë kanë zgjedhur edhe shkodranët për të pasur sa më shumë protestues. Për protestën e thirrur në këtë qytet ditën e djeshme, ata kanë ‘ftuar’ disa nga emrat më të njohur të shoëbizzit shqiptar. Bora Zemani, Donald Veshaj, Beatrix Ramosaj, janë disa nga personazhet në posterin që po qarkullon në rrjetet sociale.

“Do të jemi afër bashkisë Shkodër, kemi VIP-at, për rininë që ka dëshirë me na u bashku. Ju presim, të protestojmë për rritjen e çmimeve!”, thuhet në njoftim. Natyrisht që këta emra nuk do të jenë realisht pjesë e protestës, por posteri ka pasur për qëllim të ironizojë çështjet më të rëndësishme, sidomos për brezin e ri. Duke ditur reagimin që publiku ka për këta personazh, ata i kanë bërë pjesë të posterave të tyre. E për të parë reagimin që kjo ironi ka pasur, mbetet për t’u parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al