Pjesë e një grupi të trafikut të drogës/ GJKKO shpall fajtor Luis Çelën, ja me sa vite burg dënohet

Jan 9, 2025 | 19:03
SHPËRNDAJE

GJKKO ka shpallur fajtor Luis Çelën dhe e ka dënuar  përfundimisht atë me 5 (pesë) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

gjkko

Ai akuzohet për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Çështja ndaj Luis (Argen) Çelës u shqyrtua me gjykim të shkurtuar.

Njoftimi: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale nr. 32 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurit Luis (Argen) Çela, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 284/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të K.Penal”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Ardit Mustafaj, Erjon Bani dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 2, datë 09.01.2025 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Luis (Argen) Çela për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 284, paragrafi i parë dhe 28, pika 4, të K.Penal dhe duke u bazuar edhe në nenin 334, pika 1, të K.Penal dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Luis (Argen) Çela për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë, i K.Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

Në bazë të nenit 55 të K.Penal, të pandehurit Luis (Argen) Çela i jepet një dënim i vetëm prej 8 (tetë) vjet burgim.

Në bazë të nenit 406, pika 1, të K.Pr.Penale, të pandehurit Luis (Argen) Çela i ulet një e treta e dënimit dhe dënohet përfundimisht me 5 (pesë) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

Vuajtja e dënimit të pandehurit Luis (Argen) Çela i fillon nga dita e arrestimit, datë 13.09.2024, dhe të kryhet në një institucion të sigurisë së lartë.

Shpenzimet procedurale, të përbëra nga shpenzimet e hetimit paraprak dhe ato të gjykimit, sipas përllogaritjes nga sekretaria gjyqësore, i ngarkohen të pandehurit.

Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.

Hetimet

Sipas provave të grumbulluar nga SPAK rezultoi se Luis Çela së bashku me të tjerë kultivonin me farë kërpi (kanabis), konkretisht 2300 farë kanabis me prejardhje holandeze e markës “ROYAL”, nga të cilat 1300 copë fare lloji “CRITICAL” dhe 1000 copë të llojit “GORILLA”, me vlerë dhe cilësi të certifikuar, e cila trafikohej në Kalamata dhe Messina.

Kjo farë vinte nga Holanda dhe kultivohej në territore të ndryshme “tarraca”, të pastruara dhe të përshtatura posaçërisht, me sipërfaqe totale rreth 5 (S) strem, totalisht 1665 bimë kanabis, të fuqishme dhe të shëndetshme, me lartësi që varion nga 20 cm deri në 1 (një) metër përafërsisht.

Shuma e prodhuar nga pemët e kultivuara është rreth 250 kg. kërp indian i papërpunuar dhe duke bashkëllogaritur çmimin e shitjes të 1 kg kërpi indian të papërpunuar me prejardhje helene, i cili varion nga 2.500 deri 4.000 euro, çmohet se fitimi i pritshëm nga i pandehuri dhe të bashkakuzuarit e tjerë, nga kryerja e aktit të mësipërm, tejkalon shumën prej 75.000 euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura