Aristir Lumezi /Prej një viti Parku Detar Karaburun-Sazan, që është zona e parë dhe e vetme e mbrojtur detare e Shqipërisë, është nën monitorim falë një projekt 3 vjeçar (2018-2020), me vlerë 1 milionë euro, të financuar nga qeveria italiane (Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim).
Menaxherja e projektit, Violeta Zuna, shprehet se projekti synon të mbrojë biodiversitetin, gjendjen e ekosistemit dhe të sigurojë një burim të qëndrueshëm të zhvillimit të turizmit dhe rritjes ekonomike përmes kësaj zone të mbrojtur.
Me një ekip dinamik që e dashuron detin dhe mjedisin, djemtë dhe vajzat e këtij projekti kanë tashmë asistencën teknike dhe logjistike, kanë vendosur tabelat informuese, kanë vendosur barrierat për ruajtjen e livadheve të Posidonias që shpesh dëmtoheshin nga rrjetat e peshkatarëve ndërsa janë nën monitorim me kamera të Fokës Murgeshë dhe Breshkës së Mesdheut, (Caretta Caretta), dy specie këto të rrezikuara nga zhdukja.
Në Radhimë, përveç Qendrës së Vizitorëve për Parkun Detar, në dhjetor 2017 është ngritur edhe qendra për rehabilitimin e breshkës së detit. Kjo qendër gjatë vitit 2018 ka shpëtuar 7 breshka (Caretta Caretta).
Stafi i qendrës shprehet se breshka e detit e cila ushqehet me kandilë deti rrezikon jetën nga plastmaset që hidhen në det, pasi e ngatërron atë me kandilin duke shkaktuar ngordhjen e saj.
Me qëllim ruajtjen e biodiversitetit, ky projekt po punon dhe për reduktimin e ndotjes nga veprimtaria njerëzore, siç është dhe riciklimi i vajit për gatim. Riciklimi konsiston në mbrojtjen e ekosistemit nga një rrezik shpesh i pakonsideruar siç është hedhja e pahijshme e vajrave të gatimit në det, kryesisht nga restorante që shtrihen përreth këtij parku.
PNUD në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, zbatues të projektit, bëjnë të ditur se, krahas pastrimit nga plastika apo ndotje të ndryshme, që nga qershori i vitit të kaluar, është arritur bashkëpunimi me 24 operatorë ekonomikë (kryesisht hotele & restorante) që operojnë rreth këtij ekosistemi, për të aplikuar grumbullimin e vajit të përdorur të gatimit në depozita të veçanta. Ato asistohen nga kompani të specializuara të riciklimit që i informon ata mbi iniciativën e riciklimit që mbron biodiversitetin e këtij Parku.
Deri tani janë mbi 1800 kg vaj i mbledhur dhe i dërguar në kompanitë e specializuara të riciklimit. Ndërkohë që sensibilizimi dhe puna e palodhur e punonjësve të AKZM, po e shtrin këtë nismë edhe në subjektet e tjera të hoteleri-turizmit, duke i dhënë një frymëmarrje të re mbrojtjes së faunës dhe florës nënujore në Parkun Detar Karaburun-Sazan, që konsiderohet një atraksion i çmuar i këtij parku.
Janë rreth 50-60 mijë turistë vendas dhe të huaj në ditë që vizitojnë Parkun Detar Karaburun-Sazan, gjatë muajve Korrik-Gusht, e që vitet e fundit kanë shtuar kërkesat për të frekuentuar plazhet e virgjëra të gadishullit. Prefekti i Vlorës Flamur Mamaj u shpreh se “për sezonin që pritet të fillojë, do të kërkojë nga operatorët turistikë të grumbullojnë dhe të kthejnë pas çdo shëtitje në Karaburun dhe Sazan të gjitha mbetjet ditore që turistët krijojnë. Qëllimi është që ky park të ruhet për ta bërë atë atraktiv për një turizëm edhe më të shtrirë në kohë”.
Por mbrojtja e mjedisit përmes këtij projekti nuk po kryhet vetëm në det por dhe në mal. Parku Kombëtar i Llogarasë ka hyrë tashmë nën monitorim.
Sipas Nexhip Hysolakojt, nga Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë, “në Parkun Kombëtar të Llogarasë, Vlorë, rriten 52 lloje bimësh aromatizuese medicinale, me vlera të rralla, ndër të cilat edhe bima e shafranit, të cilën e shërbejnë si çaj për vizitorët e turistët e ndryshëm, një pjesë e mirë e lokaleve që janë në Parkun Kombëtar të Llogarasë” .
Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura ka vendosur kamera në disa shtigje në malin e Llogarasë ku janë filmuar ujku, dhelpra e kuqe, macja e egër, sorkadhe dhe shpendë të rrallë që tregojnë se ky park është një terren interesant për t’u eksploruar nga të apasionuarit e natyrës dhe botës së egër.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al