Bashkimi Evropian është gati të reagojë në rast të tensioneve të reja tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha sot ambasadorja e BE-së në Uashington, Jovita Neliupsiene, teksa rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë pritet të sjellë kthimin e tarifave në tregti mes Amerikës dhe Europës.
“Ne jemi në një periudhë tranzicioni, si në Bruksel ashtu edhe në Uashington. Ne po e shfrytëzojmë këtë moment për t’u fokusuar te çështjet të cilat besojmë se mund të punojmë së bashku me administratën amerikane”, tha ambasadorja e BE-së gjatë një konference për shtyp.
“Mes SHBA dhe BE mund të ketë momente tensioni, por nëse shfaqen tensione në nivelin tregtar atëherë BE-ja do të jetë e gatshme që të reagojë”, tha ajo.
Tregtia dypalëshe SHBA-BE përfaqëson më shumë se 40% të PBB-së globale dhe pritet të ketë ndikim në ekonomi, praktikisht në çmimet e produkteve në rast se dy vendet vendosin tarifa shtesë.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve nuk e ka fshehur gatishmërinë e tij për të rivendosur tarifat prej 10% deri në 20% për të gjitha mallrat që hyjnë në SHBA, duke i parë ato si “karrem” për negociatat e ardhshme tregtare, por edhe si një mjet për të financuar uljet e mëdha të taksave që ai po shqyrton.
Donald Trump shenjëstroi veçanërisht BE-në gjatë fushatës së tij zgjedhore, duke e krahasuar Bashkimin Evropian me një “mini-Kinë, jo aq të vogël në krahasim me më parë”, e cila “përfiton” nga SHBA-ja nga pikëpamja tregtare.
“Ne shkëmbejmë 1.7 trilion dollarë mallra dhe shërbime çdo vit, ne jemi investitori më i madh i njëri-tjetrit për një total prej 5 trilion dollarësh. Dhe më e rëndësishmja, kjo tregti dhe këto investime krijuan 16 milionë vende pune”, tha ambasadorja e Bashkimit Evropian.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al