Ish-kryeministri Sali Berisha, është shprehur se qeveria shqiptare kurrë nuk mund t’i shesë me të njëjtin çmim energjinë elektrike atij që merr 180 euro me atij që merr 7 mijë euro.
Ai theksoi se tezat për të ulur çmimin e energjisë janë sipas tij për të pasuruar Belinda Ballukun, ndërsa shtoi se zv.kryeministrja merr 16% të buxhetit për të vjedhur.
“16% të buxhetit e merr Lubi Balluku sepse i ndanë me 14 lote, kontrata, 13 km rrugë, për të vjedhur 14 herë, kurse pensionistëve u lihen 16 milion euro për indeksim dhe bonus për blerjen e votës në kundërshtim flagrant me ligjin dhe Kushtetutën”, tha Berisha.
Më tej, Berisha tha se PD, po punon me ekspertët për një skemë të re të shpërndarjes së të ardhurave, në të cilën shteti do marrë përsipër sasinë jetike të energjisë për një familje, që nuk ka dhe ku do përfshihen edhe ata që janë me rrogë minimale.
Berisha: Nuk mundet shteti kurrë t’i shesë me të njëjtin çmim energjinë elektrike atij që merr 180 euro me atij që merr 7 mijë si Dumani me kompani. Ky disproporcion përbën një krim. Ky diskriminim përbën një krim. Dumanët marrin sa 70 pensionistë dhe pensionisti paguan energjinë elektrike me çmimin që paguan Dumani. E njëjta gjë është me ujin. E njëjta gjë është me shërbimin shëndetësor.
E njëjta gjë është me transportin. E njëjta gjë është me të gjitha shërbimet publike. Një skemë e re e shpërndarjes së të ardhurave, në të cilën shteti do marrë përsipër sasinë jetike të energjisë për një familje, që nuk ka, dhe ku do përfshihen edhe ata që janë me rrogë minimale.
A ka gjë më të padrejtë se sot të dalësh me tezën se do ulim çmimin e energjisë, që Balluku të bëhet edhe më e pasur, që Edi Rama të bëhet edhe më pasur, që Dumani të paguajë më pak dhe pensionistët të paguajnë njëlloj si ata? A ka gjë më të padrejtë që ai që rrit tre fëmijë, të trajtohet njëlloj si ai që rrit një fëmijë? Këto pabarazi çnjerëzore do marrin fund.
Ndaj dhe një grup ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë do përgatisin për PD-në skemën e re të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurive publike. Kjo është skemë emergjence.
Kur dëgjon burra dhe gra të moshuar që kanë shkrirë jetën e tyre në punë dhe tani tregojnë se me pension nuk mbyllin dot jo muajin, po as 15 ditë, nuk mbyllin dot më shumë se dy vakte në ditë, kjo nuk është kurrë Shqipëria e tyre, kjo është Shqipëria që i ndëshkon ata…
16% të buxhetit e merr Lubi Balluku sepse i ndanë me 14 lote, kontrata, 13 km rrugë, për të vjedhur 14 herë, kurse pensionistëve u lihen 16 milion euro për indeksim dhe bonus për blerjen e votës në kundërshtim flagrant me ligjin dhe Kushtetutën.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al