“Pasuesi im do të jetë shqiptar”- Rama kujton intervistën e Kryepeshkopit Anastas Janullatos: U paragjykua vetëm se ishte grek

Jan 30, 2025 | 13:17
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama, në homazhet e zhvilluar për Kryepeshkopin në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, është shprehur se Anastas Janullatos është paragjykuar vetëm për faktin se ishte grek.

edi rama 4

Por, Rama theksoi se “është shumë vështirë të gjendet në kujtesën tonë historike dikush i çfarëdo kombësie tjetër që të ketë qenë që të jetë identifikuar me aq krenari dhe me aq përkushtim me fjalë e me vepra me emrin e Shqipërisë sa kryepeshkopi Anastas”.

Ndërsa kujtoi edhe intervistën e Kryepeshkopit të ndjerë vetëm pak kohë më parë për shtypin grek ku deklaroi se “pasuesi im do të jetë shqiptar”.

Edi Rama: Duhet pranuar se është shumë vështirë të gjendet në kujtesën tonë historike dikush i çfarëdo kombësie tjetër që të ketë qenë që të jetë identifikuar me aq krenari dhe me aq përkushtim me fjalë e me vepra me emrin e Shqipërisë sa kryepeshkopi Anastas.

E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thashë, por durim dhe ata le të kundrojnë në reflektim të paqtë dhe natyrisht të çliruar nga paragjykimet apo dyshimet fqinjësore vetëm disa nga veprimet e tij.

Sa prekëse është në koherencën stoike të jetës së tij baritore dhe gjithëaq shpartalluese për të gjithë paragjykuesit dhe dyshuesit e tij prania e këtij trupi pajetë të rilindësit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, pohimi i tij botërisht përpara vetëm pak kohësh në një intervistë të dhënë për shtypin grek, e cila tingëllon më shqip se shqipja e kujtdo që e ka paragjykuar dhe dyshuar, vetëm e vetëm se ishte grek, Kryepeshkopin shqiptar i cili tha se “pasuesi im do të jetë shqiptar”.

“Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam respektuar ta mësoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme, a do ta pranonim të drejtonte Kishën e Greqisë një bullgar apo serb, sigurisht që jo. E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam në Shqipëri për të bërë një koloni, por për të bërë një Kishë Autoqefale të Shqipërisë. Ajo nuk është pjesë e Kishës së Greqisë, ajo është një ndër 14 kishat ortodokse autoqefale të botës”.

E mbyll shprehjen e tij lapidare Kryepeshkopi ynë.

Çfarë njeriu, çfarë bariu, çfarë pajtuesi dhe paqebërësi, çfarë greku në kombësi dhe çfarë shqiptari në shtetësi”, tha Rama:

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura