Pensionet, sa lekë do të jepen për indeksimin dhe bonusin e fundvitit! Pesha që zënë në buxhetin e vitit 2025, ja sa përfitojnë të moshuarit

Nov 1, 2024 | 11:05
SHPËRNDAJE

Buxheti i vitit të ardhshëm pritet që t’i përgjigjej edhe sfidës së pensioneve dhe reformës së re të paralajmëruar nga qeveria.

pensioniste

Qeveria po bëhet gati që përpara zgjedhjeve të bëjë gjithashtu edhe një tjetër indeksim të pensioneve, përpos atij që u bë në një muaj më parë, në tetor. Në takimet me moshën e tretë të nisur prej ditësh në të gjitha qarqet e vendit, kryeministri ka deklaruar se qeveria po punon për ndërtimin e një skeme të tillë që të përfshijë edhe pensionistët e çdo përqindjeje rritjeje të ekonomisë, përtej projeksionit të qeverisë.

BONUSI I DYTE

Për bonusin e fundvitit, Rama përsëriti se do të jetë më i lartë dhe jo “një gjel” sa jepte qeveria e djathtë. “Çdo qindarkë që shtohet është sakrificë, nuk ka një thes këtu apo një shpellë diku me flori që është e mbyllur e ta hapim, e ta derdhim. Sepse çdo pension që rritet, rritet përgjithmonë, kostoja është e përhershme në buxhet. Nga indeksimi prej 4.1%, kostoja e shtuar në buxhet llogaritet 100 milionë lekë, që do të paguhet çdo vit”, – tha Rama. Sipas tij, sot nuk mjafton as bonusi 50 euro i shpërndarë çdo fundvit për secilin pensionist. “Në fund të vitit ju keni marrë çdo vit bonusin. Ju kujtohet një ‘i gjelit’ që është duke kënduar si ‘gjysmagjel’? Ju jepte ‘gjysmagjel’. Ne e bëmë bonus 50 euro për secilin nga pensionistët. Kjo nuk mjafton më, është e qartë për ne. Nuk mund t’ju themi se do të merrni 50 euro bonus. Do të rrisim bonusin e fundvitit dhe do të jepet çdo vit”, – tha ai.

Kryeministri shpjegoi se nuk mund të paguhen pensionet nga taksat, pasi rregullat përcaktojnë që taksat të përdoren për investime dhe shërbime.

“Sigurimet shoqërore janë të pensionistëve, taksat janë për të bërë investime dhe shërbime ndaj qytetarëve, shkolla, spitale, rrugë, shërbimet e shtetit, për të mbajtur në këmbë trupat që shërbejnë për të gjithë”, – u shpreh Rama. Por, vuri në dukje ai, kur ndodh që kontributet shoqërore janë më pak sesa duhet, atëherë i marrim nga taksat.

“Ia marrim të ardhmes për të garantuar të tashmen e pensionistëve. 500 milionë lekë është çdo vit gropa që duhet të mbushim për pensionet nga mospagimi i detyrimeve të sigurimeve shoqërore”.

Më tej, Rama tha se plani i qeverisë për rritjen e pensioneve ka në fokus luftën ndaj informalitetit në deklarimin e pagave. Përveç kësaj, theksoi ai, qeveria do të shtojë edhe pjesën e saj nga buxheti.

“Ka akoma shumë rezerva aty, edhe pse kemi bërë shumë punë. Ne mendomë se kjo e detyrimeve që burojnë nga ligji për sigurimet shoqërore për pensionet është si fatura e energjisë dikur që duhet paguar. Çdo biznes që shmang deklarimin real të pagës për të mos paguar sigurime shoqërore dhe shëndetësore, ose për t’i paguar në shumën minimale, vjedh një pensionist. Ato mblidhen sot dhe kalojnë te pensioni nesër”, – tha Kryeministri Rama. Ai tha se sot paga reale në Shqipëri është shumë më e lartë se ajo që deklarohet.

“Sot punëmarrësit kryejnë pagesën e pagave në dy forma, një pjesë përmes bankave dhe një pjesë në dorë. Ky që i merr bën dy gabime: merr pjesë në vjedhjen e një pensionisti, e dyta, godet veten, sepse kur del në pension, i del pensioni i vogël”, – u shpreh ai.

Kryeministri po ashtu i drejtoi apel edhe biznesit të vogël të deklarojë pagat reale dhe të paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

“Nuk ka asnjë vend në Ballkan apo më gjerë, në Europë, që biznesi i vogël të ketë zero taksë. Asnjë lek nuk i merr shteti biznesit të vogël për fitimin apo për TVSH-në. I kërkojmë të paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Të mos paguash për pensionin tënd nesër është e paimagjinueshme”, – tha ai.

INDEKSIMI I DYTE

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se do të ketë një tjetër indeksim për pensionistët prillin e vitit që vjen, si dhe se bonusi i këtij viti do të jetë më i lartë se vitet e shkuara.

Në takimin me pensionistët e qarkut të Durrësit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, ministri Gonxhja tha se kostoja e politikave të qeverisë në fushën e pensioneve për vitin 2025, llogariten 770 milionë euro në buxhet. Ai e quajti një ndër sfidat më madhore rritjen e pensioneve, “në kushtet kur – vuri në dukje Gonxhja – ka ardhur koha e trajtimit të të gjitha pasojave të tranzicionit të më shumë se 3 dekadave. Sfida duhet të trajtojë të gjitha pasojat nga keqqeverisja e viteve të tranzicionit, atë që kanë sjellë politikat dritëshkurtra të shumë viteve para se PS të marrë drejtimin në 2013. Megjithëse duket si një retorikë, duhet të punojmë sot për të metabolizuar një nga situatat më të vështira. Ka pasur një hedhje masive njerëzish në rrugë, mbyllje aktivitetesh të shumë ndërmarrjeve, kooperativave, emigracion të egër, papunësi të lartë. Të gjitha këto fenomene të tranzicionit të vështirë, kur ishim në prag lufte civile, piramidat, situata të rënda ekonomike japin efektet sot. Këto ishin ndikuese direkte në ato vite edhe për politikat e qeverisë së atyre viteve, që ndërtuan një skemë-kafaz të pensioneve, duke u vënë tavan deri në 24 mijë lekë, pavarësisht sa kishte kontribuar secili person”, – tha ministri.

Sipas tij, këto “kurthe” bënë që qytetarët të merrnin pensione të ulëta. Ministri foli dhe për reformën në fushën e pensioneve të 2014-ës, përmes së cilës – tha ai – u bën rritje e ndjeshme e pensioneve, mesatarisht 19 mijë lekë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura