“Para se të bëhej mbret, 18 shqiptarë i shkuan në kështjellë”- Kush e këshilloi Princ Vidin që të mos e pranojë fronin në Shqipëri! Kërkesa më 21 shkurt 1914

Nov 21, 2024 | 14:29
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI/ Diku nga fundi i prillit të vitit të largët 1997, kur ende ish-ambasador i Shqipërisë në Gjermani, takoja në një pritje në Bonn zotin Heinz Schwarz, ish-deputet i Bundestagut dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme në Gjermani, i cili po në fillim të atij viti ishte zgjedhur edhe kryetar i Rrethit Kulturor Gjermani-Shqipëri.

Së bashku me të ishte edhe Princi Friedrich Wilhelm i Neuwiedit, në atë kohë rreth moshës 65-vjeçare, i cili ishte trashëgimtari në vijë të drejtë i Princit Wilhelm Wied (Princ Vidit) që drejtoi për gjashtë muaj shtetin e ri shqiptar në vitin 1914. E kisha takuar edhe herë të tjera. Merrej kryesisht me biznes dhe me menaxhimin e kështjellës së familjes Wied, aty ku edhe jetonte. Qyteza Neuwied ndodhet buzë lumit Rin (Rhein), diku rreth 50 kilometër në jug të Bonn-it dhe krejt pranë qytetit tjetër gjerman Koblenz.

Duke biseduar mbi situatën e rëndë të asaj kohe në Shqipëri, Princit Fridrich Wilhelm i lindi ideja të bënte diçka sado simbolike për vendin tonë. Ai mendonte të organizonte një aktivitet të zgjeruar mbi Shqipërinë në kështjellën e tij, i cili duhej të shërbente për t’i paraqitur publikut gjerman një realitet tjetër mbi vendin tonë, larg dhunës, plaçkitjes së depove të armatimit, vrasjeve dhe shkatërrimeve pa fund, nga jugu në veri.

princ vidi

Shpejt ramë dakord që aktiviteti më i mirë do të ishte organizimi i një koncerti me muzikë klasike, luajtur nga studentët e talentuar shqiptarë që studionin në Shkollën e Lartë të Muzikës në Essen të Gjermanisë. Menjëherë këtij projekti iu bashkua edhe zoti Peter Reuschenbach, ish-deputet gjerman dhe ish Konsull Nderi për Shqipërinë në Landin Nordrhein-Westfalen, i cili ndër të tjera kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ardhjen, sistemimin dhe regjistrimin në universitet të studentëve shqiptarë të muzikës. Koncerti u realizua në kështjellën Neuwied më 2 korrik 1997 dhe pati shumë sukses.

Përveç pjesëmarrjes së gjerë të publikut gjerman, ai u pasqyrua edhe në shtypin dhe stacionet televizive rajonale. Për më tepër, të ardhurat që u siguruan nga ky koncert iu dërguan si ndihmë Spitalit të Fëmijëve të qytetit të Vlorës, qytet që ishte prekur më shumë nga pasojat negative të dhunës e shkatërrimeve të pranverës së vitit 1997. Nga dokumentet që kam edhe tani për këtë aktivitet të zhvilluar vite më parë, të bën përshtypje veçanërisht materiali në formën e fletëpalosjes që vetë familja Wied, duke pasur si burim kryesor arkivën e saj, kishte përgatitur për pjesëmarrësit në koncert, për të treguar lidhjen me Shqipërinë. Materiali është shumë interesant, pasi ka mjaft të dhëna të panjohura më parë. Ndaj, me rastin e 110-vjetorit të kësaj ngjarjeje, vendosa ta përkthej e botoj si informacion për publikun e gjerë:

KONCERT BAMIRËSIE ME ARTISTË SHQIPTARE, NEUWIED, 2 KORRIK 1997, ORA 20.00

Në këtë sallë të Kështjellës Neuwied, në të cilën sonte, më datë 2 korrik 1997 do të japin koncert artistë shqiptarë, 83 vite më parë, me 21 shkurt 1914, u organizua një banket i madh, shoqëruar me nderime ushtarake dhe me muzikë të përzgjedhur nga kompozitorët e mirënjohur Wagner dhe Cajkovski. Një orë para këtij banketi kishte mbërritur në Neuwied një delegacion me 18 shqiptarë që përfaqësonin krahina të ndryshme të Shqipërisë, të cilët do t’i ofronin fronin e vendit të tyre Princit Wilhelm të Wiedit. Princi e pranoi këtë ftesë, duke u bërë kështu Princi i Shqipërisë. Por, pas 180 ditësh, çdo gjë mori fund. Pyetja që lind është se kemi të bëjmë thjesht me disa ëndërrimtarë që kishin ardhur deri këtu për të bërë një aventurier si kryetar të shtetit të tyre?

Në Kështjellën tonë diheshin mirë zhvillimet diplomatike dhe ballafaqimet ushtarake në Ballkan. Pas betejës së përgjakshme të Fushë Kosovës të vitit 1389, turqit fitimtarë u përhapen shpejt në pjesën më të madhe të Ballkanit, duke përfshirë në Perandorinë e tyre edhe Shqipërinë. Pavarësia e Shqipërisë në vitet 1444-1468 nën udhëheqjen e Skënderbeut mbeti vetëm një episod. Megjithatë, flamuri i tij me shqiponjën dykrenare e bë sërish në vitin 1912 (dhe vazhdon të jetë edhe tani) flamuri i Shqipërisë. Më pas, Shqipëria dhe shtetet e tjera të Ballkanit, për shekuj me radhë ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Gjatë kësaj periudhe, vendi mbeti tërësisht i pazhvilluar.

Kur gjatë sundimit të Pjetrit të Madh (1672-1725) Rusia filloi të zgjerohej, Perandoria Osmane u detyrua të tkurrej. Këto zhvillime do të preknin edhe Ballkanin, në të cilin, popujt po kërkonin tashmë krijimin e shteteve të tyre kombëtare. Në këto kushte filluan edhe mosmarrëveshjet mes Fuqive të Mëdha të kohës, veçanërisht mes Rusisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë, lidhur me ndikimin e tyre në Ballkan. Në shkurt të vitit 1912, në Luftën e Parë Ballkanike, shtetet Serbi, Mal i Zi, Bullgari dhe Greqi i rrëmbyen Perandorisë Osmane pjesën më të madhe të Ballkanit, mes të cilave edhe toka nga Shqipëria. Mosmarrëveshjet për ndarjen e plaçkës së luftës nxiten në vitin 1913 Luftën e Dytë Ballkanike: Bullgaria kundër Serbisë, e cila mbështetej nga Greqia, Rumania dhe Turqia. Shqipëria u copëtua tërësisht: Serbia mori Shqipërinë e Mesme, Mali i Zi pushtoi veriun, ndërsa Greqia pushtoi jugun. Në këto kushte, Austro-Hungaria ishte për krijimin sa më parë të një shteti të pavarur shqiptar, ndërsa Rusia dhe Serbia ishin kundër.

Sipas të dhënave të vitit 1919, Shqipëria e atëhershme me një sipërfaqe të përafërt sa ajo e Belgjikës, kishte një popullsi me rreth 1 milion e 200 mijë banorë, prej të cilëve rreth 700 mijë ishin myslimanë të vendosur kryesisht në Shqipërinë e Mesme, rreth 300 mijë ishin ortodoksë të vendosur në jug të vendit, si dhe rreth 200 mijë ishin katolikë, të vendosur në veri. Rreth 1 milion shqiptarë të tjerë gjendeshin gjithashtu në vendet e tjera ballkanike përreth, veçanërisht në Serbi, të cilët jetonin kryesisht në Kosovë.

Lëvizja kombëtare shqiptare kishte në fillimet e saj pak përkrahje, pasi popullsia ishte e ndarë në tri besime fetare dhe shumica myslimane anonte më shumë në ruajtjen e marrëdhënieve me Perandorinë Osmane, për sa i përket kuptimit islamik të rolit dhe detyrave të shtetit në një shoqëri multietnike. Por, meqë Turqia nuk mundi ta garantonte këtë formë shtetërore që kërkonte shtresa më e lartë e popullsisë së islamizuar shqiptare dhe duke pasur parasysh rrezikun e madh të copëtimit të territoreve shqiptare nga shtetet fqinje, më 28 Nëntor 1912 u organizua në qytetin bregdetar të Vlorës një Kuvend Kombëtar me përfaqësues kryesisht nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Njëkohësisht u krijua edhe një Qeveri e Përkohshme.

Për të parandaluar që mosmarrëveshjet për Ballkanin, e veçanërisht për Shqipërinë, të bëheshin shkak për shpërthimin e një lufte të re në Europë, gjë që mund të prishte edhe dy aleancat kryesore të Kontinentit, Antantën, me Francën, Rusinë dhe Anglinë nga njëra anë dhe aleancën dypalëshe të Gjermanisë me Austro-Hungarinë nga ana tjetër, gjashtë Fuqitë e Mëdha, Austro-Hungari, Itali, Rusi, Francë, Gjermani e Angli, ranë dakord të organizohej Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila i filloi punimet më 3 dhjetor 1912. U quajt e tillë, pasi pesë Fuqitë Europiane do të përfaqësoheshin në këtë Konferencë nga ambasadorët e tyre në Londër, ndërsa Anglia do të dërgonte aty ministrin e saj të Jashtëm, Eduard Grei, i cili do të drejtonte gjithashtu edhe punimet e saj. Me vendimin e 29 korrikut 1913, kjo Konferencë do të konfirmonte pavarësinë e Shqipërisë, duke i siguruar kështu njohjen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në këtë vendim thuhet shprehimisht se “Shqipëria do të jetë një Principatë e pavarur dhe e trashëgueshme, nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Princi do të zgjidhet nga gjashtë Fuqitë”. Kontrolli i administratës civile dhe financiare do të bëhej për një periudhë 10-vjeçare nga një Komision Ndërkombëtar me përfaqësues nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, si dhe të një shtetasi shqiptar. Për të siguruar rendin publik do të krijohej një xhandarmëri nën kujdesin dhe komandën e oficerëve holandezë.

Mbi këtë bazë filloi kërkimi për gjetjen e Princit për Fronin e Shqipërisë. Shpejt u bënë 19 kandidatë, por mes tyre nuk ishte në fillim emri i Princ Wiedit. Kur kishte nisur tashmë ky proces i përzgjedhjes, Austro–Hungaria dhe Italia, si dy Fuqitë që kërkonin të kishin ndikim sa më të madh në Shqipëri, ranë parimisht dakord që Princi i ardhshëm i Shqipërisë, për të qenë sa më i paanshëm, të mos ishte i një prej tri besimeve kryesore që mbisundonin në Shqipëri, pra të mos ishte mysliman, ortodoks apo katolik, por të ishte i besimit protestant. Dhe kështu u zgjodh dhe u propozua zyrtarisht edhe Princi Wilhelm i Wiedit. Me sa duket, kjo kandidaturë iu propozua fillimisht Austro-Hungarisë nga Rumania. Mbretëresha e Rumanisë, Elisabeth von Wied e njohur si shkrimtare me pseudonimin Carmen Sylva, e kishte origjinën e saj nga familja Wied. Ajo ishte tezja e Princit Wilhelm Wied. Nga ana tjetër, kontributi mjaft pozitiv që një tjetër gjerman, Princi Karl von Hohenzollern-Sigmaringen, bashkëshorti i Elizabeth von Wied, kishte dhënë prej disa dekadash (1866-1914) në krijimin dhe zhvillimin e shtetit rumun, duke u bërë edhe Mbreti i saj i njohur si Mbreti Karol i Parë, e bënin Princin Wilhelm Wied kandidat mjaft të favorshëm për fronin shqiptar. Këtu duhet shtuar edhe fakti se Fuqitë e Adriatikut, Italia dhe Austro-Hungaria nuk dëshironin në asnjë mënyrë që kandidati për fronin e Shqipërisë të vinte nga Franca apo Rusia, të cilat ishin anëtare të Bllokut të Antantës.

Ato donin shumë që kandidati të ishte gjerman, pasi Gjermania si Fuqi e Madhe, krahasuar me Fuqitë e tjera, në këtë periudhë ishte shumë më pak e interesuar për çështjet ballkanike. Pikërisht, për të gjithë këto arsye, kandidati gjerman, Princi Wilhelm Wied, u votua unanimisht i pari nga të gjashtë Fuqitë. Megjithatë, sundimi i Princit Wilhelm në Shqipëri zgjati vetëm gjashtë muaj, nga 7 marsi 1914, dita kur mbërriti në Durrës, deri më 3 shtator 1914, dita kur ai ishte i detyruar ta linte këtë vend. Sidoqoftë, ai kurrë nuk hoqi dorë nga detyra e dhënë, pavarësisht se largimi i tij ishte pa rikthim. Përse ndodhi diçka e tillë? Princi Wilhelm Wied ishte oficer nga profesioni dhe pas mbarimit të studimeve shërbeu që në fillim në Gardën e Perandorit (Kaizerit) gjerman. Për shkak të specializimit, pas tri vitesh ai mori titullin e lartë të Mjeshtrit Kalorsiak, duke u bërë njëkohësisht edhe Komandant i Regjimentit të 3-të të Gardës Mbretërore. Pra, arsimimi i tij nuk kishte të bënte me çështjet ekonomike, me çështjet e të drejtës shtetërore apo me lojërat e diplomacisë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ai nuk e njihte mirë Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Ndaj ai duhej të ishte këshilluar më mirë rreth këtyre çështjeve. Në këtë drejtim atij iu dha shumë pak informacion. Fuqitë e Mëdha i propozuan të mbante kontakte me Kuvendin Kombëtar Shqiptar, por ato nuk ndërmorën më pas asnjë hap konkret për ta ndihmuar, pasi ishin të angazhuara në luftë me njëra-tjetrën, duke pasur si objektiv primar mbrojtjen e interesave të tyre si Fuqi. Edhe paratë e premtuara nuk iu dhanë.

Nga ana tjetër, Italia qartësisht intrigonte vazhdimisht kundër Princ Wiedit. Gjermania kishte deklaruar që në fillim se do të qëndronte krejtësisht indiferente në çështjen shqiptare. Më 24 gusht 1913, Princ Wied do të shkruante se Kaizeri gjerman Wilhelmi i II i kishte thënë hapur se,” Nëse e pranon ofertën, në asnjë mënyrë nuk duhet të më ngatërrosh mua në marrëzinë apo absurditetin me Shqipërinë…”. Dy muaj më vonë, më 10 nëntor 1913, Princ Wied do të shkruante sërish se: “Kancelari (Kryeministri) i Rajhut gjerman (Theobald von Bethmann Hollweg) nuk ua kishte fshehur diplomatëve të huaj në Berlin faktin se ai më kishte këshilluar mua të mos e pranoja Fronin e Princit në Shqipëri..”. Këtë qëndrim do ta përforconte Gjermania edhe gjatë gjithë vitit 1914. Dhe ajo që i vuri kapakun kësaj çështjeje ishte kryengritja e shqiptarëve myslimane të Shqipërisë së Mesme, të cilët kërkonin rikthimin e vendit nën sundimin turk. Kryengritja ia arriti qëllimit. Princ Wied nuk mundi ta përballonte, por u detyrua ta linte Shqipërinë më 3 shtator 1914, një muaj pasi kishte shpërthyer edhe Lufta e Parë Botërore.

Vëllai më i madh i Princ Wiedit, Frederiku, do të shkruante më 9 qershor 1914 gjatë kryengritjes që tashmë kishte shpërthyer në Shqipëri, që, “Ne e kemi diskutuar shpesh me njëri-tjetrin në familje se duke pasur parasysh ndjenjat dhe sjelljen fisnike të Wilit (Princ Wiedit – shën. ynë), ai do të ishte krejtësisht i pafuqishëm të përballonte situata të tilla”…. Edhe të afërmit e gruas së Princ Wiedit, Princeshës Sophie te Schonburg-Waldenburgut, ishin që të gjithë kundër vajtjes së Wilhelmit në Shqipëri. Por vetë Princesha Sophie me shumë gjasa e këshilloi, e ndoshta edhe e nxiti shumë burrin e saj ta pranonte këtë sfidë. Vetë Princi Wilhelm (Wied) ishte për një kohë të gjatë shumë në mëdyshje për ta pranuar apo jo ofertën për të marrë Fronin e Shqipërisë. Në një letër të datës 20 maj 1913 që ai i dërgonte vëllait të tij, Viktor, vinte në dukje se nga të gjitha anët njerëzit kishin filluar të talleshin me atë për shkak të kandidaturës për Fronin Shqiptar.

Edhe vetë ai tallej, sepse ende nuk dinte asgjë konkrete rreth kësaj çështjeje. Në ditarin e tij të vitit 1917, ai do të shkruante se, “Vetëm pas lutjeve e nxitjeve të shumta nga dy Fuqitë e Mëdha më të interesuara për çështjen shqiptare, Austro-Hungarisë dhe Italisë, pas krijimit të besimit të plotë ndaj garancive dhe premtimeve të të gjashtë Fuqive që morën pjesë në Konferencën e Londrës dhe me shpresën dhe dëshirën për të kontribuar në qetësimin e situatës në Ballkan e në veçanti në shtetin e ri shqiptar të sapokrijuar, më në fund, në fillim të dhjetorit 1913, pasi vendosa disa kushte, shpreha gatishmërinë për të marrë Fronin”. Deri në këtë kohë “isha i vendosur për të mos e pranuar ofertën”. Më 2 dhjetor 1913, ai do të shkruante: “Fritc (vëllai i tij më i madh) vazhdon të tundë kokën si shenjë mospajtimi, ndërsa Paulina (gruaja e tij) është krejtësisht kundër. Por tani që më në fund unë e mora vendimin, ndjehem krejtësisht i lehtësuar, pavarësisht se e kam të vështirë kur mendoj ndarjen e gjatë me të afërmit….”.

Prici Wilhelm Wied mori mjaft këshilla edhe nga vëllai i tij Viktor, i cili ishte në këtë kohë Sekretar i parë i Ambasadës Gjermane në Oslo (Kristiania) të Norvegjisë. Ky diplomat me shumë përvojë i formuloi 10 pika apo kërkesa që duhej të plotësoheshin para se ai të jepte përfundimisht pëlqimin për Fronin e Shqipërisë. Në vitet në vijim, Princ Wilhelm Wied do t’i kishte parasysh gjithnjë këshillat e vëllait të tij diplomat, megjithatë ai do të theksonte më vonë se, “në asnjë mënyrë apo rrethanë nuk do të përpiqej asnjëherë të pranonte këshillën e tij për të hequr dorë në mënyrë të njëanshme nga Froni Shqiptar”. Kështu do të shkruante ai edhe në librin “Përshtypje mbi Shqipërinë”, që botoi në vitin 1917. Në këtë kohë kishin kaluar vetëm tre vjet prej largimit të tij nga Shqipëria dhe ndodhej si oficer gjerman në frontin e luftës në Rusi. Kjo tregon se ai, pasi kishte vendosur të ishte në dispozicion të shqiptarëve në detyrën e Princit, ishte shumë i vendosur t’i qëndronte këtij betimi edhe pas largimit të imponuar nga Shqipëria. Disa prej shokëve të tij të asaj periudhe janë shprehur me shumë kritika, e biles edhe me ligësi, për rolin e Princ Wiedit në trazirat shqiptare.

Është theksuar gjithashtu se edhe kushtet e rrethanat politike e personale për realizimin e një angazhimi të tillë ishin krejt të papërshtatshme. Por, për një vlerësim të drejtë të këtij angazhimi, duhet pasur mirë parasysh fakti i rëndësishëm se ai nuk u detyrua forcërisht për ta marrë këtë detyrë… Një vlerësim i drejtë i rolit të tij duhet të ketë parasysh gjithashtu se gjashtë Fuqitë e Mëdha të angazhuara në këtë çështje nuk e mbajtën fjalën për mbështetjen që i kishin premtuar… Ato nuk mundën të kapërcenin kontradiktën e madhe të kësaj periudhe ndërmjet sistemit të përbashkët të angazhimit për garantimin e paqes në Europë në kuadër të të ashtuquajturit “Koncert Europian”, me sistemin tjetër të shfaqur hapur me fillimin e Luftës së Parë Botërore në gusht 1914, ku pikërisht të njëjtat fuqi u ndanë në dy blloqe të kundërt, në Bllokun e Antantës dhe në atë të Aleancës Dypalëshe. Në këtë vorbull u detyruan të përfshihen edhe Shqipëria dhe Princi i saj. Në këto kushte, nuk do të ishte e drejtë që Princit Wilhelm Wied t’i vihej njolla e dështimit të misionit të tij në Shqipëri.

Të gjithë faktet tregojnë qartësisht se Princi Wilhelm Wied ishte një njeri me integritet dhe me karakter kalorsiak (fisnik). Në letrën që ai i dërgonte më 22 dhjetor 1916 zotit Zimmermann, Sekretar Shteti në Ministrinë e Jashtme gjermane, thekson me forcë se ai ka pasur gjithnjë parasysh premtimin e dhënë për të punuar për të mirën e Shqipërisë, e më pas të kthehej sërish në atdhe. Ai nuk dëshironte kurrë të futej në kategorinë e atyre princërve që nuk e mbajnë fjalën e dhënë. Ai ishte kundër mendimit të shfaqur nga ish Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Jagow, i cili kishte vënë në dukje se premtime të tilla janë të zakonshme kur dikush niset të bëjë diçka… Në të kundërt, ai kujtonte babain e tij që kur kalonte me fëmijët në portën qendrore të Kështjellës Neuwied, mbi të cilën ndodhet stema e familjes e lyer me ar, thoshte shpesh “Të keni mirë parasysh gjithnjë fjalët e saj”, ku në gjuhën romake shkruhej “Fidelitate et Veritate” (Me Besnikëri dhe Vërtetësi).

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura