“Polemika” si përballje e Uran Butkës me historianët e politikanët! Aty ku bashkohen tradhtia, krimineli, humbësi dhe falsifikatori i historisë

Oct 21, 2024 | 10:24
SHPËRNDAJE

Botimi tejet interesant, intrigues dhe aktual “Polemika” i shkrimtarit, historianit dhe politikanit Uran Butka është një përballje e fuqishme kritike me historianë e politikanë të djeshëm e të sotëm për çështje të mprehta e të nxehta të kulturës dhe historisë. Po e nisim me një polemikë me historianin Pëllumb Xhufi.

anglo-amerikane

******

URAN BUTKA/ Është sa e habitshme, por edhe e pabesueshme, perfide dhe mjerane, përpjekja e Pëllumb Xhufit nëpërmjet shkrimit “Xhelal Staravecka himnizon si rrallëkush Luftën Antifashiste” për të lartësuar luftën antifashiste, nënkupto Luftën NÇ, nëpërmjet një personazhi kontravers, që bashkon në vetvete tradhtinë, paqëndrueshmërinë politike, kriminelin, humbësin dhe falsifikatorin e historisë, Xhelal Staravecka. Siç duket, Xhufi e të ngjashmit e tij ideologjikë e politikë, si vazhdues të historiografisë komuniste edhe në këto 30 vjet tranzicioni, por të dështuar në misionin e tyre, thirrën në skenë Xhelal Staraveckën, fantazmë e errët e së shkuarës.

P. Xhufi shkruan me krenari e mburrje për Staraveckën “Akoma më shumë, si aktor e protagonist i vijës së parë, Xhelal Staravecka himnizon si rrallëkush luftën antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Nëse Xh. Staravecka e himnizonte si rrallëkush luftën antifashiste (Xhufi e ka fjalën për Luftën Nacionalçlirimtare), atëherë përse i damkoste si terroristë udhëheqësit e saj dhe vetë luftën NÇ si terroriste? Përse dezertoi dhe e tradhtoi këtë luftë? Përse u kthye të luftonte me armë kundër saj? Përse u bashkua me kolaboracionistët?

Ja çfarë shkruan Xh. Staravecka në botimin “Torturë e terror”1 të vitit 1944: “Partisë Komuniste neve të rinjtë i dhamë jetën dhe rritëm, e forcuam si një diktatori të arsyeshme, mirëpo ajo parti sapo ndjeu veten pak të fortë, filloi diktaturën më të shëmtuar që të rëngjethet mishtë. Kujtoni shokë, të 65 (gjashtëdhjetepesë) katundarët të pafajshëm përpara nesh të marrë nga Hamit Matjani dhe nga Isa Manastirliu që nuk zbrazën pushkë kundra partizanëve por u dorëzuan, këta të shkretë u pushkatuan pa pikën e mëshirës prej Neron Dushan Serbjanit, Jovenës së Dytë të Napolit, Mehmet Shehut (Isa Toska i dytë) dhe gorillës Tahir Kadareja. Shokë! Kujtoni viktimat e masakruara nga këta të katër barbarë, që therën me thika e i hodhën të gjallë në zjarr banorët e Mallakastrës, të asaj Mallakastre që u bë gërmadhë nga reaksioni fashist…”.

Përse u largua Xhelal Staravecka nga Partia Komuniste dhe Lufta Nacionalçlirimtare?

E shpjegon vetë Xhelal Staravecka: “Cili asht objektivi i partis terroriste Komuniste për t’arrijtur me anën e ushtris së krijuar me emnin ushtrija Nacjonal-Çlirimtare? Cili sekret mëshihesh në këtë ushtri? Shumë e vështirë ma përpara dhe shumë e kollajt tashti qi e hoqi maskën e saj pa marrë mirë fuqinë në dorë për të lozur dramën ma tragjike q’imagjinon mendja e njeriut. Objektivi ka qenë përmbysja, rrënimi, shkatërrimi, shkallmimi dhe zhdukja e popullit shqiptar njiherë e përgjithëmonë. Atë qi nuk mundi dot Turqija t’a bante në nji kohë të gjatë pesëqind vjeçare, atë qi nuk do bante fashizmi për njizet vjet, Partija Komuniste terroriste dushono-meladiniste e filloi dhe me suksesin qi pati me dredhinat dhe dinakëritë djallzore, me grackën e ngrehur me mjeshtrinë ma të hollë do t’a arrinin pikën e caktuar t’asgjësimit të shqiptarve në nji kohë jo ma të gjatë se motmot qysh prej datës së heqjes së maskës punve të tyne antishqiptare”.2

Ky ishte thelbi terrorist i PKSH që zbuloi Xh. Staravecka pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, edhe i Luftës NÇ, që nisi si luftë çlirimtare dhe u tjetërsua në luftë civile. Ja si e paraqet vetë Xhelal Staravecka këtë luftë në botimin “Torturë e terror”: “Në Berat vramë e premë pa hak për t’u marrë paratë njerëzve, Beratin e bëmë shtetrrethim që nuk e bëri as fashizmi; filluam e kontrolluam brekët e grave nëpër shtëpija, duke i rrethuar shtëpitë e Beratit me mitraloza; dualëm e bëmë çarmatimin e Nahijes, në katundin Perisenka zumë gratë nga sisët e nga shalët, e ku e di unë sa të tjera. Përpara këtyre poshtërsive që do të shihni në dokumente, mora vendimin e largimit nga kjo PARTI E FËLLIQUR. Sot ndodhemi shumë shokë dhe do të organizohemi në një parti koshjente dhe jo rebele dhe nuk do të jenë larg ditët e shkallmimit prej themelit të partisë gjakatare me Serbjanët gjakpirsa e kriminelët në krye”.3

Këto janë vlerësimet që Xhelal Staravecka i bënte Parisë Komuniste.

Ndërsa Pëllumb Xhufi flet përçart: “Nderi dhe dinjiteti, të kuptuar si shërbim ndaj atdheut, janë për Xh. Staraveckën njësia e vetme matëse”.

Po çfarë nderi dhe dinjiteti ka Xh.Staravecka, tek braktis shokët e vet të Nacionalçlirimtares dhe bashkohet me Ballin Kombëtar, kur sulmon dhe vret pa e vrarë fare ndërgjegjja shokët e vet partizanë, kur braktis më pas edhe njerëzit e Ballit Kombëtar dhe bashkohet me qeverinë nën pushtuesit gjermanë, madje emërohet Komandant i Xhandermarisë i qarkut të Tiranës dhe kryen masakra në Tiranë, mandej braktis edhe “njësinë e vetme matëse” – atdheun, arratiset dhe dënohet nga drejtësia italiane për krimet e tij të luftës? Xhufi thekson se Staravecka dëshpërohet dhe pyet plot trishtim: “Si është e mundur, që asnjë popull tjetër rrotull nesh nuk ka prodhuar aq tradhtarë sa kemi prodhuar ne!”. Së pari, z. Xhufi, nuk mund të jetë Xh.Staravecka njësia matëse as e nderit e dinjitetit njerëzor, as nuk mund të gjykojë të tjerët për dinjitet, sepse ai është etaloni i padinjiteit njerëzor dhe e tradhtisë. E thua vetë në artikullin tënd për librin e Xh. Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë”: “Libri apo, në fakt, testamenti politik i Xhelal Staraveckës është para së gjithash një shpërthim, një nxjerrje dufi, pas një jete të mbushur plot me zhgënjime, dështime e sigurisht shumë tradhti”.

Meqenëse jemi te libri “Para gjyqit të historisë”, Tiranë 2012, le të debatojmë për disa çështje tejet të diskutueshme dhe të keqtrajtuara nga Xhelal Staravecka dhe të keqinterpretuara nga P. Xhufi. Në radhë të parë, përpara gjyqit të historisë ka dalë vetë autori i këtij libri. Libri “Para gjyqit të historisë” i shkruar në Paris në dorëshkrim në vitin 1966 dhe i botuar në Tiranë në vitin 2012, për mendimin tim, është shkruar krejt ndryshe nga i pari, “Torturë e terror” i vitit 1944. Me një tjetërsim të dukshëm e të qëllimshëm të Luftës antifashiste në Shqipëri. Në radhë të parë, autori paraqit luftën çlirimtare të Nacionalçlirimtares përgjatë gjysmës së parë të vitit 1943 kundër pushtuesve italianë, në mënyrë të veçantë luftën kur ishte komandant i çetës së tij partizane në Skrapar, mandej si komandant batalioni i Brigadës I S.

Deri në shtator 1943, Xh. Koprencka vazhdonte të luftonte në krah të PK, të ishte pjesë e kësaj lufte dhe të bashkëpunonte me naivitet e bindje të plotë, siç e thotë vetë, edhe me Miladin Popoviçin e Dushan Mugoshën, si edhe të zbatonte urdhrat e tyre për pushkatimin e kundërshtarëve politikë. Ai mori pjesë në Konferencën e Labinotit, shtator 1943 dhe atje dëgjoi me veshët e tij vendimet e Konferencës së Labinotit për shpalljen zyrtare të luftës së armatosur kundër nacionalisteve dhe nisjen e Luftës civile, që e pranon edhe Xh. Staravecka. “Ai personaliteti komunist në Labinot me urdhrin që dha për çeljen e Luftës Civile dhe Dushani në Fravesh me terrorin dhe torturat deri në vdekje, por sidomos me atë sharjen që është tipike e sharjes së malazezve, kur shprehen trivialisht kundër shqiptarëve, ma hoqën besimin mbi komunizmin, pasi e shihja si një ideologji me të cilën pansllavizmi kërkonte të realizonte ëndrrën e hegjemonisë”, – shkruan Xh. Staravecka te botimi “Përpara gjyqit të historisë”. Dhe më poshtë ai vijon: “Lufta Nacionalçlirimtare ishte në ditët e fundit të jetës së saj, pasi ndodheshim në pragun e luftës civile që u hap në fakt, jo më vonë se dy-tri javë”.

Ai personaliteti komunist ishte Enver Hoxha, i cili më 9 shtator 1943, ditën e fundit të Konferencës së Labinotit, lëshoi urdhrin fatal për nisjen e Luftës civile. Xh. Staravecka nuk ia përmend emrin E. Hoxhës në librin e tij, madje vetëm një herë e zë në gojë, kur e kishte takuar për herë të parë në Vithkuq. Dhe ja si e përshkruan: “Porsa e pashë Enverin, jo vetëm se Enveri është një tip i dashur, por pata edhe një përshtypje se atij jo vetëm nuk i mungonte kuraja dhe mençuria, duke mos diskutuar mbi kulturën, dhe është një intelektual i dorës së parë, por më tepër qesh i bindur se ai ishte i pajisur me cilësinë, zgjuarsinë dhe dinakërinë, të bashkuara me kurajën dhe vendosmërinë, që janë të domosdoshme në politikë…

Meqë Ali Pashë Tepelena ka konsideratën më të madhe si një nga personalitetet politike më të shquar në historinë e Shqipërisë, besomëni se Enveri në kategorinë si një burrë shteti modern më ka dhënë të njëjtën përshtypje”. Xh. Staravecka, ndonëse pretendon, nuk e njeh historinë e Shqipërisë, madje as atë të Ali Pashë Tepelenës që e ka për idhull. Punë e tij. Nuk po i futemi kësaj historie. Dua të theksoj vetëm se ai në botimin “Para gjyqit të historisë” nuk e përmend asnjëherë tjetër emrin e Enver Hoxhës pas Konferencës së Labinotit dhe përvijimit të luftës civile 1943-1944. Të gjitha fajet për atë tragjedi që ndodhi në Shqipëri, Staravecka ia vesh Koçi Xoxes dhe në vend të emrit të Enverit, komisarit të përgjithshëm të Luftës NÇ dhe më pas edhe komandantit të saj, për përçarjen e madhe, luftën dhe masakrat që ndodhën për shkak të “Partisë Komuniste shqiptare dushanoviste”, siç e quan ai, Staravecka vendos thuajse në çdo faqe te librit emrin e Koçi Xoxes. Në këtë periudhë të luftës, Koçi Xoxe nuk kishte ndonjë rol të parësor si titullar në Luftën NÇ. Natyrisht, ai ka luajtur rolin e tij, sidomos në qarkun e Korçës, si edhe në lidhjet me jugosllavët, të cilët realisht i kishin lidhjet e vërteta me E. Hoxhën dhe M. Shehun etj..

Mjafton të përmendim lotët e derdhur në letrat e E. Hoxhës, M. Shehut, Fiqrete Sanxhaktarit, Nexhmie Hoxhës etj., drejtuar Dushan Mugoshës kur ai iku nga Shqipëria, që të konfirmojnë lidhjet e ngushta të tyre me Dushanin, vlerësimin e madh, dashurinë, respektin dhe miqësinë për mësuesin Mugosha. Por Koçi Xoxe mori pushtet pas çlirimit, kur nisi të shfaqej si figura e dytë pas E. Hoxhës, duke drejtuar Sigurimin e frikshëm të Shtetit dhe brigadat e ashtuquajtura të Mbrojtjes së Popullit, për shtypjen dhe ekzekutimin e kundërshtarëve të regjimit komunist, si kryetar i gjyqit special kundër nacionalistëve, më pas edhe ministër i Punëve të Brendshme etj., deri sa u akuzua si agjent i jugosllavëve dhe u pushkatua (1949).

Duke marrë shkas nga shpallja e tij si agjent i jugosllavëve dhe pushkatimi i tij, Xh. Staravecka nga larg Shqipërisë, ngatërron kohët dhe zhvendos edhe personazhet në kohë, Koçi Xoxen e vë në rolin kryesor të PKSH-koçixoxiste gjatë luftës dhe e ngarkon me gjithë përgjegjësitë e kësaj lufte të viteve 1943-1944, duke e zhveshur E. Hoxhën nga çdo përgjegjësi apo rol, gjë që nuk i përgjigjet së vërtetës historike, siç justifikon edhe Mehmet Shehun për bëmat e tij. Ishte E. Hoxha, që në të gjitha rastet, e urdhëronte Koçi Xoxen. Po japim vetëm dy dokumente arkivore. Në një letër që E. Hoxha i shkruante në tetor 1943 Koçi Xoxes në Korçë, e udhëzonte për asgjësimin kudo të çetave të Ballit Kombëtar dhe personalitetet nacionaliste: “Ballin duhet ta likuidojmë pa mëshirë në çdo anë qoftë. Çetat e atjeshme të Ballit të likuidohen pa u grumbulluar dhe pa e marrë veten. Sa për bashkëpunimin me Fazlli Frashërin, mos u gënjeni. I bini, pra edhe Faslliut, edhe atij që e ka bërë Faslliun.”4

Koçi Xoxe ishte një ish-teneqexhi, pa kulturë dhe horizont, një vasal i bindur i E. Hoxhës, i cili e bëri gjeneral-major dhe ekzekutor vrasjesh të urdhëruara nga komandanti. Në letrën që Koçi Xoxe i dërgonte E. Hoxhës, më 3.10.1943, i shkruante: “Lufta me bandat e Ballit është në urdhrin e ditës; përveç goditjeve që u dhamë, po i ndjekim këmba-këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç!”5

Në fakt, Koci Xoxe u bë një kokë turku, si mjaft të tjerë brenda llojit që u asgjësuan për të mbuluar krimet e Enver Hoxhës dhe të kastës së tij. Përse e bën Staravecka këtë tjetërsim më pas kur ishte në emigracion dhe shkroi librin e sipërpërmendur? Do të përpiqem ta shpjegoj arsyen në fund të kësaj polemike.

Ndarja me PKSH, që sipas Staraveckës, dominohej plotësisht nga Dushani e Miladini dhe politikat pansllaviste të Koçi Xoxes, mandej krimet e luftës të PKSH dhe të Luftës NÇ e bënë Xh. Staraveckën që të ndahej përfundimisht nga komunizmi dhe lëvizja NÇ më 11 nëntor 1943. (Botimi “Përpara gjyqit të historisë”)

Ai shkruan: “Partia Komuniste Shqiptare duhej të orvatej, qoftë edhe me luftë civile, për të marrë pushtetin e popullit shqiptar për vendosjen e regjimit të proletariatit. Ajo e hapi luftën civile që unë nuk e dëshiroja…”6

Në Berat, Gjin Marku me qarkorin e partisë atje, kishin bërë kompromisin me gjermanët, që e qeverisnin së bashku qytetin, madje edhe bashkërisht rrethuan dhe vranë patriotin dhe luftëtarin e Pavarësisë, Hysni Toskën, që e kishte edhe djalin partizan, madje edhe të birin 17-vjeçar partizan e pushkatoi komandanti Neshat Hysi! Po ashtu, krimet e luftës së Mehmet Shehut e dëshpëruan pa masë Staraveckën, sepse ai e donte dhe e respektonte M. Shehun si komandant, megjithatë krimet ia përmend, por duke ia justifikuar sikur e impononte Dushan Mugosha. Bie fjala për masakrën e Mehmet Shehut në Golem të Lushnjës më 21 tetor 1943, ku komandanti i Brigadës I S pushkatoi 69 katundarë të Myzeqesë, pse nuk donin të bashkoheshin me të, duke përjashtuar nga pushkatimi 10 të krishterë lafshëpaprerë me sugjerimin e Dushan Mugoshës.

Staravecka përmend edhe pushkatimin e pesë xhandarëve të postës së Priskës, që iu dorëzuan M.Shehut pa asnjë kundërshtim dhe që nuk kishin bërë ndonjë krim, veçse ishim xhandarë të kohës së Mbretërisë, madje postkomandanti, reshteri çam Maksuti, kërkoi të bashkohej me Lëvizjen NÇ. Xh. Staravecka ishte pjesë dhe dëshmitar i këtyre masakrave. “Un¸ i pushkatova katër xhandar¸t, nd¸rsa rreshterin e mbajt¸m se shprehu d¸shir¸n t¸ b¸hej partizan (n¸ 1924 kish qen¸ graduat dhe vet¸m dy jav¸ m¸ par¸ kishte hyr¸ n¸ xhandarm¸ri). Unë shkova në vendin e torturave dhe arrita në atë çastin kur reshterin, pasi e kishin torturuar si mos më keq, deri sa kishte vdekur, e ngritën ta hidhnin në përrua, ku kishin heshur 80 trupa njerëzish, që Dushani u kishte dhënë vdekjen me tortura”, – shkruan Xh. Staravecka.

Këto e të tjera krime lufte, sipas Xh. Staraveckës, e bënë atë të largohej nga Lufta NÇ e nga vetvetja dhe të shpërthente luftën (kryengritjen, thotë ai) kundër NÇ dhe shokëve të tij. Një veprim i pabesë dhe i paskrupullt i tij. Në fillim ai shpartalloi tre batalionet e partizanëve të Gjin Markut në Berat dhe mandej bashkërisht me regjimentin e Ballit Kombëtar në Skrapar, veçanërisht me Abaz Ermenjin, Kujtim Cakranin dhe batalionin e Myzeqarëve, sulmoi batalionet e partizanëve, pra, goditi ish-shokët e tij të luftës nacionalçlirimtare. “Nuk hezitova të përdorja edhe fuqi të Ballit Kombëtar për ta spastruar Skraparin nga fuqitë komuniste”, – shkruan ai, deri sa në fund u shpartallua prej tyre tek Tenda e Qypit dhe mori vrapin për në Berat, për të marrë pjesë në Kongresin e Parë të Ballit Kombëtar (janar 1944), tashmë si pjesë e Ballit. Xh. Staravecka i tjetërson apo i fsheh në librin e tij “Përpara gjyqit të historisë” mjaft ngjarje të luftës apo të pasluftës, ku ka marrë pjesë, apo kur ka kryer vetë masakra. Po përmendim vetëm tre prej tyre.

1. Thuajse në gjithë librin e tij, ai nuk flet për britanikët dhe rolin e ndihmën tyre të konsiderueshëm në luftën antifashiste të shqiptarëve. Kjo është mosnjohje ose mosdashje. Punë e tij. Por kur i deformon apo i ndryshon qëllimisht, atëherë kthehet në falsifikator të historisë. Bie fjala, për betejën e Vithkuqit më 21 gusht 1943 mes forcave partizane dhe fuqive italiane, të cilat sulmuan me artileri dhe forca të shumta për ta shkatërruar Vitkuqin, qendrën e Shtabit të Përgjithshëm NÇ, por edhe qendër e shtabit britanik me Bill Maklin në krye, betejë e ashpër që përfundoi me disfatën e NÇ dhe djegien e Vithkuqit. Për këtë betejë të humbur, Xh. Staravecka bën fajtor majorin Bill Maklin, i cili, sipas Staraveckës, “Atë operacion e shkaktoi, ose më mirë të them, e prodhoi vetë Misioni Ushtarak Anglez. Vetë majori Mac Lean i ftoi italianët që të na sulmonin, të digjnin dhe të shkatërronin, veç Shtyllës e Vithkuqit, edhe materialin luftarak që Misioni anglez vetë ia kishte dhënë Nacionalçlirimtares”!?

Natyrisht, kjo një mendje diabolike e Xh.Staraveckës.

2. Në paraqitjen e pushkatimit të ushtarakëve italianë të dorëzuar vullnetarisht te ushtria NÇ, Xh. Staracecka mashtron, për të fshehur krimin e tij kundrejt 120 robërve italianë të vetëdorëzuar. Ai shkruan në botimin “Përpara gjyqit të historisë”: “Pas katër ditëve në Labinot, më thirrën në shtab dhe më thanë të merrja batalionin dhe të shkoja në Çermenikë të Martaneshit pranë një qendrës të formuar nga Kadri Hoxha për të pushkatuar një sasi karabinierësh dhe oficerësh italianë… Nuk ka dyshim se edhe ligjet ndërkombëtare, pasurinë e armikut të mundur ose të pushkatuar, përgjatë konfliktit e definizojnë si plaçkë lufte, kështu që edhe në atë pushkatim, sendet që kishin të ekzekutuarit, u grumbulluan në depon e Partisë. Them të Partisë, sepse Lufta Nacionalçlirimtare ishte në ditët e fundit të jetës së saj, pasi ndodheshim në pragun e Luftës Civile që u hap në fakt dy-tri javë më vonë… Për pushkatimin e karabinierëve dhe oficerëve të tyre u angazhua Kadri Hoxha, duke përdorur batalionin tim”.

Ky deklarim i Xh. Staraveckës, për masakrimin e ushtarakëve italianë, është një falsifikim, por edhe pabesi ndaj shokëve, për t’i shpëtuar vetë përgjegjësisë para “Gjyqit të historisë”, por edhe përpara drejtësisë italiane, që e dënoi me burgim të përjetshëm, mandej me 10 vjet burg në Itali. E vërteta qëndron ndryshe. E përgënjeshtron vetë Xh. Staravecka në botimin e vitit 1944 “Torturë e terror”: “Më thirrën në mesnatë nga gjumi dhe më thanë: ‘Ngreu se të duan në shtab’. Më thanë: O Xhelal, në Orenjë të Çermenikës janë 111 karabinierë italianë, merr batalionin tënd, shko atje, vraji se kemi nevojë për petkat e tyre për të veshur partizanët. Ruaju, mos të shpëtojë ndonjë fjalë, pse është konspirative. E na del sekreti në shesh se italianët tani janë miqtë e Aleatëve e protestojnë kondra nesh. Aq më tepër, po ta kuptojë këtë gjë Balli, merr një armë në dorë për të na luftuar.” Çfarë del nga goja e Dushanit, s’ka diskutim. Shkoj në Orenjë në qendrën e batalionit të Çermenikës e të Brigadës II që ishte në formim e sipër. Të nesërmen, të 111 karabinierët bashkë me kolonel Gamuçin në krye dhe dhjetëra oficerë të tjerë i mora duke u thënë se do të shkonim në Burrel. Mbas dy orë udhëtimi, karabinierët i lidha, i ndava në pesë grupe dhe mbasi i xhvesha lakuriq, i pushkatova. 17 i kam vrarë vetë…”. Pra, shtatëmbëdhjetë prej tyre, pasi i zhveshi lakuriq dhe iu mori teshat, këpucët e sendet e tjera me vlerë, Xh. Staravecka i vrau me dorën e tij (Ora e çmuar e Gamuçit përfundoi në dorën e Enverit)

3. Në periudhën që Xh. Staravecka ishte komandant i xhandarmërisë kuislinge në Tiranë, u bënë disa krime, për të cilat akuzohet Xh. Staravecka, i cili në librin e tij “Përpara gjyqit të historisë” nuk i përmend fare, i fsheh, kur ka shërbyer për gati një vit dhe ka qenë protagonist në disa masakra. Flasin dokumentet. Por unë do të veçoj masakrën e 28 shkurtit 1944 në Tiranë, ku u vranë 4 figura të njohura të Lëvizjes NÇ, katër djem të rinj: Gjergj Frashëri, Trajan Pekmezi, Skënder Kosturi, Viktor Gjokoreci. U pushkatuan dhe u masakruan në burg nga Xh. Staravecka me shokë, mandej u hodhën në rrugën e Kusit për terror. “Gjyqi i burgut nga kryetar Xhelal Staravecka me anëtarë Hamdi Isufin, Seit Matia, Xhaxhanezi, Ali Temali, Arif Peza, Niazi Hatibi dhe Elez Hoti, natën vonë pasi i masakruan, i çuan në rrugën e Kusit, katër të rinjtë antifashistë” (Prof. Dr. Bernard Zotaj, “Katër djem të Tiranës masakrohen”. Ka të dhëna që ai ka marrë pjesë edhe në masakrën e 4 shkurtit 1944 në Tiranë. Sipas dëshmive të sekretarit të Xhaferr Devës, Isuf Deva, në masakër vepruan repartet e xhandarmërisë së qeverisë shqiptare të kryesuar nga Hysni Dema dhe se më shumë se nga të gjithë të tjerët ka vrarë Xhelal Staravecka, i bashkuar me qeverinë progjermane. Më 3 shkurt 1944 ai ndodhej bashkë me Hysni Demën, Xhelal Staraveckën, Kadri Cakranin etj., në shtëpinë e Xhafer Devës”7

Këtë figurë kriminale dhe veprën e tij “Përpara gjyqit të historisë” zgjedh prof. dr., Pëllumb Xhufi për të himnizuar Luftën NÇ dhe veçanërisht Enver Hoxhën, kur thotë: “Xhelal Staravecka himnizon si rrallëkush Luftën Antifashiste”.

Së fundi, dua të shpreh një dyshim të arsyetueshëm. Botimi i parë i Xh. Staraveckës “Torturë e terror” i vitit 1944, i shkruar drejtpërdrejt në zjarrin e luftës, ndryshon katërcipërisht me botimin “Përpara gjyqit të historisë” për nga fryma dhe ngjarjet e tjetërsuara qëllimisht. Një familjar i Xh. Staraveckës, më shpjegoi se Xhelalit bëri presion dhe e detyroi Sigurimi i Shtetit që vepronte jashtë Shqipërisë, në këtë rast në Francë, që ta “rregullonte” tekstin e kujtimeve në favor të PKSH dhe Enver Hoxhës, për të ndihmësuar edhe familjen e tij të internuar në kampin e Tepelenës. Dyshimi shtohet, kur ai nuk thotë asnjë fjalë në kujtimet historikë, Paris 1966, për Enver Hoxhën gjatë dhe pas luftës, përkundrazi vetëm në një rast e përmend emrin e tij dhe e ngre në qiell. Po ashtu, edhe Mehmet Shehun, e justifikon për krimet e tij. Tjetërson edhe vrasjen me dorën e vetë Xhelalit të robërve italianë në Malin me Gropa. Së fundi, përurimi i botimit në Shqipëri “Përpara gjyqit të historisë” nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, që zakonisht përuron vepra të karakterit shkencor, por jo të ndonjë kolaboracionisti, si dhe në fund të këtij zinxhiri të ndryshkur edhe Pëllumb Xhufi me shkrimin “Xhelal Staravecka himnizon si rrallëkush Luftën Antifashiste”.

(Footnotes)

1 AQSG Fondi 556 Dosja 34 viti 1944. “Torturë e terror” viti 1944 botim i Xhelal Staraveckës.

2 Po aty

3 Po aty

4 E. Hoxha, Vepra 2 f.36-38

5 (AQSH F.14 dosja 28 viti 1943)

6 Po aty

7 Arkivi i Min.Brendshme, dosja 2064/A viti 1944

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura