Për një histori të “barokes” së shpirtit shqiptar! Çfarë i lidh Skënderbeun, Pjetër Bogdanin dhe Fishtën

Jul 29, 2024 | 12:13
SHPËRNDAJE

ndricim kullaNDRIÇIM KULLA

Në mes të orvatjeve të mëdha që të gjithë autorët e hershëm, në një trajektore gjithmonë cilësirritëse, patën në arritjen e një koine-je gjuhe mbidialektore në veprat e tyre, një aspekt i veçantë i historisë së tmerrshme shqiptare të viteve ‘600, të dalluar nga luftërat dhe fe-lëshimi i dhunshëm islamik, i përputhur edhe me një dëshirë të kahershme shqiptare për të mrekulluar dhe madhëruar veprat dhe bëmat e veta, poqi kushtet që në disa autorë të zhvillojë një histori sado të shkurtër, të shfaqjes së karakteristikave të shpirtit barok, aq të zhvilluar në Europën e asaj kohe.

Në librin “Dottrina Christiana”, Romë, botim i Bartolemeo Zannetit, në 1618, është botuar edhe një gravurë që paraqet Pjetër Budin të gjunjëzuar, dhe para tij është një lirë antike, një tryezë e vogël me një libër të hapur, mbi pjesën e sipërme të gravurës, është një engjëll që mban në dorën e djathtë një palmë nderimi dhe amshimi. Gjithashtu, në sfond të gravurës, duket edhe një kullë e rrumbullakët e dyfishtë, një ndërtesë katërkëndëshe dhe një akuadukt. Janë elemente të peizazhit urban të Romës. Ndërtesa është e Propaganda Fidaes, Kulla e rrumbullakët e dyfishtë është e ashtuquajtura Vila Adriana, akuadukti është ai që lidhet me shkëlqimin e dikurshëm të Romës. Gravura është e zbukuruar anash, me figura erosesh dhe figura të tjera mitike si edhe motive floreale. Kjo gravurë është tipike e stilit barok dhe ka një rëndësi të posaçme për historinë e arteve figurative, sepse pasqyron portretin real për herë të parë në histori, të një poeti shqiptar. Mund ta ketë bërë një artist shqiptar ose italian, i lidhur me Budin. Kjo gravurë e 1618 është shumë më përpara gravurës mjeshtërore të Pjetër Bogdanit, që daton në 1685.

Janë elementët e parë që mund të na shërbejnë si parapërgatitje e pohimit tonë. 4 shekuj më parë, ndodh edhe një skenë tmerri, si në filmat horror, një atmosferë kjo aq e ngjashme me tmerrin dhe misterin që karakterizon stilin barok: mbytja në Drin, një mbytje e pakuptimtë dhe krejt e dyshimtë, e një heroi të veprimit dhe mendimit kombëtar, Pjetër Budit. Kapërcehet kështu rasti alibik i aksidentit, po të kemi parasysh hetimet e pasvdekjes të Vatikanit si dhe faktin ngulmues dhe gati kryengritës të Budit, i cili fare pak kohë para vdekjes kishte bërë Kuvendin e Tri Dioqezave (Shkodrës, Lezhës, Zadrimës), për mospranimin e klerikëve që nuk ishin etnikisht shqiptarë, pikërisht në trojet shqiptare. “Pra, synohej një lloj autoqefalie e aspektit etnik, ndonëse jo e kuptuar si shkëputje e karakterit juridik administrativ, por gjithsesi një përpjekje e parë në histori për një kishë shqiptare brenda kishës ndërkombëtare. Me këtë përmasë, Budi shfaqet si një nga vullnetet më të mëdha, një figurë e fuqishme e kulturës kombëtare shqiptare, që përjeton një shkëlqim të ri përtej vdekjes. Në këtë kuptim, vargëzimi i humanistëve shqiptarë të cilit ai i bëhet nisje, nuk mund të ishte ndryshe veçse një vargëzim ‘heroik’, që ndërlidh gjendjen e mjerueshme te shpirtit dhe psikikës shqiptare, në një kohë kur kultura e kombit dhe gjuha e tij lypnin vetëm qëndresë, të shndërruara kështu në një kundër-kulturë ndaj kulturës osmane.

“Në terrin e pushtimit osman, në mes të një errësire luçiferrike, kjo mendje e panënshtruar dhe pasionante, nuk tutet të bëjë projekte ambicioze ndërballkanike, për çlirimin e trojeve shqiptare, ku veprimin e organizuar luftarak ndaj pushtuesve në Shqipëri e sheh të ndërlidhur, ose bazë të ardhmërisë, sepse Shqipëria qe “tiranneggiate piu che mai” (“e shtypur ku nuk vete më”), ndonëse bukuria e mëmëdheut të Budit është e do të jetë “Come un Paradiso terreste” (“Si një Parajsë tokësore”), figurë kjo metaforike, e lirë për fantazinë e një teologu, që nuk i lejohet të ngatërrojë vendndodhjen e Parajsës”. Për Budin, feja katolike, në përgjithësi Krishtërimi krijonte një modus vivendi për çlirimin e Shqipërisë në atë masë që edhe shqiptarët e tjerë jokatolikë, madje të islamizuar (Budi përmend bile disa njerëz të afërm të familjes së tij, që ishin islamizuar), të dëshironin dhe të vepronin për çlirimin kombëtar, duke u vënë kështu konkretisht çështja kombëtare mbi fetë.

Por ajo për të cilën ai do të mbetet si i pari i madh i gjuhës shqipe, e në ketë kuptim një Adam, është fillesa e barokut kishtar shqiptar, pjesë origjinale e barokut fetar europian, tipik për shek.. XVII. Nga Budi ruajmë 3139 vargje, që përbëjnë në vetvete një krijimtari poetike, që stilistët janë munduar ta klasifikojnë midis zhanrit të eposit dhe zhanrit të poemës. Me të vërtetë kjo poetikë e Budit nuk është një epos, ashtu siç është më shumë se sa nocioni i poemë, prandaj është më e drejtë të klasifikohet me zhanrin e stilit barok. Në fakt, nuk është çështje zhanri apo saktësimi stilistik se sa është një çështje origjinale e krijimit të letërsisë shqipe në kuadrin e kulturës së barokut në krejt shek.XVII. Kultura e barokut europian lidhet me kundër-reformën dhe përtëritjen e kishës, por jo pa ndikime iluministe të veçanta.

Kjo letërsi nuk i vë në pah përjetimet intime të individit, por në frymëzimin e formën e saj e bën jetën e tij një festë te dyfishtë, ku njerëzorja njesohet me hyjnoren, ku krijimi sublim i të vërtetave themelore i nënshtrohet racionalizmit të rregullit hyjnor, që në pikëpamjen hierarkike i ngjason piramidës, në majën e së cilës qëndron Zoti. Kjo e bën kulturën baroke me theks patetik, të bazuar në kundërvënien ndërmjet përjetësisë së përtej-varrit dhe kalueshmërise njerëzore, ndërmjet njeriut dhe mosekzistencës së tij, mes të mirës dhe të keqes, sipas një teksti rrëfimor shumëplanësh me pamje të qarta dhe kuptime të pafundme. Ndërsa baroku europian, psh., ai gjerman, u mbështet në vargun aleksandrin madje edhe në arketipin virgjilian, poezia budiane e barokut shqiptar u mbështet në vargun 8 rrokësh të poezisë mesjetare shqiptare, duke kultivuar individualisht një traditë paraardhëse shpirtërore dhe etnike popullore.

Kuptohet, që krijimtaria e Budit, por edhe e Bogdanit kanë lindur në përplasjen kolosale, të përflakur dhe të egër midis reformacionit dhe kundër-reformacionit në Europë. Midis tyre realiteti shqiptar kërkon të ringjallet intelektualisht, ndonëse në një popull të paarsimuar dhe në një mjerim këlthitës. Në këto rrethana paradoksale të historisë, të kundërthënieve nga me të habitshmet, çuditërisht u krijua dhe shpërtheu mendimi i humanizmit shqiptar, që është krejt origjinal në krahasim me të tjerët e këtij lloji, një humanizëm i shkallës së dytë, nëse konsiderojmë se i shkallës së parë është ai i humanizmit latino-arbëror të viteve ‘400 dhe ‘500. Po përse vallë mund të shprehemi kështu? Mendimi i Budit, në vetvete, nuk është diçka e vetme, por e shumë anshme, është rrëfim poetik, është kronologji biblike, kishë, universitet, legjendë, me një fjalë jeta kulturore e sintetizuar. Është tepër interesant të analizosh rrëfimin budian, që shtjellon temat biblike të njohura. Si dikur, Homeri i lutej Muzës që ta ndihmonte në artin e tij, Budi i lutet Shën Mërisë, që ta ndihmojë të përfundojë veprën. Për Budin “virtytet alegorikisht janë si “Zana” dhe “Ora”, kurse veset janë “sakatosjë”, “përbindësha të neveritshëm”. Lufta midis tyre është titanike. Budi është mendimtar i vizionit të skajshëm apokaliptik, sepse ai beson në ndëshkimin e së keqes deri në fund, sipas strukturës së mendimit dantesk”. Madje, Dantja është një model mendor për Budin, i cili jo rastësisht, siç vë në dukje për herë të parë studiuesi Zeqirja Neziri, zotëron një status të trefishtë të rrëfimtarit, çka të kujton strukturën trefishe formale të kryeveprës danteske. Budi është gjithashtu autori i parë, që fut fiksionin si një komponent legjitim të zhanrit, mbi rrëfimin e paracaktuar biblik.

Për herë të parë do të qe Zef Skiroi, i cili duke analizuar poezinë e Budit dhe duke e përngjasuar atë me “Parajsën e humbur” të Miltonit, do të shprehte mendimin se ashtu si Miltoni stigmatizon figurën e urryer të Stjuarteve, ashtu dhe Budi urren dhe godet figurën e pushtuesve osmanë pa asnjë kompromis, duke kaluar nga teologjia në historinë konkrete. Të rrëqeth vajtimi i Shën Mërisë kur sheh Krishtin të vdekur, vajtim që mund të shkatërrojë ekuilibrin e botës, të rrëzojë malet dhe, që të kujton vajtimin popullor shqiptar të Ajkunës në eposin tonë të Veriut. “Vaji i Shën Mërisë në këngën X të Budit, mund të krahasohet me vjershën Vaji i Zonjës (Pianto della Madonna) të Jakopone Da Todi (1230-1306), poeti i famshëm italian para Dantes”, siç e ka përcaktuar studiuesi Neziri. Për Budin, mëkati është shkatërrimi i botës, kurse virtyti rindërtimi i botës. Midis tyre është ndërtuar tërë kozmologjia në rrafshin filozofik, sipas një koncepti neoplatonist të universit dhe vetëm në këto kushte tretet universalja me vetjaken.

Përzënia nga Parajsa e Adamit dhe Evës është një metaforë e Ferrit, kurse rebelimi ndaj së keqes dhe ndëshkimi ferror është një metaforë e Parajsës. Kështu mbyllet qarku dhe në këtë qark të mbyllur shndërrit fantazia dhe shpirti i Budit me një dritë të veçantë, për të cilën na vjen të kujtojmë vargun e famshëm të Lukrecit: “Vitae Lampada tradu” (“Ja kalojmë njëri tjetrit pishtarin e jetës”). Budi është jo vetëm Adami, njeriu i natyrës tokësore, por është edhe Krishti, që është Adami i natyrës hyjnore, që përjetoi në vetvete natyrën adamike tokësore. Duke qenë poeti i parë i një kalibri të madh në poezinë shqipe, Budi, duhet vlerësuar më shumë dhe rreth tij nuk mund të ketë boshllëk, as indiferencë të injorancës demoniake, që na torturon kaq shumë ne shqiptarët.

Ashtu si Torkuato Taso (1544 1595) te kryevepra “Jerusalemi i Cliruar”, që bën apologjinë dhe triumfin e krishterimit, ashtu edhe Budi, çlirimin e shqiptarëve nga pushtimi e konsideron triumf të krishterimit duke bërë një ngjizje origjinale të të dy këtyre koncepteve. Është meritë e Zef Skiroit, Çabejt, Henrik Lacajt, Zamputit, Domit, Shuteriqit, Smajlit etj., posaçërisht njohja e figurës së Budit. Çabej shënon se në poezinë 8- rrokëshe të Budit ka fragmente, që të kujtojnë poezi të Naim Frashërit, duke hamendësuar tezën, se Naimi ka shumë mundësi që ta ketë lexuar Budin. Kjo tezë e Çabeut, që është tezë e kontinuitetit, për fat të keq ka qëndruar e mbyllur dhe larg vëmendjes së studiuesve. Po referoj këtu vërtetimin gati të plotë të kësaj teze, sipas dëshmisë së vëllait të Naimit, Sami Frashërit, i cili duke folur për Bogdanin, flet shprehimisht për librat e Budit për “dy libra e vepra të tjera, që i ka përmbledhur dhe hartuar me një stil dhe gjuhe të ëmbël një ipeshkeve tjetër, që quhej Budi. Shkrimet në fjalë mund të quhen themeli i letërsisë shqipe”. Kuptohet që, atë që ka lexuar Samiu e ka lexuar edhe Naimi, sidomos në rastin e poetit të parë të gjuhës shqipe të përmasave të mëdha dhe përkimet me poezinë naimiane nuk mund të jenë më të pashpjegueshme.

Së fundi ka një tezë që letërsia e stilit barok nuk është e njëjtë me letërsinë e iluminizmit apo të humanizmit. Kjo tezë është ekstreme, sepse në të vërtetë baroku europian, por edhe ai shqiptar kanë në substancën e tyre humanizmin dhe iluminizmin e krishterë, që përtej veshjeve dhe sipërfaqjeve konvencionale nuk janë larg, përkundrazi simbolizojnë qartë, në kontekst, humanizmin dhe iluminizmin njerëzor. Pjetër Budi, në vetvete është i dyfishtë edhe në një kuptim fizik. Ai thotë publikisht se një pjesë e krijimeve të tij në shqip janë marrë nga një prift paraardhës i quajtur Pali i Hasit.

Kjo tregon një ndërgjegje të lartë, një shembull ndershmërie që nuk harron ta përmende këtë autor të dytë për fat të keq gati nuk dimë asgjë për të. Vetë Budi e përfaqëson Palin si një shkrirje, si një bashkëjetesë poetike e të gjallit me të vdekurin në një udhëtim të përbashkët mbi Pegasin e poezisë. Budi nuk e la të vdiste emrin e Palit, ashtu si ne nuk mund të lëmë të vdesë emrin e Budit. Budi nuk është thjesht një poet i barokut letrar në rrafsh kombëtar, por analiza krahasimtare na nxjerr në rrafshin europian, piketakimet tematike, por edhe strukturore të Budit me poetë të tjerë europiane janë të prekshme. Duke krijuar institucionin e poezisë së kultivuar, Budi i bëri Shqipërisë një nder kolosal, por Budi beri diçka edhe me tej: në kostelacionin e poezive të kultivuara të botës, Budi guxoi dhe futi me të drejtë qytetarie të barabartë dhe poezinë e kultivuar shqiptare. Kjo nuk është pak. Është më shumë nga ç’mund të mendohet në shikim të parë. Budin ne e përkujtojmë për ta ringjallur, sepse kështu mund të ringjallim vetveten tonë të sfilitur.

2.Njëherësh poet, filozof, shkencëtar e teolog, Bogdani vlerësohet si një stilist i rrallë, i cili arriti nivelin e lartë të përsosmërisë gjuhësore dhe artistike dhe se vlerat e larta filozofike (teologjike) dhe artistikoletrare të tij imponuan që vepra t’i botohet në qendrën më të njohur të Rilindjes Evropiane, në Padovë. Duke qenë e përkthyer edhe në italisht dhe pranuar që të shkruhet posi një fjalor në dy shtylla italisht e shqip, kjo vepër u prit mjaft mirë edhe te lexuesit italianë, ç’ka bëri që ajo të botohet edhe në dy botime të njëpasnjëshme (1691, 1702).

Në Palermo të Italisë, tek arbëreshët, shërbente si libër shkollor, e po ashtu ceket se edhe gramatika e parë e botuar në gjuhën shqipe qe mbështetur në alfabetin e Bogdanit, ngase ai ishte më i përsosur se i Budit dhe i Bardhit. Pra, përmes fjalorit dhe Gramatikës, që në një mënyrë u hartua mbi bazë të veprës së P. Bogdanit, u vunë themelet për mësimin e gjuhës shqipe. Botimit të parë të veprës i paraprijnë 23 parathënie dhe përkushtime të autorëve të ndryshëm në gjuhën shqipe, italiane dhe serbokroate, çka thuhet se ishte një dukuri e rrallë e kohës dhe paraqet përkrahjen nga personalitete të ndryshme të vlerës së madhe të veprës dhe respektin ndaj autorit.

Një tjetër aspekt i veçantë ka të bëjë me një antologji poetike shumëgjuhëshe të autorëve bashkëkohorë, që kanë njohur nga afër Bogdanin, e që i kushtojnë atij një nderim të përkorë këngë-diellëzues, intim dhe apologjik. Janë gjithsej 17 poezi përkushtimore në gjuhët latine, italisht, kroatisht dhe shqip. Nga poetët shqiptarë në këtë antologji janë Lukë Bogdani dhe Lukë Suma. Poezitë i kanë të rimuara mjeshtërisht, strofike, dhe reflektojnë tetërrokëshin popullor. Poezitë e tjera janë të mrekullueshme, sipas një stili, ku gërshetohet kultura humaniste e antikitetit, me një krishterim gjithashtu të humanizuar. Poezitë e vlerësojnë lart Pjetër Bogdanin. Kështu, në një poezi P.Likeardi bën një krahasim midis Gjergj Kastriotit dhe Pjetër Bogdanit, duke shkuar:

“Trimëria dhe mirësia e Gjergj Kastriotit, dhe e Pjetër Bogdanit gjithë botës i është njohur, Skënderbeu në luftë bëri vepra të mëdha, kurse Bogdani në fushën e dijes”.

Prej vlerave të shumta shkencore dhe artistiko-letrare të veprës së Bogdanit dallohet trajtimi dhe vendosja e drejtë e çështjeve etnopsikologjike dhe historike, pasuria e madhe gjuhësore në shtjellimin e lëndës në prozën shkencore, humanizmi i lartë në paraqitjen e realitetit të kohës, filozofia, intelekti i rrallë letrar etj.. Ai hapi shtigje dinjitoze kah vlerat evropiane, çka shihet në idenë për lëvizjen ballkanike, për liri kombëtare dhe shpirtërore. Në “Të primit përpara letrarit” Bogdani thotë: “Ku lulëzojnë shkencëtarët, letrarët dhe dija, lulëzon e mira”. “E duke qenë dheu i Arbrit në mesin e të parëve, nuk mund të qëndroj në hiri të Tinëzot, e as nuk mund të shelbohet pa pasur kush ta ndriçoi në dije e në fe, ngase feja fitohet nga të dëgjuarit”. Kurse parathënien “Lexuesit të nderuar”, ai e përfundon me këto fjalë: “Ta kesh me dije se unë shkrova për njerëz të padijshëm, pra për dobi të shenjtës fe, e jo për lavdin tim”.

Po nëse Bogdani shkruan, siç thotë dhe vetë “për dobi të shenjtës fe”, mendimtarët nuk duhet t’i dëgjojnë me vëmendje vetëm të rrahurat mjeshtërore të çekanit me germat e përdorura, shprehjet dhe presjet, pa e shikuar fare godinën të cilën ndërton ai, thuajse Bogdani shkruan për hir të muzikës që lëshon tingëllima e çekanit! Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj tribunit të popullit, i cili tenton të rinovojë godinën e vjetruar të krishterimit, e cila po i shembej çdo herë e më tepër para syve të tij të mjegulluar. I bindur se populli kishte nevojë për atë godinë, ai i përvishet punës për rinovimin e saj.

Ky ishte qëllimi parësor i tij, kurse mjetet e punës, germat dhe fjalët, presjet dhe pikat etj., i paraqiten vetëm si domosdoshmëri për kryerjen e punës, madje me moton: sa më të mira mjetet dhe veglat e punës, puna më e lehtë dhe më e efektshme. Shfaqet kështu qartë Bogdani patriot, qëllimi i të cilit, pra ishte ngritja e vetëdijes së popullit të tij të paarsimuar dhe të prapambetur prej kohësh për nevojën dhe arsyen e besimit në Tinëzot, pikëfillimin dhe përfundimin e çdo gjëje. Ai këtë popull, i cili sipas bindjes së tij kishte më së tepërmi nevojë, dëshiron ta edukojë sipas besimit fetar të krishterë, në mënyrë që edhe ai të fitojë dije dhe të fisnikërohet moralisht. Për t`i bërë këtë të mirë kombit, ai shkroi shqip, në të vetmen gjuhë të kuptueshme për shumicën dhe ç’është e vërteta, shkroi në këtë gjuhë më bukur se paraardhësit e tij, për çka gjithsesi duhet t’i jemi përgjithmonë mirënjohës.

Por, meqenëse ai nuk shkroi shqip vetëm sa për të shkruar, por shkroi me një qëllim të caktuar, për të bërë një kryevepër të dijes, në fillim i duhet bërë një analizë mënyrës së shtjellimit filozofik të qëllimit, gjegjësisht idesë së tij, dhe vetëm pastaj do të na bëhet më e qartë madhësia apo vogëlsia bogdaniane si filozof dhe teolog. “Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani dhe Gjergj Fishta, janë tri figura themeltare të kulturës dhe historisë shqiptare që nuk kanë varre. E këto figura, s’janë dosido figura. Ata, me veprën dhe veprimtarinë e tyre, u ngjajnë apostujve dhe misionarëve. Ndonëse jetuan në periudha të ndryshme kohore, i ndërlidh fati i tyre i pasvdekjes-mungesa e varreve. Dhe kështu përbëjnë tri shtylla qendrore që e mbajnë lartë ngrehinën kulturore e identitetin europian të shqiptarëve”. Ismail Kadare, tek eseja monumentale “Mosmarrëveshja” e trajton këtë çështje, duke tërhequr një paralele domethënëse, mes mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe atij të Jezu Krishtit. Kadare e përforcon filozofinë e tij, nëpërmjet frazës: “Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë”. Në fakt, te mungesa e varreve qëndron analogjia filozofike e influencës që kanë ushtruar këto figura në jetën shpirtërore e kulturore të shqiptarëve. Dimë se krishterimi si fe, është ngritur mu në saje të mungesës së varrit të Krishtit, pra ai qëndron te ngjallja e tij. E në kulturën shqiptare, zhvarrimi i Gjergj Fishtës e sforcon mitin e martirizimit të krijuesve shqiptarë, të ngjashëm me Pjetër Bogdanin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura