Pjesë e bandës së Suel Çelës, GJKKO lë në fuqi masën e sigurimit për Fuad Verzivollin, i cili mori pjesë në atentatin e dështuar në Elbasan katër vite më parë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” për Fuad Verzvollin.
Fuad Verzivolli dyshohet për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, ndaj Ardian Çapjas, ngjarje e ndodhur në Elbasan më 8 Qershor 2020. Urdhri për ekzekutimin e Ardian Çapjas është dhënë nga Suel Çela.
Atentati ndaj Ardjan Çapjas
Ardian Çapja u qëllua me snajper më 8 Qershor 2020 dhe mori një plumb poshtë supit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen e quajtur Kraste.
Ai u dërgua në spitalin e Traumës ku iu nënshtrua një operacioni. Ky ishte atentati i tretë ndaj tij. Atentati i parë i është bërë në janar të 2016. Ndërsa atentati i dytë i është bërë në dhjetor të 2017.
Autorët e qëlluan me kallashnikov, Çapjan pasi e kanë mbajtur survejim prej disa ditësh. Por ata dështuan në planin për atentatin pasi u diktuan në kohë nga shënjestra
GODITJA E GRUPIT KRIMINAL TË SUEL ÇELËS
Si drejtues i organizatës kriminale, ku ishin të përfshirë gjyqtarë, policë dhe gazetarë, raportohet se ishte Suel Çela. Sipas SPAK, ai është përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave.
Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; Mario Çela, Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku), Marsel Shega (alias Bujar Shega), Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), Xhino Roka, etj., ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.
NJOFTIMI
Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
më datë 02.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje
dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal e
caktuar me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet
112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 147, datë 03.12.2024,
vendosi:
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues
“Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me
vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë
për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim: Fuad
Verzivolli si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me
paramendim” e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit **** në datën
08.06.2020 në qytetin e Elbasanit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit
atë të organizatës kriminale “Organizata kriminale”, dhe “Kryerja e veprave
penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar
nga nenet 78/2 – 22, 28/1, 333/2 dhe 334 paragrafi i dytë të K.Penal;
2. Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Fuad Verzivolli, të
dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në
dispozicion të organit procedues.
3. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të
Organizuar, dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
4. Mbrojtësi i caktuar kryesisht nga gjykata për personin nën hetim të shpërblehet
nga shteti sipas tarifave të parashikuara në ligj.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit
Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i
vendimit të gjykatës.