Duke e quajtur Turqinë një aleate të rëndësishme dhe shumë të vlerësuar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vlerësoi kontributin e trupave të Turqisë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, duke përfshirë përforcimet pas trazirave të fundit në veri të Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm e uroi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për rizgjedhjen e tij dhe për pjesëmarrjen e lartë në votime të popullit turk. Ata diskutuan një sërë çështjesh në agjendën e Samitit të NATO-s e cila do të mbahet në Vilnius në muajin korrik, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, punën për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen dhe luftën kundër terrorizmit.
Të dy krerët diskutuan gjithashtu ofertën e Suedisë për anëtarësimin në NATO. Stoltenberg vuri në dukje se Stokholmi ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, konkretë për të përmbushur kërkesat e Turqisë, duke përfshirë ndryshimin e Kushtetutës suedeze, përfundimin e embargos së armëve dhe rritjen e bashkëpunimit kundër terrorizmit. Ai më tej vuri në dukje se legjislacioni i ri i rëndësishëm kundër terrorizmit ka hyrë në fuqi ditët e fundit dhe se Suedia ka përmbushur detyrimet e saj
Sekretari i Përgjithshëm dhe presidenti Erdogan ranë dakord që Mekanizmi i Përhershëm i Përbashkët midis Turqisë, Finlandës dhe Suedisë duhet të takohet përsëri në javën që fillon më 12 qershor. Stoltenberg tha se mezi pret të finalizojë pranimin e Suedisë sa më shpejt të jetë e mundur./Koha.net