Pas më shumë se një viti luftimesh, armëpushimi Izrael-Hezbollah hyn në fuqi! Çfarë parashikon marrëveshja

Nov 27, 2024 | 7:22
SHPËRNDAJE

Një armëpushim pas më shumë se një viti luftimesh midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban ka hyrë në fuqi.

Capture

Armëpushimi filloi në orën lokale 04:00 të mërkurën, duke i dhënë fund të paktën përkohësisht gati 14 muajve luftime mes Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani.

Marrëveshja u njoftua të martën në mbrëmje nga Izraeli, Franca dhe SHBA, me presidentin Joe Biden i cili u shpreh se armëpushushimi ka për synim një “ndërprerje e përhershme e armiqësive”.

Sulmet nga të dyja palët u regjistruan deri pak para fillimit të armëpushimit. Izraeli lëshoi ​​urdhra evakuimi për pjesë të Bejrutit katër orë përpara afatit të armëpushimit. Hezbollahu gjithashtu gjuajti dron drejt Izraelit disa orë para se të ndaleshin luftimet.

Brenda disa minutave nga fillimi i armëpushimit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) paralajmëruan banorët e Libanit jugor që të mos “shkonin drejt fshatrave që IDF ka urdhëruar të evakuohen ose drejt forcave IDF në zonë”.

Zëdhënësi arab i IDF Avichay Adraee tha në X se do t’ju “informojmë kur është e sigurt  që të ktheheni në shtëpi”.

Megjithatë, dhjetëra automjete u panë duke shkuar në jug menjëherë pas fillimit të armëpushimit, disa të mbushura me sende personale.

Luftimet kanë vazhduar për gati një vit kur, në fund të shtatorit, Izraeli intensifikoi bombardimet dhe nisi një pushtim të kufizuar tokësor kundër Hezbollahut.

Lufta ka qenë më vdekjeprurëse për Libanin në dekada, ku u vranë më shumë se 3,823 njerëz, sipas zyrtarëve lokalë.

Sipas marrëveshjes së shpallur të martën dhe ndërmjetësuar nga SHBA, Izraeli do të tërheqë gradualisht trupat e tij nga jugu i Libanit për një periudhë 60-ditore.

Gjatë të njëjtit hark kohor, luftëtarët dhe armët e Hezbollahut do të hiqen nga zona në jug të lumit Litani, një kufi i vendosur në fund të luftës së fundit Izrael-Hezbollah në 2006. Ata do të zëvendësohen nga forcat e qeverisë libaneze.

“Do të krijojë kushtet për të rivendosur qetësinë e qëndrueshme dhe do t’i lejojë banorët në të dy vendet të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre,” u tha në një deklaratë të përbashkët nga SHBA dhe Franca.

Kryeministri i Libanit Najib Mikati përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit, duke e quajtur atë një “hap themelor drejt rivendosjes së qetësisë dhe stabilitetit” në vend dhe lejimin e qytetarëve të kthehen në shtëpi.

Por ai gjithashtu kërkoi që Izraeli të “përputhet plotësisht” me marrëveshjen, të largohet nga vendet që aktualisht pushton dhe të respektojë rezolutën e OKB-së.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli nuk do të hezitonte të godiste nëse Hezbollahu shkel ndonjë pjesë të marrëveshjes së rënë dakord.

“Nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen dhe përpiqet të armatoset, ne do të sulmojmë. Nëse ai përpiqet të rindërtojë infrastrukturën terroriste pranë kufirit, ne do të sulmojmë,” tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura