Sekretariati i Etikës mori sot (2 tetor) vendimin për të përjashtuar 24 deputetët të Partisë Demokratike, pas tensioneve në Kuvend, ku u dogjën edhe karriget.
Tre prej deputetë morën ndëshkimin më të rëndë. Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati u dënuan me dy muaj përjashtim nga të gjitha punimet e Kuvendit, ndërsa 19 të tjerë u ndëshkuan me nga 40 ditë.
Sekretariati i Etikës është treguar më i butë me Edi Palokën, të cilin e dënoi me vetëm 10 ditë.
Kërkesa për ndëshkimin e ligjvënësve të opozitës është bërë nga deputetët socialistë Niko Peleshi, Arkend Balla, Ilirjan Pendavinji, Baftjar Zeqaj, Ilir Topi, Ilir Ndraxhi, Enslemvera Zake, Pranvera Resulaj, Denis Deliu, Ermonela Valikaj dhe Laert Duraj.
Çfarë ndodhi të hënën ne Parlament?
Këtë të hënë Parlamenti shqiptar u kthye sërish në një arenë të tensionuar, pasi deputetët e Partisë Demokratike protestuan brenda dhe jashtë sallës kundër burgosjes së kolegut të tyre, Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit burg për kallëzim të rremë nga Gjykata e Apelit.
Deputetët demokratë bllokuan fillimisht foltoren dhe më pas e zhvendosën aksionin në oborrin e Parlamentit, ku i vunë flakën karrigeve të tyre.
“Edi Rama ka djegur parlamentin, ne dorëzojmë karriget tona duke i djegur ne të parët, sepse nuk jemi këtu për veten tonë, por jemi për qytetarët dhe interesin publik,” deklaroi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al