SANTANA ÇOMORA/ Gjate punes se perditshme takon vazhdimisht njerëz, që në të shumtën e rasteve je e detyruar të gërmosh për të nxjerrë më të mirën e tyre, por takimi me Florenca Bellovën, për të cilën kisha dëgjuar, nuk rezultoi aspak i tillë. Florenca, ose shkurt, Floi, nuk është vetëm një modele që di të pozojë mjaft mirë para aparatit fotografik. Ajo është më shumë se aq. Është ai personazhi unik që e takon vetëm një herë në jetë: jeton në mikrobotën e saj, pa shumë lukse, por me shumë kërkesa ndaj vetes, aq sa të duket sikur i përket një kohe tjetër.
Shumicën e kohës ka jetuar jashtë dhe ndoshta edhe ajri që ka marrë e ka tjetërsuar. E larguar herët nga Shqipëria, rreth moshës 6-vjeçare, ajo rikthehet për të jetuar me partnerin e saj, aktorin e njohur Artan Imami, dhe për të rritur të bijën, Audrey-n. Rikthimi në Tiranë nuk është një kthim i vërtetë, gjithsesi ajo kujton atë Tiranën e pastër, plot me pemë e lule, pa makina, por sidomos me njerëz shumë të mirë, qytetarë dhe dashamirës. Ndërsa në ditët e sotme, Tirana i ngjason me një Babel të zhurmshëm. “Vë re disa ndryshime për mirë, por mbeten thjesht fasada. Nga fëmijëria ruaj vetëm kujtime të bukura. Tirana ishte diellore dhe e shëndetshme për të rritur një fëmijë. Ne të vegjlit s’e kuptonim mirë kontekstin komunist, por edhe prindërit tanë kishin shumë takt, duke na përcjellë vetëm gjërat që ishin pozitive”, thotë ajo me entuziazmin e dikurshëm.
Nga një vajzë çamarroke që kacavirrej gjithë ditën nëpër pemë, sot Florenca është zonja që di ta menaxhojë në mënyrë spartane jetën e saj. Pas viteve `90, gjithçka ndryshoi. Familja e saj u shpërngul në Trieste për të krijuar një jetë tjetër. Një qytet me një shpirt fisnik, që vazhdon ta tërheqë sa herë që kthehet aty. Gjatë kohës që frekuentonte liceun klasik për linguistikë, studioi edhe tri gjuhë të tjera (anglisht, frëngjisht, spanjisht). Mësimi i gjuhës latine i dha një ndryshim të madh. Njihej si “miu i bibliotekave”, pasi lexonte për orë të tëra dhe të gjithë e dinin se ku ishte.
Dëshira për të studiuar ishte aq e madhe sa vendosi të hiqte dorë nga dy gjëra të rëndësishme: sporti (në atë kohë merrej me volejboll, atletikë, por edhe me tenis) dhe nga koha që kalonte me miqtë. Më pas vazhdoi studimet për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, duke u specializuar për Politika Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin Katolik të Milanos. Do të kishte dashur ta vazhdonte atë rrugë, por fakti që po priste një fëmijë e kushtëzonte për të bërë një jetë pa orare. “Të merresha me modë nuk ishte ndonjë dëshirë e fshehtë brenda meje, por në atë çast e gjykova thjesht si një zgjidhje ekonomike.
Arrija të punoja në një sektor që më jepte mundësi të kisha kohë të lirë për t’u marrë me studimet e mia, dhe ku paguhesha shumë herë më mirë se duke punuar si kameriere apo shitëse”. Përgjatë këtyre viteve, Florenca ka punuar në agjenci të rëndësishme modelingu si John Casablancas Brave Models, Del Fuego Management, La Urban Management. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe nisi të merrej edhe me aktrimin, sepse çdo menaxher që e takonte, i thoshte se kishte prirje e kishte një mimikë perfekte për të interpretuar. Filloi të merrej me reklama.
Nga kjo periudhë i ka mbetur peng fakti që nuk e realizoi dot një film me Antonio Banderas dhe Liam Neeson, i cili po xhirohej në Milano, por më pas ndryshuan skenarin dhe hoqën pjesën e personazhit që duhej të interpretonte ajo. Gjithashtu, edhe një reklamë me Gai Riçin, një reklamë kafeje me George Clooney, një program televiziv mbi modën në “Rai 1”. “Këto janë disa nga mundësitë e parealizuara që mbaj mend. Kam filluar të lidhem sërish me agjentin tim në Romë prej disa muajsh, por mund të them me plot gojën se kinemaja më jep ende mundësi t’i përkushtohem vajzës sime. Ndërsa për teatrin, do të doja të kisha një formim më të mirë akademik, gjë që më mungon”. Të jesh modele, do të thotë të zgjohesh herët në mëngjes, të jesh gati të shkosh në këmbë sa nga një vend në tjetrin me një çantë shpine mbi kurriz, me një axhendë plot e përplot me takime, shumë prej të cilëve nuk shkojnë edhe aq mirë, të jesh gjithmonë e përpiktë, me një buzëqeshje vesh më vesh dhe me një lëkurë të bukur pa u grimuar.
Përveç kësaj disipline të rreptë, do të shtoja edhe ushqimin e shëndetshëm, shumë stërvitje, pak jetë mondane dhe gjumi është një luks i madh. Duhet të jesh menaxhere e vetes, duke marrë parasysh përfitimet dhe dështimet që sjell një profesion i tillë. Florenca është shumë rigoroze për të bërë një jetë sa më të shëndetshme, edhe pse këtë periudhë nuk merret me modeling. Unë mendoj se ajo do të zgjidhte këtë lloj jete, edhe sikur të mos merrej me këtë profesion. Edhe takimet tona kanë qenë të përcaktuara deri diku nga oraret e të ngrënit dhe sistemimit të vajzës.
Pse kundër martesës ose çfarë është martesa për ju?
Nuk jam kundër martesës, por nuk ndiej nevojën t’i kërkoj një autoriteti civil apo fetar që të ligjërojë juridikisht një marrëdhënie që është krejtësisht private mes dy personave. Nuk jam aspak tradicionale. Për mua familja është gjithçka dhe pikë. Fëmijët, ajo çka t’i arrin të ndërtosh, hera-herës me shpirt ndër dhëmbë, duke mos lejuar të tretët që të të thonë nëse po bën mirë apo keq. Për mua, pikërisht ajo familja e ngushtë ka shumë rëndësi, jo familjarët që e rrethojnë. Pastaj, imagjinojeni ç’lodhje burokratike duhet të jetë procesi i divorcit. Ndihesh e zhgënjyer për dështimin e raportit, imagjinoni të merreni edhe me këto të tjerat.
Çfarë është dashuria për ju?
Po thjeshtëzoj gjithçka në dy aspekte në vija të përgjithshme: nga njëra anë kemi atë dashurinë e përjetshme, që sa vjen e shtohet, që nuk preket, atë dashurinë jetësore… Pra, dashuria për time bijë dhe për prindërit e mi. Nga ana tjetër, kemi atë dashurinë që njeh ulje-ngritje, që të bën të dyshosh, që të mbush me gëzim, që të bën të ndihesh edhe mirë, edhe keq, që të fal ndjesinë se je e rëndësishme, por edhe të kundërtën. Pra, diçka që është e rastit, që ka nevojë për punë të vazhdueshme për ta ruajtur, por që njëherazi është po aq e nevojshme.
Si nisi marrëdhënia me aktorin Artan Imami?
Gjatë një raporti, partnerët harrojnë (dhe duhet ta bëjnë gjithmonë) se kush është ai/ajo për të tjerët. Nuk mund të nisësh një marrëdhënie të re duke menduar se çka di apo ç’ke dëgjuar për atë. Ne jemi takuar gjashtë vjet më parë, kur unë erdha me pushime në Tiranë dhe aty lindi gjithçka. Ne njiheshim më herët për arsye të tjera, por unë asokohe isha e vogël dhe nuk më interesonin çështjet e zemrës, ndërsa ai kishte jetën e tij sentimentale. Bashkëjetesa me dikë tjetër nuk shkon gjithmonë fushë me lule. Unë kam jetuar 20 vjet jashtë, e vetme dhe në qytete shumë të mëdha.
A përbën problem diferenca e moshës me partnerin apo tanimë e keni kapërcyer?
Do të thosha që jo. Për mua meshkujt punojnë si një motor që ndizet me vonesë, për rrjedhojë ndryshimi mes nesh është krejtësisht normal. Problemet më të mëdha mund të lindin për divergjenca në stilin e jetës. Për shembull, partnerit tim i pëlqen jeta sedentare, gjë që unë refuzoj ta bëj. I pëlqen të shohë televizor, ndryshe nga unë. Ky po është një problem real, jo mosha. Po më vjen ndër mend një shprehje e Tolstoit: “Ajo çka është e rëndësishme në një martesë të lumtur nuk është nëse keni shumë të përbashkëta, por sa jeni të aftë të menaxhoni ndryshimet mes njëri-tjetrit”.
Emri Audrey Maelle dhe dita me të…
Më pëlqente shumë ky binom. Në fillim vendosëm Audrey, e më pas Maelle. Kuptimi i të dy emrave është “princeshë e forcës fisnike”. Emri i parë është anglosakson dhe për rrjedhojë fisnik, ndërsa emri i dytë është kelt dhe e ka origjinën nga ‘Mael’ që do të thotë princ ose sovran. Maelle është femërorja për princeshë. Emrin ia vumë fiks pas 59 ditësh, që ishte pikërisht afati për ta regjistruar në gjendjen civile. E di, është turp, por ishim të pavendosur, edhe pse unë e dija që në fillim që do t’ia vinim Audrey. Po, tanimë ekzistoj vetëm për të. Dita ime rrotullohet vetëm rreth nevojave, buzëqeshjeve apo tekave të saj. Gëzimi që më ka dhuruar ime bijë nuk krahasohet me asgjë tjetër. Të kujdesem për të është minimumi që mund të bëj. Po, vazhdoj ta ushqej me gji, edhe pse është katër vjeçe. Do t’ia jap derisa të dojë. Tani pi shumë pak, por për të është një nevojë ekzistenciale. Audrey është sëmurur shumë rrallë gjatë katër viteve, sepse edhe unë vetë ushqehesha shumë mirë. Nuk kam pasur kurrë ndihmë, as të nënës sime që jeton jashtë, as të dadove apo të çerdheve. Vazhdon të flejë me mua dhe unë as nuk dremis dot pa pasur ngjitur atë. Pjesën më të madhe të kohës e kalojmë në shtëpi. Kemi fatin që shtëpia jonë është afër Parkut të Liqenit dhe kemi një kopsht me pemë e lule. Dëgjojmë muzikë, pikturojmë, shkruajmë, mësojmë disa gjuhë të huaja. Për momentin, ajo kupton katër gjuhë, por shprehet vetëm në dy, më së shumti në frëngjisht. Televizori nuk ekziston për Audrey-n. Unë dhe partneri im e ndezim në darkë vonë për të parë ndonjë film. Edhe pse tani jam nënë, nuk dal kurrë nga shtëpia me tuta sportive apo me veshje që përdor kur shkoj në palestër. Më duket diçka shumë vulgare dhe aspak me klas për një femër. As me shapka me gisht apo me balerina, të cilat, sipas meje, janë estetikisht të shëmtuara, johigjienike dhe aspak femërore.
Mace, breshka, etj… Sa kënaqësi i jep Audrey-t kjo botë?
Po, kemi shtatë mace, tri breshka toke që rrinë në kopsht dhe prej disa javësh, kemi edhe një lepur që ia kemi vënë emrin Pierre. Është si pambuk i bardhë me sy blu. Unë s’kam dashur kurrë kafshë në shtëpi, sidomos tani që kemi vajzën e vogël, por në kopsht mund të rrinë sa të duan. Audrey i do shumë dhe kujdeset për kafshët. Së fundmi, ka filluar të bisedojë me Pierre dhe me katër kotelet që sapo kanë lindur.
A e ke shoqëruar Tanin në shfaqjet teatrale? I ndiqni aktivitet kulturore në Tiranë?
Po, por vetëm kur ai ka ndonjë pjesë apo ndonjë shfaqje që ia vlen ta shohësh. Gjatë këtyre viteve kam pasur pak raste për të shkuar në teatër, pasi s’mund të rri më shumë se dy orë larg Audrey-t. Pas orës 19:00 nuk dal më nga shtëpia, sepse ajo fle në orën 20:00. E pranoj se në Tiranë nuk ka aktivitete kulturore të denja për këtë emër, ndaj s’besoj se humbas shumë. Kur të rritet vajza dhe nëse ka diçka që ia vlen, mund ta marr me vete.
Shkëputur nga bota dixhitale, rrjetet sociale. Pse kjo zgjedhje apo nuk të pëlqen dukja?
Më duket një humbje e madhe kohe dhe shumë egoiste, ç’është më kryesorja. Nuk më ka pëlqyer kurrë të shfaqem më shumë nga sa është e nevojshme. Për mua rrjetet sociale tanimë kanë nxjerrë në pah rastet patologjike. Trishtohem shumë kur shoh kudo njerëz në kafene që rrinë ulur në një tavolinë me sytë nga telefoni, që dokumentojnë se ku dhe me kë janë, ndërkohë personit në tavolinë i thonë vetëm “ç’kemi”.
Ke punuar me agjenci modelingu në Tiranë?
Në Tiranë nuk ka agjenci mode të standardeve profesionale si jashtë shtetit (si për shembull, në Milano apo në Paris), për rrjedhojë s’kam punuar asnjëherë në Tiranë. Nëse do të kishte pasur të tilla, edhe ndoshta… por kam problemin se si do ta lë vajzën.
Do të pëlqente të të ofronin diçka, për shembull, të ishe imazhi i ndonjë kompanie?
Nuk e di. Varet nga koncepti i produktit që kanë në mendje. Fusha e reklamimit në Shqipëri është ende në fazë fillestare.
Modelet shqiptare si i shikon? A ke kontakt me to?
Ajo që bëhet në Tiranë, s’mund të quhet ende modë, dhe për pasojë, nuk shoh asnjë modele profesioniste. Modelja e vetme që njoh, jo personalisht, por që jashtë shtetit ka pasur një karrierë vërtet profesionale në nivele të larta është malazezja Emine Cunmulaj. Kur fillova të punoja në Milano, bëra një audicion për “Cosmopolitan”. Një fotograf i njohur u habit që isha shqiptare, pasi s’njihte asnjë të tillë përveç Eminës. Gjatë viteve që unë kam punuar atje nuk mbaj mend të kem njohur ndonjë modele shqiptare, madje as tani s’kam kontakte me ndonjërën prej tyre.
Rutina e një dite
Zakonisht, ajo zgjohet shumë shpejt. Pas një dushi përgatit mëngjesin për familjen, vajzën dhe partnerin e saj. Nuk mungon asnjëherë çaji i zi me mjaltë (sheqerin nuk e përdor thuajse kurrë, përveçse për ndonjë ëmbëlsirë). Dreka zakonisht ka bazë orizi, pastash, perimesh ose peshku, rrallë gatuan mish pule. Pas lindjes së vajzës ka eliminuar çdo lloj mishi të viçit, të derrit, etj… Kjo vlen edhe për Audrey-in e vogël. Në çdo vakt, rëndësi kanë perimet dhe frutat.
Gjithçka gatuhet në avull ose konsumohen të gjalla. Skuqjen si proces nuk e përdor thuajse kurrë. Oraret e vakteve ndryshojnë hera-herës, pasi për të vlen teoria se duhet të hamë atëherë kur kërkon stomaku, jo kur hanë të tjerët. Në kuzhinë i pëlqen të eksperimentojë duke rrezikuar në kombinimet që përshtat. Mbrëmja është momenti i vetëm që mund t’ia kushtojë vetes, lexon e njëkohësisht bën aktivitet fizik duke u hedhur në litar, ushtrime të lira dhe në fund, pak streçing. Për të edhe punët e shtëpisë janë një mënyrë e përsosur për të qenë në formë.
Në shtëpi nuk ka shumë kohë që të aplikojë maska apo të bëjë trajtime estetike. Grimohet shumë pak dhe përdor gjithmonë produkte që nuk kanë agjentë toksikë. Mund të duket çudi, por nuk mban mend të ketë shkuar ndonjëherë të bëjë manikyr apo pedikyr. Dy-tri herë në vit shkon të presë majat e flokëve e nuk i lyen kurrë. Të vetmet gjëra që i lejon vetes janë trajtimet vajore (ricini, kokosi, bajame) për trupin dhe fytyrën. Lëkurën e mbron gjithmonë me krem me faktor 50 gjatë dimrit dhe verës.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al