Paradokset e pronave

Oct 10, 2024 | 7:47
SHPËRNDAJE

ABAZ HOXHAABAZ HOXHA

Z. ministër i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Avokat i Popullit, Erinda Ballanca

Unë jam Abaz Hoxha, trashëgimtar i ligjshëm i të persekutuarit politik Tahir Hoxha nga Tragjasi i Vlorës. Jam një pasanik i varfër, ndonëse trashëgoj shumë prona nga babai ose të blera vetë, të cilat kanë mbetur vetëm në letër, ndonëse prej 30 vjetësh kam bërë kërkesë pranë ATP-së dhe deri më sot nuk është marrë asnjë vendim. Ose më janë marrë forcërisht nga Policia e Shtetit dhe për një parcelë prej 4 vjetësh, me gjithë kërkesat e përsëritura (nëpërmjet portalit ‘e-Albania’) nuk më jepet dokumenti i pronësisë nga Kadastra e Vlorës. Dhe konkretisht.

1-Në fshatin Tragjas, mbështetur në dokumentet e Arkivit të Shtetit disponoj rreth 130 ha tokë, bujqësore, troje, kullota dhe pyje. Mbas një maratone 20-vjeçare, arrita që në vitin 2014 të hartohet një procesverbal midis meje dhe juristes së ATP-së, Violeta Kushuri, ku precizoheshin të gjitha sipërfaqet e pronave mbështetur në dokumentin e Arkivit të Shtetit. Mbas kësaj, bëra disa herë kërkesa për njohjen e pronave, por nuk po merrej vendimi përkatës. Që nga viti 2014-2019 kam marrë disa herë njoftime zyrtare se janë bërë të gjitha procedurat e nevojshme për njohjen ose kompensimin e pronave dhe do të thirresha për të marrë vendimin përkatës. Për këtë kam ndërtuar të gjitha hartat topografike. I çuditshëm është fakti që ndonëse hartat dhe prona kanë qenë të përbashkëta midis babait (Tahir) dhe xhaxhait (Selman), ne vitin 2008 trashëgimtaret e xhaxhait bene kërkesë në fillim të korrikut dhe brenda 3 muajve, ju njohën të gjitha pronat që u takonin, sepse kishin mbështetje politike dhe nga hartat e përbashkëta u shkëput pjesa që atyre u takonte. Në vitin 2019 doli vendimi i qeverisë, që po qe se tokat nuk ishin trajtuar deri në vitin 2019 nga ATP, duhet të tërhiqeshin dokumentet dhe të paraqiteshin në gjyq. Kështu, dokumentet i tërhoqa dhe filloi maratona nga e para. Vitin e kaluar, (2023) doli një tjetër VKM, sipas të cilit dokumentet duhet të ktheheshin sërish në ATP dhe brenda vitit 2024, do t’u riktheheshin pronarëve të gjitha tokat e lira. Theksoj se gati 75% e pronave tona janë ende të lira. Ndonëse dokumentet i kemi të sakta dhe të qarta, të konfirmuara nga ATP, nuk na jepet asnjë përgjigje. Mendoj se kjo nuk është thjesht një neglizhencë, por është qëllimore se siç përmenda më lart, vetë ATP-ja më ka njoftuar disa herë me shkrim, se unë kam bërë të gjitha procedurat e nevojshme për njohje apo kompensimin e pronave.

1

Bashkangjitur:

1-Në vitin 1992, si një njeri i fushës së artit, themelova një Institut Mbarëkombëtar të Informacionit për Kulturën dhe Artin. Për këtë bleva nga shteti një truall prej 210 m2 në zonën e ish-Pallateve të Aviacionit në “Tiranën e Re”, me dokumente të rregullta dhe e hipotekova në Hipotekën e Tiranës me Nr. Hipotekor 944, datë 23.03 1992, një truall që ndodhet në brendësi të Pallateve të Aviacionit (të vjetra) parcela 5, që kufizohet nga të gjitha anët nga pallate, e përbërë nga 210 m2 , regjistrim i bërë në bazë të kontratës së shitjes noteriale nr. 1210/338, datë 16.03.1992 të lidhur me Komitetin Ekzekutiv. Bëra projektin përkatës të ndërtesës dhe mora lejet e institucioneve përkatëse (elektrik, hidraulik dhe TV). Bëra gjithashtu kërkesën për lejen e ndërtimit. Leja nuk mu dha me pretekste të ndryshme. Me gjithë ankesat e mija, punonjës të brendshëm të Bashkisë, më thane se, “Dokumentet i ke në rregull, por do të jesh i fortë po të marrësh leje, se ka njerëz të fuqishëm, që duan ta marrin atë truall”. Dhe kështu ndodhi. Në vitin 1997 filluan ndërtimet mbi truallin tim. U ankova në organet shtetërore dhe në Policinë e Shtetit, të cilët jo vetëm që nuk i pezulluan ndërtimet, por policia me kërcënoi me grykën e automatikut dhe se do të më hidhnin në kanal. Bëra shumë përpjekje për t’u marrë vesh, iu drejtova edhe shumë institucioneve deri tek dy kryeministrat e kohës, Fatos Nano e Sali Berisha. Pas 18 vjetësh që toka ishte regjistruar në emrin tim, del e regjistruar te një pronar tjetër dhe ministrja Gjonaj mu përgjigj se e kam mbivendosur, ndërsa juristet e Kadastrës verbalisht më thonë se trualli duhet të të paguhet. Mendoj se ky është një dhunim dhe një vjedhje, duke shkelur të drejtat e mia si qytetar.

2-Në vitin 1994 kam marrë me dokumente të rregullta si kompensim të pronave të babait një toke prej 15.000 m2 , AMTP si kompensim të tokave të babait nga toka e lirë, pa prekur reformën. Ngarkova një person për ta regjistruar këtë pronë në Kadastrën e Vlorës. Punonjësi i Kadastrës kërkonte 8 euro për m2 . Duke qenë se jam “Qytetar Nderi” i Qarkut të Vlorës, iu drejtova prefektit. Në prezencën time, ai bisedoi me drejtorin e Kadastrës, i cili më tha të bëja aplikim nëpërmjet “e-Albania”. Bëra aplikimin në dt. 22 korrik 2021 duke bërë edhe pagesën përkatëse prej 20.000 lekë për dy parcela. Që atëherë deri më sot kam bërë katër kërkesa, por asnjë përgjigje. Më kërkuan vetëm hartën topografike, të cilën e kam dorëzuar 2 vjet më parë. Theksoj se mbështetur në VKM 20/20 tokat e marra AMTP para këtij vendimi nuk i nënshtrohen shqyrtimit, por jepen automatikisht. Mangësitë e mundshme i plotëson Kadastra. Më kërkuan edhe dokumentet origjinale të AMTP, të cilat ia kam dërguar me postë që nga viti 2022.

Ju lutem ndërhyni për të vënë drejtësi!
Me respekt Abaz Tahir Hoxha!

2

/Gazeta Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura