Opera La Traviata, shfaqi mbrëmë premierën në Teatrin e Operas dhe Baletit. Një nga kryeveprat e Verdit, që i ka rezistuar të gjitha kohërave, do të vijojë sot, nesër dhe pasnesër në TKOB, në nder të artistëve që e sollën në skenë për herë të parë, 60 vite shkuar. Historia klasike e shekullit XIX, e kurtizanes së klasit të lartë që dashurohet me një djalë të ri, i cili vjen nga një familje e pasur, Alfredo, dashuria e të cilëve kundërshtohet nga babai i tij, i cili nuk pranon skandalin që kjo lidhje krijon, do të spostohet në kohë, do të vijë në vitet 1920, sipas një koncepti të ri regjisorial të austriakes Magdalena Fuchsberger, skenografie moderne (në videoprojektor) nga gjermani Aron Kitzig, baleti nga Gerdi Vaso dhe Enada Hoxha dhe kostumografia nga Ardi Asllani.
Në konferencën për shtyp, ku ishin të pranishëm të gjithë artistët, drejtoresha e TKOB-së theksoi se: “Opera ‘La traviata” vjen në këtë mbyllje të sezonit operistik, në kujtim të shfaqjes së parë të Traviatës që Teatri i parë i Operës së Shqipërisë e vuri në skenë 60 vite më parë. Sot, ne po kthehemi me një produksion të ri, që këtë herë mban një vulë ndërkombëtare. Uroj që në datat 17, 18, 19 dhe 20 publiku të shijojë dhe gëzojë bashkë me ne dhe të ketë një Brindisi në këtë 60-vjetor të TOBit, por edhe të vënies për herë të parë në skenë të operës “La traviata”.
Rikthimi bëhet në shenjë vlerësimi për artistët që themeluan këtë teatër! Më tej, regjisorja Magdalena u shpreh se “Jam shumë e lumtur që kam mundësinë të drejtoj këtë histori të pakohë! Emocionet, pasioni i mrekullueshëm i kësaj historie, imagjinata, iluzionet, por sidomos vetmia, e bëjnë këtë vepër të pakohë. Ende sot, të gjithë ne ëndërrojmë dhe kemi iluzionet tona për dashurinë dhe ishte njësoj edhe qindra vite më parë. Jam përpjekur vërtet shumë, përgjatë gjithë drejtimit, t’i bëj të dukshme të gjitha këto emocione te karakteret dhe ta përcjell këtë histori të jashtëzakonshme me emocionet dhe pasionin që i takon”.
Një ndër elementet interesante në këtë shfaqje do të jetë edhe koreografia e punuar nga Enada Hoxha dhe Gerti Vaso. “Të jem e sinqertë, nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mend që do të merreshim me koreografinë e operave, sepse kemi qenë gjithmonë të fokusuar te baleti dhe për këtë gjë, në opera kanë qenë të aktivizuar të tjerë njerëz. Për mua ishte kënaqësi, sepse ‘Traviata’ është një nga veprat që e duam fort dhe e kemi krijuar edhe si balet por, e sjell në një risi dhe me një perceptim të jashtëzakonshëm nga Madalena, për mua dhe Gertin ishte frymëzim. Jo vetëm për pjesën e kërcimit, si cigania dhe spanjollja, por të jemi në rolin e Violetës dhe Alfredos, është vërtet shumë emocionuese”, u shpreh Enada në fund të konferencës.
Personazhet kryesore, Violeta dhe Alfredo, do të interpretohen nga Eva Golemi dhe sopranoja franceze, Perrine Madoeuf, nga Armaldo Kllogjeri dhe italiani Giuseppe Tommaso. Ndërsa në rolin e Giorgio Germonti-t do të jenë Ylber Gjini dhe Gocha Abuladze.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al