Plarent Ndreca i pandehur nga SPAK, reagon Gazment Bardhi dhe publikon videon: Tenderat publik, mundësi vetëm për klientë të paracaktuar

Oct 25, 2024 | 13:37
SHPËRNDAJE

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar për marrjen të pandehur nga SPAK të Plarent Ndrecës, i cili akuzohet për barazi në tendera në kohën kur ka qenë zyrtar në ministrinë e Brendshme.

bardhi ndreca

Sipas Bardhit,  Ndreca ka gënjyer kur është shprehur se nuk është marrë i pandehur nga SPAK, ndërsa theksoi se tenderat publik janë kthyer në mundësi vetëm për klientë të paracaktuar, duke eliminuar garën dhe meritokracinë.

“Deputeti i Edi Ramës gënjeu publikisht kur deklaroi se është e pavërtetë që është nën hetim nga SPAK. Por, gënjeshtra mbulon zullumin vetëm për disa orë apo ditë, por e vërteta triumfon përgjithmonë!

E vërteta është që tenderat publik në Qeverinë e Edi Ramës janë kthyer në mundësi vetëm për klientë të paracaktuar, duke eleminuar garën dhe meritokracinë. Klientelizmi dhe korrupsioni janë e vetmja formë për të bërë biznes në Shqipëri gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

Për këtë nevojiten zyrtar publik si Plarent Ndreca, që për shërbimet në shkelje të ligjit, për mbështetjen ndaj klientelizmit dhe korrupsionit, shpërblehen nga Edi Rama duke u promovuar si deputet”, thuhet ne reagimin e Bardhit.

Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë

Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tenderë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura