Përkthyesi frëng: Poezia e Agollit ka brenda urtësi e këngë

Oct 14, 2016 | 13:35
SHPËRNDAJE

Një përkthyes është po aq autor sa vetë autori i veprës. Ai i jep jetë një vepre nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, e bën atë të kuptueshme për më shumë njerëz…

dritero1

Kështu, që Dritëro Agolli të njihej në Francë, duhet falënderuar edhe përkthyesi i tij, Alexandre Zotos. I pranishëm në konferencën jubilare, organizuar nga Akademia e Arteve, në 85- vjetorin e shkrimtarit, Zotos tregon për takimin me Dritëroin, përmes veprës së tij. Sa e vështirë është të përkthesh një shkrimtar e poet aq popullor sa Dritëroi, me një gjuhë të pasur, që siç thotë përkthyesi ka brenda urtësi e këngë….

Si jeni njohur ju me veprën e Dritëro Agollit?

Takimi im me veprën e Dritëro Agollit nis me udhëtimet e mia të para në Shqipëri. Ftesa e parë erdhi si rezultat i bashkëpunimeve mes dy universiteteve dhe më pas u krijua një lidhje mes meje, që merresha me letërsi, dhe shkrimtarët. Ka qenë fundi i vitit 1979 ose fillimi i vitit 1980. Këtu u prita nga kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe fill pas këtij takimi, u takova me Ismail Kadarenë, që ishte drejtor i revistës “Les Lettres albanaises”. M’u besuan disa përkthime për këtë revistë.

Cili është përkthimi i parë?

Unë vetë pata dëshirë të përktheja “Njeriu me top”. Ky roman, dalëngadalë, nga një përmirësim te tjetri, në bashkëpunim me autorin, i cili, edhe pse nuk e zotëron mirë frëngjishten, më shpjegoi disa gjëra, doli në Francë dhe është ribotuar vitet e fundit. Më pas kam përkthyer një vëllim me tregime dhe novela. Shumica prej tyre janë marrë nga “Zhurma e erërave të dikurshme” e më pas nga prozatori, kalova te poeti, duke nxjerrë në 2010-n një antologji të parë dygjuhëshe me ilustrime, një botim luksoz, i cili vlen për të gjitha moshat, për shkak të përzgjedhjes së poezive, të cilat mund të lexohen nga nivele të ndryshme, nga të rritur e të rinj.

Deri më tani kam përkthyer dy vepra në prozë dhe dy antologji të gjera. E dyta do të dalë vitin që vjen. Është një antologji e gjerë me poezi të përzgjedhura nga disa përmbledhje poetike të autorit, që mbulon gjithë krijimtarinë e tij poetike, që nga “Hapat e mia në asfalt”, nga përmbledhjet e rinisë së tij, deri tek ato më të fundit.

Në Antologjinë e prozës shqipe, miku im Vrioni (dhe unë jam titullar i çmimit “Jusuf Vrioni” dhe jam shumë i nderuar për këtë) ka përkthyer novelën “Lamtumirë Kapedani im”, ndërsa unë kisha përkthyer Vath Koreshin dhe Dalan Shapllon. Më vonë, e kam përkthyer sërish këtë novelë, të cilën e kam përfshirë në vëllimin me tregime dhe novela e jam kujdesur që ta ruaj fjalën shqipe “Adieu o Kapedan”, jo “mon capitaine”.

Çfarë ju tërheq në veprën e Dritëroit?

Veprat e Dritëro Agollit shquhen për një gjuhë të zjarrtë, për ironinë dhe distancën, përmes së cilës i shikon gjërat dhe në mënyrë të mrekullueshme krijon një kontakt trup më trup e zemër më zemër me realitetin.

A ka qenë e vështirë ta përkthenit në frëngjisht, duke ditur se gjuha e Dritëro Agollit është shumë e pasur me frazeologji…?

E vërtetë që gjuha e tij është shumë e pasur. Shumë herë më vjen keq që më duhet të përshtat. Vargjet franceze janë pak më të gjatë, por jam munduar ta ruaj atë cilësi të kënduari që ka poezia e Dritëroit. Poezitë e tij kanë urtësi dhe këngë brenda, por edhe shpërthim e befasi. Duhet ruajtur befasia.

Jemi në ditë “Nobeli”, mendoni se do të mund ta marrë Kadare ndonjëherë, duke qenë se ai është kandidat prej shumë vitesh?

Ia uroj ta marrë, por edhe për popullin shqiptar. Kjo është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë. Por me këtë rast “përfitoj” edhe unë, sepse diku del edhe emri im bashkë me të tijin, pasi kam përkthyer esenë për Eskilin, novelën “Krushqit janë të ngrirë” si dhe tregime e novela të tjera. Kështu që dhe për mua do të ishte diçka pozitive. Ndërkaq Ismaili vetë është mbi këto konsiderata. Vepra e tij flet vetvetiu, s’ka nevojë për më shumë. Ajo njihet nga gjithë bota. E merr apo nuk e merr, nuk do të ketë asnjë ndryshim për përmasat e tij, si krijues, si shkrimtar.

Kush është më i vështirë prej tyre për t’u përkthyer…?

S’besoj se mund të bëj klasifikime dhe preferenca. Problemi i përkthyesit është pak a shumë si ai i autorëve përpara fletës së bardhë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura