Përkujtohet 78-vjetori i kryengritjes antikomuniste të Postribës/ U ndez shkëndija e parë kundër regjimit gjakatar të instaluar dhunshëm

Sep 9, 2024 | 11:03
SHPËRNDAJE
besim-ndregjoni
Besim Ndregjoni

BESIM NDREGJONI/ 78 vite më parë Postriba hyri kryelartë në historinë kombëtare përmes gjakut dhe guximit të qindra patriotëve, intelektualëve, klerikëve të të gjitha besimeve, që i dhanë jetë kryengritjes antikomuniste në Europën e ndarë nga perdja e hekurt mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në Postribë u ndez shkëndija e parë kundër regjimit gjakatar të instaluar dhunshëm në vend, nga barbarët stalinistë shqiptarë të drejtuar nga diktatori më i egër i Europës pas Luftës së Dytë Botërore, sadisti Enver Hoxha. Heronjtë e Postribës ngritën krye në emër të asaj çka ishte dhe mbetet e shenjtë për çdo shqiptar, liria dhe vlerat e një kombi nga më të vjetrit në zemër të Europës. Antikomunistët e Postribës e dinin dhe e ndienin në çdo ind të tyre se asgjë e mirë nuk mund të vinte për kombin, mohimi i vlerave themelore, që edhe në kohët më të vështira, kanë shënuar jetëgjatësinë ndër shekuj të popullit shqiptar.

Ky guxim, kjo kryengritje për lirinë e atdheut, tundi themelet e regjimit gjakatar komunist, guximi dhe trimëria e postribasve u shtyp me dhunë nga stalinistët shqiptarë të përkrahur nga armiku shekullor i shqiptarëve, pushteti serbo-sllav dhe nga frika e gjakatarëve, se liria që frymonte bashkë me luftëtarët e saj nuk do të zhdukej nga ky vend. Terrori i egër do të shkretonte familje të tëra, përfshirë ato të Jup Kazazit, Osman Haxhisë, Idriz Tahirit e Abdulla Sahitit, patriotët që i prinë kësaj kryengritjeje. Vetëm në ditët e para u pushkatuan pa gjyq 28 veta. Dhe masakrat e barbarëve kaluan nga Postriba në Shkodër, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe. Një tragjedi që jehon dhe sot, por kurrë sa akti i ndritur i rezistencës së Postribës, i atyre që dhanë jetën për lirinë. Historia na mëson se regjimet dhe falangat e tyre bien të damkosura, ndërsa ata që luftojnë për liri, përjetësohen dhe lënë gjurmë mbi të cila hedhin hapat e tyre brezat, që me mirënjohje i përkujtojmë sakrificat e të parëve, duke ruajtur në thellësitë e zemrave të tyre një vend të shenjtë për të gjitha ata që dhanë jetët e tyre të çmuara. 78 vite më vonë, një perde e hekurt e ka ndarë Shqipërinë nga kombet perëndimore. Sot mbas tri dekadave jetojmë në një hije, e cila vjen nga një regjim që ka mjete të ndryshme por qëllime të njëjta me atë të ë shkuarës dhe po e pengon shoqërinë shqiptare të jetë pjesë e familjes europiane.

Një regjim që godet demokracinë, lirinë dhe të drejtat e qytetareve, e cila vjen si produkt i përballjes të pamjaftueshëm me të kaluarën që i lejoj pasardhësit e xhelatëve të hedhin pluhur mbi historinë e të restaurojnë një model bolshevik që e kthen pas Shqipërinë. Kjo përpjekje tinëzare që shkon në kundërshtim me idealet e lirisë të martirëve të Postribës dhe po ashtu, me aspiratën e shumicës dërmuese të shqiptarëve për një Shqipëri europiane, sot nga Postriba del thirrja patriotike për rezistencë, për t’u përballur, për të mos të lejuar asnjë regjim të pengojë aspiratën e një populli të tërë për të gëzuar të njëjtën liri, të njëjtën demokraci, të njëjtën mirëqenie që gëzojnë popujt e Bashkimit Europian. Fatkeqësisht sot shoqëria shqiptare është e ndarë në komunistë alias socialistë dhe antikomunistë konservatorë, që përfaqësojnë lirinë, qëndresën, pronën, familjen.

Në qoftë se ekziston Partia Demokratike sot në pluralizëm politik, është falë rezistencës së antikomunistëve shqiptarë, që nuk lejuan, por e mbrojtën nga revanshi i komunistëve shqiptarë nga viti i zi 1997 e deri në sot dhe nuk e mbrojti populizmi politik, që u shfaq në ‘90, as ai grup që përfitoi nga qëndresa e antikomunistëve për mosshuarjen e forcës së parë politike në pluralizmin shqiptar. Populizmi në ‘90 shërbeu thjesht për të ndërruar sistemin që ishte i nevojshëm për një shoqëri të traumatizuae e ideologjizuar. Dhe ndërrimi i sistemit pati defekte të mëdha, se nuk u dënua Partia Komuniste që kishte vrarë burgosur, internuar dhunuar të drejtat e liritë e njeriut për 50 vite. Por u pranua si forcë politike në pluralizëm, e kundërta ndodhi në Europën e lindjes, të gjitha partitë komuniste u shkrinë. Mosdënimi i krimeve të komunizmit i solli dëme të pariparueshme shoqërisë dhe e ka sjellë Shqipërinë në një regjim të korruptuar dhe dhunues ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut. Sot politika shqiptare ka degraduar për të ndërtuar një shtet të së drejtës, 34 vite Shqipëria nuk ka një Kushtetutë të qëndrueshme, të drejtat dhe liritë e njeriut dhunohen nga pushteti i korruptuar, sot zhvillohet një luftë klasash ndaj antikomunistëve dhe fatkeqësisht forca politike që duhet t’i mbrojë, ka heshtur. Nuk mund të ketë opozitë pa pjesëmarrjen në politikëbërje të 40% të antikomunistëve shqiptarë që përballuan diktaturën dhe mbajtën lartë me guxim, aspiratat e lirisë, e pluralizmin politik.

Nuk mund të vijë në pushtet Partia Demokratike pa pjesëmarrjen e antikomunistëve shqiptarë. Konservatorët shqiptarë bazohen në tri parime kryesore: në votë të lirë dhe ndërrrim elitash, familja si bazë e shoqërisë dhe shtet ligjor me pronë private të pacenuar me ligjet bolshevike, siç ka ndodhur gjatë tri dekadave në Shqipëri. Partia Demokratike duhet t’i largohet populizmit dhe të ndërtoi konservatorizmin për t’i kthyer vlerat popullit shqiptar. Për t’i kthyer lirinë, mendimin ndryshe. Nuk mund të ndërtojnë shtete të së drejtës në qoftë se nuk kemi një drejtësi të pavarur, fatkeqësisht sot mbas tri dekadash, reformat ideologjike të së majtës trumbetohen për drejtësi të pavarur, siç po ndodh me drejtësinë e re, por pushteti politik i korruptuar nuk e len as të jetojë, as të vdesë. Ne, antikomunistët i besuam kësaj reforme, megjithëse ishim skeptikë dhe i paralajmëruam ndërkombëtarët se nuk mund të japin drejtësi ata që i dhunuan të drejtat e liritë e njeriut si bashkëpunëtorë të zellshëm të diktaturës.

Kjo mazhorancë e majtë ua besoi reformën në drejtësi hetuesve të komunizmit që vranë Postribën dhe Shqipërinë. Ne, antikomunistët, e çmojmë ndihmën SHBA-ve për të pasur një drejtësi të pavarur, por atë reformë nuk mund ta bëjnë politikanët, dhunuesit që i kanë shërbyer diktaturës; tani po të njëjtët autorë që ndërtuan ferrin komunist, këta ndërkombëtarë u besojnë edhe komisionin antikorrupsion, atyre që e ndërtuan sistem korrupsionin. Kjo është tallje me liritë e shqiptarëve, është fyerje ndaj antikomunistëve, që në mes të plumbave kundërshtuan diktaturën, dhe po mbajnë gjallë pluralizmin. Ne patëm besim se drejtësia e re do të veproj si në Amerikën e Linkolit e të Marting Luterkingut, por jo se do të veprojë si drejtësi politike në shërbim të mazhorancës të korruptuar komuniste. Fatkeqësisht parashikimi i ynë doli kemi drejtësi politike dhe jo drejtësi të pavarur dhe në mbrojtje të qytetarëve.

Prandaj iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë: Veproni siç vepron Amerika ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut, President Tramp është i akuzuar për disa vepra penale dhe politike, por drejtësia atë e heton dhe e lejon të zhvillojë aktivitetin politik si përfaqësues i forcës politike republikane dhe ju lejojeni kryetarin e Partisë Demokratike të zhvillojë aktivitetin politik, duke mos i ndaluar hetimet ndaj tij, drejtësia si të gjykon, edhe të mbron. Ne, antikomunistët, e respektojmë ligjin, por kur ligjin e merr në dorë politika, ai ligj është i vdekur. Ky pushtet i korruptuar kriminal, rrezohet me konservatorizëm dhe jo me populizëm. Zotërinj deputetë të opozitës, nuk është e rëndësishme vetëm marrja e pushtetit, por mbrojtja e demokracisë dhe liritë e qytetarëve janë faktorët që Shqipëria të mos të shpopullohet e t’i bashkohet Europës.

Bashkona Shqipërinë me Europën duke i dënuar krimet e komunizmit, duke dënuar heshtjen e shtetit shqiptar, edhe pse thirrja jonë ka qenë e është se, pa dënuar krimet e komunizmit, nuk mund të ndërtojmë shtet të së drejtës, nuk mund të ndërtojmë demokraci. Në qoftëse opozita lufton thjesht për të pasur një mandat deputeti, ajo nuk përfaqëson konservatorizmin dhe nuk mund të ketë mbështetjen e shqiptarëve, që duan Shqipërinë europiane. Këtë jua kërkon Postriba dhe elektorati antikomunist, të shpëtojmë Shqipërinë nga politikat antikombëtare të shpopullimit. Shqiptarët presin! Martirët presin që Shqipëria të jetë europiane dhe kjo kauzë është e opozitës. Lavdi përjetë heronjve të Postribës!/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura