Përfaqësuesja e BE në Razëm: Alpet kanë probleme me ndotjen

Jun 24, 2018 | 12:23
SHPËRNDAJE

SENAD NIKSHIQI

Në hapjen e sezonit turistik në Razëm të Malësisë së Madhe, Annelies Vanwymelbeke, përfaqësuese e BE-së, kritikoi hedhjen e mbeturinave në Alpet shqiptare. Në fjalën e saj gjatë këtij aktiviteti, ajo theksoi se mjedisi duhet ruajtur dhe për këtë duhet që të aktivizohen të gjithë, si e vetmja mënyrë për zhvillimin e turizmit dhe rritjen e numrit të turistëve.

Annelies Vanwymelbeke, përfaqësuese e BE-së
Annelies Vanwymelbeke, përfaqësuese e BE-së

Sipas saj, një shqetësim për komunitetin europian janë edhe problemet në çështjet e pronësisë, të cilat nuk lejojnë ashtu si duhet zhvillimin e zonave turistike. “Në zona si Razma, natyrisht që zhvillimi i turizmit duhet të ketë parasysh edhe ruajtjen dhe promovimin e traditës që ka të bëjë edhe me pasuritë natyrore. Në Alpet europiane ka kërkesa të forta për kontrollin e ndotjeve dhe gjithë elementëve të tjerë. Këto standarde duhet të mbahen parasysh edhe në ofertat turistike këtu.

Zhvillimi i turizmit në Alpet shqiptare ende po has vështirësi në mungesën e kuadrit rregullator të qartë apo problemit të mbrojtjes së mjedisit dhe moshedhjes së mbeturinave për sigurimin e një mjedisi të pastër dhe të qëndrueshëm. Duhet të bëni një kujdes më të madh, duke kontrolluar hedhjen e mbeturinave dhe përfshirjen e qytetarëve për mbrojtjen në Alpet shqiptare. Ekoturizmi ju ndihmon për zhvillimin lokal. Alpet shqiptare kanë shumë për të ofruar, por shumë edhe për të përfituar”, theksoi Vanwymelbeke.

Për zyrtaren e BEsë, është shumë e rëndësishme promovimi dhe ruajtja e cilësisë së ushqimeve dhe produkteve lokale që kemi, pasi ato janë një potencial shumë i madh që duhen të promovohen dhe të shihen si një mundësi në drejtim të zhvillimit ekonomik, por nëpërmjet aktiviteteve të turizmit. Europa po i jep rëndësi produkteve bujqësore që kanë vulën e origjinës.

Sipas Vanwymelbeke, tendenca e sektorit ushqimor është për produktet lokale duke i dhënë rëndësi produkteve autentike dhe speciale. “Kam dëgjuar, që hudhra në Razëm ka shije të veçantë apo kërpudhat e Reçit kanë kërkesë për t’u dërguar në Francë. Kam dëgjuar edhe për cilësinë e gështenjave. BE kërkon sot që të ketë një zgjidhje të problemeve të pronësisë në zonat turistike të Shqipërisë”, theksoi më tej ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura