Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa shtetet e Ballkanit Perëndimor, është mesazhi i përbashkët i presidentëve të shteteve të rajonit nga Samiti Bërdo-Brioni, që po mbahet të martën në Tivat të Malit të Zi.
Mikpritës i takimit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka thënë në një konferencë për media se stabiliteti afatgjatë i rajonit nënkupton edhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Me një rend botëror të lëkundur, dhe me rritjen e paqëndrueshmërisë globale, liderët e Ballkanit Perëndimor janë të vetëdijshëm për momentin politik dhe dritaren e re të BE-së, sa i përket zgjerimit. Jemi të gatshëm të shfrytëzojmë këtë mundësi edhe më fuqishëm”, ka thënë Millatoviq.
Pritjet e tij janë që përparimi i Malit të Zi drejt bllokut evropian, të jetë shtysë edhe për vendet e rajonit.
“BE-ja nuk është vetëm një nevojë dhe një qëllim i deklaruar, por edhe një imperativ gjeopolitik dhe moral.”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendi që udhëheq ajo vazhdon të jetë i përkushtuar për bashkëpunim rajonal, “të bazuar në fqinjësi të mirë, gjithë përfshirje dhe qëllimin e përbashkët për integrim në institucionet euroatlantike”.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka thënë se vlera e Samitit Bërdo-Brioni “qëndron në faktin që në këto takime komunikojnë disa vende që nuk e kanë njohur njëra-tjetrën.”
Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.
Millanoviq ka thënë se detyra e Kroacisë dhe Sllovenisë është që t’i inkurajojnë vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos heqin dorë nga rruga e tyre drejt anëtarësimit në BE.
“Ekziston inercia dhe dobësia e BE-së në konkurrencën globale me lojtarë më të fuqishëm dhe të paskrupullt. Në njërën anë janë Shtetet e Bashkuara, tjetrën shtetet e BRICS-it, pra Rusia, Kina, India… ato që nuk na duan”.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ka thënë se Sllovenia dhe Kroacia mbështesin intensivisht procesin e integrimit evropian.
“Mali i Zi ka bërë më shumë përparim dhe ka perspektivën më të mirë për t’u anëtarësuar së shpejti në BE”, ka thënë ajo.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka marrë pjesë në seancën planare të samitit, por u është bashkuar më vonë pjesëmarrësve.
Tema e Samitit në Tivat është përmirësimi i bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe anëtarëve të Bashkimit Evropian.
Procesi Bërdo-Brioni është një nismë slloveno-kroate, e iniciuar në vitin 2010, me qëllim forcimin e besimit dhe ndihmës për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian./rel
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al