Sulmuesi i njohur i Ues Hem-it, Majkëll Antoni ka lënë spitalin, pas aksidentit në fund të dhjetorit, që i rrezikoi jetën. Ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka falenderuar të gjithë për mbështetjen, ndërsa shprehet mirënjohës për faktin që është gjallë.
“Çdo vit, në këtë periudhë, më pyesin për çfarë jam mirënjohës, dhe çdo vit është e vështirë të gjej fjalët e duhura. Por këtë vit e di saktësisht për çfarë jam mirënjohës: për faktin që jam gjallë. Kam kaluar kaq shumë vite duke e marrë jetën si të mirëqenë, duke bërë plane për ditën tjetër ose për vitin tjetër, gjithmonë duke supozuar se e nesërmja është e garantuar. Kam parë miq të vdesin, kam parë të tjerë të përballen me përvoja afër vdekjes, dhe edhe në ato momente nuk e kisha kuptuar plotësisht sa e çmuar është jeta.
Ajo që kam kaluar kohët e fundit më ka hapur sytë. Jeta është e brishtë dhe çdo moment i vetëm ka rëndësi. Jam kaq mirënjohës Zotit që më ka dhënë forcën për të vazhduar përpara dhe që më ka lejuar të jem ende këtu.
Një falënderim i madh për mjekët, spitalet dhe gjithë West Ham-in: ekipin mjekësor, drejtuesit, stafin, shokët e ekipit dhe tifozët fantastikë. Nuk do t’ia kisha dalë pa ju. Për të dashurit e mi që kanë qenë pranë meje: nuk mund të shpreh sa të rëndësishëm jeni për mua.
Së fundmi, për gjithë komunitetin e futbollit: faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen që më keni treguar. Ka pasur vërtet një domethënie të madhe për mua. Ju dua të gjithëve dhe jam pafundësisht mirënjohës. Gëzuar Vitin e Ri, dhe shihemi së shpejti në fushë.”
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al