Detaje të reja dalin nga operacioni policior mes Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Kosovës ku u lëshuan 14 urdhër arreste dhe u sekuestruan 64 armë, mes tyre pistolea, snajper e kallashnikovë.
Nga hetimi ka rezultuar se armët vinin nga Turqia si armë sportive dhe më pas në Ferizaj modifikoheshin dhe bëheshin armë zjarri.
Raportohet se trafikantët përdornin ditën e shtunë dhe të dielë për kalimin në kufi pasi sipas një marrëveshje, makinat nuk kontrolloheshin dhe kjo ishte në favor të tyre.
Armët e zjarrit në Kosovë mësohet se shkëmbeheshin me para, si edhe me kokainë.
Si u zbulua rrjeti dhe roli i Euxhenio Manushit
Bashkëpunimi mes autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë nisi pas ndalimit të 4 personave në maj të këtij viti, pasi në çantë iu gjetën 10 pistoleta.
Në procedimet e përbashkëta mes dy vendeve është provuar shitja e armëve të zjarrit ku janë përdorur dhe agjentë të infiltruar.
Për të zbardhur rrjetin e trafikut të armëve, policia shqiptare ka administruar dëshminë e një prej të arrestuarve në muajin maj të këtij viti, dhe ky informacion më pas i është dërguar autoriteteve kosovare.
Ndërkohë djali i muzikanit Ad Sybardhi, 20-vjeçari Euxhenio Manushit, i arrestuar pak ditë më parë në një operacion antidrogë, sipas policisë, interesohej për armë dhe në shkëmbim jepte kokainë.
Hetimet kanë provuar se në disa episode ai së bashku me persona të tjerë kanë shkuar drejt Kosovës me lëndë narkotike me vete dhe në kthim ata kanë sjellë armë zjarri.
Policia e Tiranës po verifikon episode ku armët e sjella nga Turqia disa herë kanë tentuar të trafikoheshin edhe në vendet e tjera fqinje, për të cilët nëse provohet, do t’i rëndohet akuza e personave nën hetim.
Në dy fazat e operacionit, në vendin tonë janë arrestuar 10 persona dhe në Kosovë 13 shtetas.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al