PD e akuzoi se ka përfituar prona në Vuno, Rama paralajmëron padi: Të paudhë dhe skllevër të ballkonit “non grata”! Lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujërave të zeza

Aug 2, 2024 | 12:08
SHPËRNDAJE

Edi Rama i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, e cila sot tha se kryeministri si trashëgimtar i familjes Koleka ka përfituar 22.4 hektarë tokë në Vuno në mënyrë të paligjshme.

rama

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka paralajmëruar padi në gjyq, ndërsa thotë se të gjithë këto janë përpjekje për të hedhur baltë mbi të dhe familjen e tij.

“Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë”, shkruan Rama.

Sipas kreut të qeverisë, të gjithë trashëgimtarët e pronave të stërgjyshit të tij në Vuno nuk i kanë marrë ende certifikatat e pronësisë.

“Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete”, shprehet kryeministri.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama 

Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre! Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista. Por për publikun ka vetëm një fakt.

Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete. Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar!

LEXO EDHE: PD, Kaso: Si trashëgimtar i fisit Koleka dhe familjarët e tij kanë përfituar 22.4 ha tokë në Vuno! Gjykata ndryshoi vendimin e ATP

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura