Të gjithë pensionistët kryefamiljarë do të kenë edhe dy muaj shtesë afat për të plotësuar formularin e kompensimit të dritave.
Bëhet fjalë për shtesën prej 648 lekësh/muaj, që përfitojnë të gjithë kryefamiljarët pa të ardhura të tjera në familje. Burime zyrtare të ISSH theksojnë për gazetën se shtyrja e afatit për plotësimin e formularit bëhet për shkak të mbingarkesës në zyrat e ISSH në Tiranë dhe rrethe.
Numri i lartë i pensionistëve dhe nxitimi për të plotësuar sa më parë dokumentacionin ka sjellë radhë të mëdha. Për këtë arsye, drejtuesit e ISSH, në konsultim edhe me ministrin e Mirëqenies Sociale, kanë vendosur të shtyjnë me dy muaj afatin e dorëzimit të dokumenteve dhe plotësimit të formularit.
Nga ana tjetër, ISSH thekson se pas këtij afati, të gjithë pensionistëve po u lihet një kohë e mjaftueshme për plotësimin e dokumenteve të kompensimit. Kjo për të shmangur nxitimin dhe radhët e panevojshme të aplikimit.
AFATI I RI
Në udhëzimin e ISSh për kompensimin 648 lekë në muaj, përcaktohej se të gjithë pensionistët kryefamiljarë kishin afat deri më 27 prill për të dorëzuar dokumentet. “Rideklarimi për efekt të përfitimit të kompensimit sipas VKM nr.8/2015 dhe vlerësimi i kushteve për vazhdimin e kompensimit do të bëhet brenda 3 muajsh nga fillimi i pagesave, duke bërë edhe sistemimin e efekteve financiare në rast të përfitimeve të padrejta.
Përfituesit e rinj kualifikohen për përfitim vetëm pas deklarimit dhe dorëzimit të dokumenteve të përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu. Në këto raste, e drejta e përfitimit të kompensimit fillon nga data 01.02.2015, por me kushtin që deklarimi të jetë bërë brenda datës 27.04.2015”, theksohet në udhëzimin e ISSH. Është pikërisht pika e fundit e këtij udhëzimi që ndryshon. Me afatin e ri, kjo datë zhvendoset deri më 27 qershor, pra edhe dy muaj të tjerë.
KUSH PËRFITON
Në udhëzim përcaktohen edhe kushtet e përfitimit të kompensimit 648 lekë. Përfitues janë të gjithë pensionistët kryefamiljarë, të cilët nuk kanë të ardhura të tjera në familje. Libreza e dritave duhet të jetë në emër të pensionistit që aplikon për kompensim. Ai duhet të vërtetojë që nuk ka të ardhura të tjera, pra nuk ka në certifikatën familjare asnjë pjesëtar të familjes në punë.
Në rast se janë dy pensionistë, përfitimin e merr vetëm njëri prej tyre, pra kryefamiljari. ISSH ka parashikuar që të gjithë ata pensionistë, që përfitonin nga vendimet e mëparshme të kompensimit, të vazhdojnë ta marrin edhe kompensimin e ri, edhe pse nuk kanë plotësuar formularin. Por këta, që llogariten në rreth 81 mijë, duhet që brenda datës së re 27 qershor të plotësojnë dokumentet. Pra, të vërtetojnë që kanë sërish të njëjtat kushte, të kryefamiljarit, pa të ardhura të tjera në familje.
UDHËZIMI PËR PENSIONISTËT
KRYEFAMILJARË QË PËRFITOJNË PENSION INVALIDITETI DHE PENSION PLEQËRIE
1.Lista emërore e pensionistëve kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie ose pension invaliditeti, sipas pikave b dhe c të vendimit të sipërshënuar, që përfitojnë kompensimin e çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 Kwh, përcaktohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe strukturat rajonale në varësi të tij, bazuar në deklaratën personale të përfituesit sipas modelit bashkëlidhur. Së bashku me deklaratën (formulari që po boton gazeta), kryefamiljari pensionist/invalid duhet të paraqesë pranë agjencive lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit: Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; Certifikatën familjare për invalidët; Për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë; Fotokopjen e librezës së energjisë elektrike, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara;
2. Kompensimi për pensionistët/invalidët realizohet nga qendra e pagesës së pensioneve sipas gjenerimeve në portalin informatik të pagesave të pensioneve ose mbi bazën e urdhërpagesës së listuar, e cila përgatitet nga strukturat rajonale të ISSH. Dokumentimi i pagesës faktike të kompensimit bëhet një listëpagesë e veçantë, e cila nënshkruhet nga përfituesi në emër të tij dhe nga qendra paguese/Posta Shqiptare sh.a.
3. Kompensimi i diferencës së çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 Kwh fillon nga data 01.02.2015 dhe i përgjigjet energjisë elektrike të shpenzuar nga data 01.01.2015. Me qëllim që gjenerimi dhe pagesa e kompensimeve në favor të përfituesve të kryhet pa krijuar shqetësime, fillimisht nga ISSH si dokumente që përcaktojnë të drejtën e përfitimit, janë të vlefshme ato dokumente, të cilat shërbejnë për dhënien e kompensimit sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.565, datë 09.08.2006 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”.
Rideklarimi për efekt të përfitimit të kompensimit sipas VKM nr.8/ 2015 dhe vlerësimi i kushteve për vazhdimin e kompensimit do të bëhet brenda 3 muajsh nga fillimi i pagesave, duke bërë edhe sistemimin e efekteve financiare në rast të përfitimeve të padrejta. Përfituesit e rinj kualifikohen për përfitim vetëm pas deklarimit dhe dorëzimit të dokumenteve të përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu. Në këto raste, e drejta e përfitimit të kompensimit fillon nga data 01.02.2015, por me kushtin që deklarimi të jetë bërë brenda datës 27.04.2015 (kjo datë ndryshon duke u bërë 27.06.2015).
Në raste të tjera, e drejta e kompensimit do të fillojë nga muaji që bëhet deklarimi dhe dorëzohen dokumentet.
Gazeta boton sërish formularin që duhet plotësuar në pikat e ISSh, si dhe udhëzimin me dokumentet që u duhen të gjitha kategorive të pensionistëve.
Nertila Maho
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al