Mëngjesin e djeshëm në orën 10 u mblodh asambleja e aksionerëve të Juventusit për të treguar mbi situatën e klubit, bilancet, strategjinë që do të ndiqet në vazhdim, Superligën si dhe çështjen Ronaldo.Në këtë asamble ku ishin pjesë të gjithë aksionerët e “Zonjës” nuk kanë munguar edhe polemikat të cilat kanë bërë shumë bujë. Presidenti Xhanluka Ferrero dhe administratori i deleguar, Mauricio Skanavino i janë përgjigjur pyetjeve të aksionerëve të cilët janë gjithmonë e më shumë kuriozë për situatën ku ndodhet Juventusi. Gjithçka nisi me bilancin e sezonit 2023-2024 të cilin Juventusi e mbylli me një humbje prej 199 milionë eurosh.
BILANCI- Ashtu si pritej, “Zonja e Vjetër” kishte një humbje prej 199.2 milionë eurosh. Një shifër më e lartë kjo në raport me një sezon më parë ku Juventusi doli me minus 123 milionë euro. Megjithatë, kjo ishte një shumë e pritshme duke parë se bardhezinjtë nuk ishin pjesë e kupave të Europës sezonin e kaluar dhe humbën shumë të ardhura të potenciale që mund të lehtësonin buxhetin e klubit, një shifër kjo që pritet të përmirësohet gjatë këtij sezoni.
SUPERLIGA- Presidenti i klubit, Xhanluka Ferrero ka shpjeguar qëndrimin që Juventusi po mban në lidhje me Superligën. “Ne kemi bërë dy komunikata zyrtare për këtë çështje që kanë qenë shumë precize, më 6 qershor dhe 13 korrik. Projekti i Superligës lind me një numër të caktuar skuadrash, por disa prej tyre u tërhoqën dhe ngelën vetëm 3. Mes tyre edhe Juventusi. Juventusi më pas i njoftuar në shtator të vitit 2023 dy klubet e tjera të mbetura (Real Madrid dhe Barcelona) se është tërhequr nga Superliga, por deri tani nuk kemi asnjë përgjigje”.
GRAVINA- Shumë aksionerë kërkuan nga drejtuesit që të mbrojnë më shumë klubin. “Jeni të bindur se “Marotta League” është një kampionat i rregullt? Përse Gravina nuk vjen këtu për të mbështetur ekipin dhe të buzëqeshë me ju siç bën në San Siro? Nuk më duket një situatë normale. Nuk mund të refuzojmë të na arbitrojë Guida dhe Marineli siç bëri Interi me Orsaton dhe prej 4 vitesh nuk e ka drejtuar kurrë?”
SPONSORI- “Administratori i deleguar, Skanavino i është përgjigjur më pas pyetjeve në lidhje me mungesën e një sponsori kryesor që pas skadimit të kontratës me Jeep. “Jemi në tratativa me marka ndërkombëtare dhe shpresojmë që ta finalizojmë marrëveshjen brenda këtij sezoni.” Pas Skanavinot ka një përgjigje mbi sponsorit një prej aksionerëve të tjerë, Salvatore Kozolino. “Jemi i vetmi klub me 180 milionë ndjekës që nuk kemi një sponsor kryesor në fanellë. Ja u shpjegoj unë pse. Ne kemi një reputacion, sidomos në Europë. Sponsori vlen të paktën 40 milionë euro, madje edhe më shumë. Është e vërtetë që nuk jemi Real Madridi, por si ka mundësi që nuk po gjejmë dot një sponsor?”
RONALDO- Më pas Skanavino shpjegon edhe situatën me Ronaldon ku palët janë ende në gjyq pasi Juventusi u dënua për ta paguar portugezin me 10 milionë euro. “Ne nuk jemi dakord me këtë çështje dhe e kemi apeluar në gjykatën e Torinos”, tha ndër të tjera Skanavino. Asambleja në fund u mbyll me një duartrokitje për një nga drejtuesit e rinj të Juventusit, legjendën Xhorxhi Kielini. Ky i fundit u prezantua zyrtarisht me rolin e tij të ri përballë të gjithë aksionerëve të klubit të cilët e mirëpritën atë ngrohtësisht.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al