Diaspora nis sot regjistrimin për zgjedhjet e 11 Majit, ja hapat që duhet të ndjekin! PD-PS, drejt ndërhyrjes në Kodin Zgjedhor për votën e emigrantëve shqiptarë

Jan 11, 2025 | 7:17
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Mazhoranca dhe opozita mund të bashkojnë votat për një ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, në funksion të lehtësimit të procedurave sa i takon votës së shqiptarëve jashtë vendit.

-640-0-1736527348xfinal1-685

Kreu i PD-së, Sali Berisha, i pyetur dje nga gazetarët nëse PD-ja do të bashkëpunojë me PS-në për të ndryshuar Kodin Ligjor për një shtyrje të afatit për procedurat për votën e diasporës, tha se PD-ja është në negociata e sipër për këtë ndryshim të Kodit, përderisa i shërben transparencës së votës. Berisha theksoi se PD-ja do të miratojë çdo kërkesë që i shërben transparencës.

“Di që janë në negociata. Di që po zhvillohen negociata. Kemi shpallur publikisht se kërkesat e arsyeshme që shkojnë në favor të transparencës dhe mundësisë së votës së diasporës do miratohen nga ne, qoftë edhe në rast se do duhen ndryshime të tjera ligjore. Ne e kemi shprehur në cilin stad se janë këto ditë dhe po negociojnë”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

Drejtuesja politike për diasporën është Jozefina Topalli, por Berisha vuri në dukje se çdo deputet dhe çdo drejtues i PD-së duhet të zhvillojë takime jashtë vendit, duke theksuar se pesha elektorale e diasporës është e barabartë me atë të votuesve brenda vendit. Edhe socialistët janë fokusuar tej vota e diasporës, ndërkohë që edhe dje kreu i mazhorancës, Edi Rama, shprehu bindjen e plotë se partia e tij është më e votuara dhe do të fitojnë garën e 10 elektorale më 11 maj.

“Një arsye themelore pse unë dhe PS-ja fitojmë nuk është se populli është budalla, por se populli ka më shumë qartësi dhe është më i drejtë në vlerësimin e punës dhe i jep secilit hakun”.

REGJISTRIMI

Sot nis procesi i regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe duan të votojnë më 11 maj. Faqja zyrtare kqz.gov.al do të hapë ditën e sotme seksionin e regjistrimit të emigrantëve për të votuar nga jashtë vendit. Çdo emigrant që më 11 maj ka të drejtën për të votuar, duhet të regjistrohet ‘online’, në mënyrë që marrë pjesë në procesin e parë zgjedhor në vend, ku merr pjesë edhe diaspora.

Regjistrimi kërkon një pajisje elektronike, të çfarëdoshme, që mjafton të ketë internet dhe një kamera. Si fillim, emigranti duhet të krijojë një llogari në sistem, duke përdorur një numër telefoni, ose një ‘email’, si dhe të dhënat personale, nga ditëlindja, vendlindja, numri personal.

Llogaria krijohet vetëm duke treguar zgjedhësi fytyrën e tij të gjallë përpara kamerës, për të shmangur votimet familjare apo përmes personave të tjerë. Pasi krijon llogarinë, votuesi duhet të dërgojë një kërkesë po në këtë sistem, ku i duhet një dokument identifikimi shqiptar. Në momentin e regjistrimit, pasaporta ose karta pranohen edhe nëse iu ka skaduar afati. Dokument tjetër me rëndësi, është një vërtetim se personi banon aty ku thotë. KQZ pranon dokumente të shumëllojshme, nga dokumentet e pronësisë, tek qiramarrjet apo faturat e ujit, gazit, energjisë, apo çdo abonim tjetër, përfshirë dhe dokumentet bankare. Adresa është e rëndësishme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i dërgojë fletën e votimit aty ku ai jeton.

Brenda 5 ditësh, KQZ-ja do ta informojë emigrantin, nëse kërkesa e tij u pranua ose u refuzua. Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura