Ish zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, ka komentuar sot (10 gusht) ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Zall Herr, ku gjatë një aksioni policor u zbulua dhe sekuestrua një parcelë me kanabis në repartin ushtarak.
I ftuar në News24, Spahiu e cilësoi ngjarjen si një skandal, duke theksuar se në mënyrë kategorike nuk duhet të kishte ndodhur.
“Ngjarja është një skandal. Ne duhet të pranojmë që forcat speciale, nuk mund të mendohet që në një repart të tillë të kultivohet kanabis. Është përgjegjësi e plotë e shtabit të Përgjithshëm, e kanë për detyrë, forcat tokësore, detare dhe ajrore, në veçanti drejtoria logjistike, policia ushtarake që të sjellin informacion rregullisht në Ministri për situatën”, u shpreh ish-zëvendës ministri.
Më tej, teksa u ndal tek deklaratat e ushtarakëve, se nuk mund të kontrollonin të gjithë territorin, Spahiu u shpreh se, sipas tij, nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe se detyra parësore është mbrojtja e integritetit territorial.
“Detyra elementare është të ruajnë të gjithë sipërfaqen. Mbledhje kanabisi po zbulohen çdo ditë. Dhe u zbulua edhe në një vend që konsiderohej i sigurt. Kjo nuk është meritë e autoriteteve që është zbuluar, por janë zënë në befasi. Për këtë duhet të mbahet përgjegjësi, duke filluar nga kryeministri dhe i gjithë zinxhiri komandues i forcës së armatosur. Këto ndoshta mund t’i legalizojnë të gjitha dhe të mbillen ne reparte kanabis, dhe kjo do të dëmtonte edhe integritetin e vendit. Nuk mund të kthehet në një përsëritje ky fenomen, kjo besoj duhet të tronditë mazhorancën, por edhe opozitën për të reaguar”, shtoi ndër të tjera Spahiu.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al