Për herë të parë një Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe, Manastirliu: Bashkë për të mbrojtur dhe forcuar trashëgiminë tonë gjuhësore

Nov 21, 2024 | 10:55
SHPËRNDAJE

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastriliu ka folur në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe, ku do të diskutohet për sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne.

800ae2d2-762c-43f6-a9ec-28478e4894c9

Ministrja Manastirliu u ndal te rëndësia e gjuhës shqipe si shtylla kryesore e identitetit kombëtar dhe e historisë sonë.

“Për ne, shqiptarët, gjuha përfaqëson shpirtin e kombit dhe rrugëtimin historik të qytetërimit tonë. Gjithçka që kemi jetuar si popull, sot mund ta shohim të dëshmuar përmes gjuhës. Ky Kuvend na bën bashkë për të mbrojtur, për të forcuar dhe për t’u krenuar me trashëgiminë tonë gjuhësore. Shpallja e datës 22 nëntor, Dita e Kongresit të Manastirit, e Alfabetit tonë, si festë kombëtare, si dhe viti 2024, Vit i Gjuhës Shqipe, pasqyron qartazi rëndësinë që i kemi dhënë çështjes së ruajtjes, promovimit dhe zhvillimit të gjuhës sonë kombëtare. Zhvillimet e vrullshme teknologjike, lëvizjet masive të popujve, përballja me kultura të tjera kërkojnë një përgatitje të mirë dhe të thelluar sidomos në gjuhë”, tha ministrja e Arsimit.

Manastirliu tha se në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe Ministria  e Arsimit është angazhuar për modernizimin e sistemit arsimor, duke nisur me përditësimin e Kornizës Kurrikulare.

“Gjatë Vitit të Gjuhës Shqipe nisëm procesin e Modernizimit të Kornizës Kurrikulare dhe që pasohet nga ndryshimet e kurrikulave bërthamë, përditësimin e programeve lëndore, një dokument që drejton vëmendjen drejt sfidave të mësimdhënies, përafron strukturën e programeve me kompetencat e reja që nxënësit duhet të përvetësojnë. Kemi nisur punën për kurrikulat e reja bërthame, programet e reja lëndore, duke filluar nga Gjuha Shqipe dhe Letërsia, për të hartuar e punuar tekste të përditësuara, për të siguruar mjete digjitale dhe burime multimediale për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës sonë”, deklaroi Manastirliu.

Fjala e plotë:

Është kënaqësi të jemi sot së bashku, pak ditë përpara festave të Nëntorit, në Kuvendin për Gjuhën Shqipe, që organizojmë në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Shkencave, IAL-të, Institutet dhe katedrat gjuhësore, dhe partnerë zhvillimorë, me studiues, akademikë, profesorë, mësues, kërkues të gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në këtë Kuvend dy ditor, do të japin kontribut rreth 200 të ftuar, ndër personalitetet më në zë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, që do të diskutohen politikat për ruajtjen e gjuhës shqipe, sfidat e gjuhës shqipe në shekullin e 21, për komunikimin dhe krijimtarinë letrare shqipe, për gjuhën shqipe dhe ruajtjen në diasporë, gjuha dhe evolucioni i saj në studime dhe formimin e identitetit kombëtar dhe të ardhmen e gjuhës në epokën e teknologjisë dhe do të kemi në fund të tij Rekomandimet e cdo paneli për t’i përkthyer në masa konkrete.

Me të drejtë, për ne, shqiptarët, gjuha përfaqëson shpirtin e kombit dhe rrugëtimin historik të qytetërimit tonë. Gjithçka që kemi jetuar si popull, sot mund ta shohim të dëshmuar përmes gjuhës.

Ky Kuvend na bën bashkë për të mbrojtur, për të forcuar dhe për t’u krenuar me trashëgiminë tonë gjuhësore.

Caktimi i datës 22 nëntor, Dita e Kongresit të Manastirit, e Alfabetit tonë, si festë kombëtare, si dhe caktimi i viti 2024, Vit i Gjuhës Shqipe, pasqyron qartazi rëndësinë që i kemi dhënë çështjes së ruajtjes, promovimit dhe zhvillimit të gjuhës sonë kombëtare.

Zhvillimet e vrullshme teknologjike, lëvizjet e popullatës, përballja me kultura të tjera kërkojnë një përgatitje të mirë dhe të thelluar sidomos në gjuhë.

Është dhe kjo një nga arsyet pse, Ministria e Arsimit dhe Sportit, përgjatë këtij viti në Vitin e Gjuhës Shqipe vendosi të ndërmerrte këtë Agjendë pune, që në fakt e kalon afatin një vjeçar.

Përgjatë këtij viti organizuam, Konkursin e Madh të Gjuhës Shqipe për klasat e IX-ta edicioni II, me pjesëmarrjen e mbi 18 mijë nxënësve, dhe angazhimin e qindra mësuesve të gjuhës shqipe e letërsisë.

Së bashku me Ministren e Arsimit të Kosovës Nagavci, të cilën e falenderoj për prezencën, miratuam Tekstin e Përbashkët të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare për nivelin e dytë dhe po punojmë që brenda vitit finalizojmë nivelin e tretë, duke bërë të mundur që vogëlushët në diasporë të kenë të gjithë serinë e mësimeve të unifikuar duke filluar nga viti i ardhshëm, njësoj si abetarja e përbashkët që përdorin. Organizuam Seminarin e Mësuesve në Diasporë me pjesëmarrjen e 200 mësuesve të shqipes nga më shumë se 20 vende.

Për herë të parë organizojmë së bashku Shqipëri – Kosovë Olimpiadën e parë për Gjuhën Shqipe për shkollat e ciklit të mesëm të lartë ku synimi do të jetë pjesëmarrja e sa më shumë të rinjve në këtë festival të gjuhës shqipe.

Ne jemi të vetëdijshëm se sfidat e reja të ndryshimeve të mëdha që përjeton shoqëria jonë, lidhen drejtpërdrejt me sfida të reja me të cilat përballet gjuha. Vetëdija jonë kombëtare për vlerën e gjuhës duhet të jetë e pandarë nga puna kërkimore dhe projektet edukative që rritin breza të aftë me mendim të kthjellët e kompetencë gjuhësore sa më të lartë.

Gjatë Vitit të Gjuhës Shqipe nisëm procesin e Modernizimit të Kornizës Kurrikulare dhe që pasohet nga ndryshimet e kurrikulave bërthamë, përditësimin e programeve lëndore, një dokument që drejton vëmendjen drejt sfidave të mësimdhënies, përafron strukturën e programeve me kompetencat e reja që nxënësit duhet të përvetësojnë.

Kemi nisur punën për kurrikulat e reja bërthame, programet e reja lëndore, duke filluar nga Gjuha Shqipe dhe Letërsia, për të hartuar e punuar tekste të përditësuara, për të siguruar mjete digjitale dhe burime multimediale për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës sonë.

Ky vit për Gjuhën Shqipe ishte dhe për të theksuar se çdo përpjekje për të mbrojtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe duhet të fillojë në shkolla.

Mësuesi është figura qendrore dhe mbartësi kryesor i këtij misioni kombëtar. Për këtë arsye, kemi nevojë për mësues të kualifikuar që njohin zhvillimet bashkëkohore në didaktikë dhe metodologji dhe mbi të gjitha i përcjellin njohuritë me pasionin, zell dhe përkushtimin dhe nëse detyra e parë është e arsimit të lartë në përgatitjen e mësuesve, pjesa tjerët lidhet me punën e MAS.

Ndaj, përmes Programit Kombëtar të Trajnimit të nisur këtë vit kemi përfunduar me sukses fazën e parë të trajnimeve për rreth 2000 mësuesit e gjuhës dhe të letërsisë në të gjithë Shqipërinë për të siguruar një mësimdhënie sa më cilësore, me zhvillim profesional të specializuar që përqendrohet te metodologjitë bashkëkohore dhe elementet kulturore të gjuhës.

Përhapja dhe ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është gjithashtu një prioritet që kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe strategji efektive. Ky vit shënon disa arritje në këtë drejtim:

Për herë të parë qeveria shqiptare do të financojë, Programin e parë “Mësues për Greqinë” për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë, duke shpërblyer financiarisht me dhjetra mësues që mësojnë shqip shqiptarve në diasporë.

Kjo nismë e kthyer tashmë në një vendim të qeverisë, do të përbëjë dhe bazën për mundësinë e shtrirjes edhe në vende të tjera ku mësimi i shqipes vijon në mënyrë vullnetare, me një përkushtim për t’u admiruar nga shoqatat atdhetare në mërgatë.

Po punojmë dhe për nxitjen e start-up për ndërtimin e platformat digjitale për të promovuar përdorimin e gjuhës amtare sidomos në lidhje me fëmijët dhe të rinjtë në diasporë.

Po kështu, një tjetër arritje në këtë vit, që do të prezantohet ditën e nesërme, pikërisht në Ditën e Kongresit të Manastirit;  nga Akademia e Shkencave dhe gjuhëtarët e studiuesit e saj do të prezantohet puna e bërë për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, një burim i vlefshëm për studiuesit, për qytetarët shqiptarë dhe të gjithë të huajt që kërkojnë ta njohin më thellësisht kulturën dhe historinë tonë.

Për të ruajtur dhe çuar përpara trashëgiminë tonë gjuhësore, duhet të thellojmë kërkimet tona për gjuhën shqipe. Në thirrjet për financim nga AKKSHI-t të këtij viti po mbështesim departamente gjuhësore në universitete të ndryshme dhe institute kërkimore, për studimin e varianteve vernakulare të shqipes apo krijimin e korpuseve të shqipes.

Gjuha jonë amtare duhet të ketë një zhvillim të qëndrueshëm përtej klasës dhe shkollës. Gjuha duhet të jetë e qartë dhe dinamike në institucionet publike dhe komunikimet zyrtare.

Për këtë, kemi mbështetur këtë vit projektin për hartimin e një manuali që do t’i vijë në ndihmë administratës publike dhe rezultatet e tij do të konkretizohen së shpejti.

Ndërsa ruajmë traditën, duhet të përqafojmë edhe inovacionin, në mënyrë që gjuha jonë amtare jo vetëm të ruhet, por edhe të përtërihet për epokën digjitale.

Përpunimi automatik i gjuhës është një imperativ, sidomos në kuadër të procesit të integrimit europian. Ndërkohë, ka një projekt të qeverisë për përafrimin e legjislacionit të BE-së nëpërmjet inteligjencës artificiale. Por, për të realizuar më plotësisht këtë, kemi nevojë edhe për punën tuaj kërkimore, për krijimin e bazës së të dhënave të terminologjisë së fushës.

Katedrat dhe qendrat albanologjike jashtë vendit janë po ashtu një pasuri e vyer për kërkimin shkencor në vend. Duke e njohur rëndësinë e tyre, qeveria shqiptare mbështet financiarisht prej vitesh lektoratin e shqipes në Universitetin e Mynihut si dhe bashkëpunon në katedrat në Itali, apo dhe studiues në Francë, Bullgari, USA etj.

Në përfundim, duhet të biem dakord se përpjekjet tona për të mbrojtur dhe promovuar gjuhën amtare nuk janë thjesht e vetëm detyra administrative; ato janë akte krenarie kombëtare, kulturore dhe trashëgimie.

Gjuha është një dhuratë nga të parët dhe një premtim për pasardhësit tanë.

Jemi mbledhur pra sot në këtë kuvend për “thesarin më të çmuar” që kemi si shqiptarë, siç e ka përcaktuar Çabeji i madh, për Gjuhën Shqipe, atë që na ka bërë Komb ende pa pasur Kufij, atë që na ka bërë Qytetarë evropianë ende pa pasur Shtet, atë që na ka drejtuar drejt Perëndimit që me përzgjedhjen e shkronjave latine të Alfabetit, ende pa pasur një Politikë orientimi strategjik, për atë që ka arritur realisht Bashkimin e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, troje e kalabrisë dhe mërgatë, edhe pse gjeografikisht jetojmë në shtete të ndryshme e të shpërndarë në çdo cep të botës.

Dhe me këtë perifrazim të prof. Çabej më lejoni t’ju uroj punime të mbara këtij Kuvendi!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura