Politikat e brendshme dhe Lindja e Mesme dominuan debatin Walz-Vance! Dy rivalët nuk i përqendruan kritikat tek njëri-tjetri, por te shefat e tyre

Oct 2, 2024 | 7:57
SHPËRNDAJE

Kandidatët për zëvendëspresident të Shteteve të Bashkuara, demokrati Tim Walz dhe republikani J.D. Vance, u përplasën për krizën në Lindjen e Mesme, imigracionin, taksat, abortin, ndryshimet klimatike dhe ekonominë.

J.D. Vance dhe Tim Walz.

Walz, i zgjedhur i kandidates për presidente, Kamala Harris, dhe Vance, i zgjedhur nga kandidati republikan, Donald Trump, mbajtën të martën debatin kombëtar televiziv.

Dy rivalët i përqendruan kritikat jo edhe aq te njëri-tjetri, por më shumë te shefat e tyre.

Vance pyeti se përse Harris nuk bën më shumë për të trajtuar inflacionin, imigracionin dhe ekonominë, derisa shërben si zëvendëse e presidentit aktual, Joe Biden.

“Nëse Kamala Harris ka plane aq të shkëlqyera për trajtimin e problemeve të klasës së mesme, atëherë ajo duhet t’i realizojë ato tani. Jo derisa përpiqet të promovohet, por në punën që populli amerikan i ka dhënë tre vjet e gjysmë më parë”, tha Vance.

Walz e përshkroi ish-presidentin Trump si udhëheqës të paqëndrueshëm, i cili, siç tha, u ka dhënë përparësi miliarderëve.

Ai e kritikoi atë për presion ndaj republikanëve në Kongres, për të hequr dorë nga një projekt-ligj dypartiak për sigurinë kufitare, më herët këtë vit.

“Shumica prej nesh duam ta zgjidhim këtë”, tha Walz për imigracionin.

“Donald Trump kishte katër vjet kohë për ta bërë këtë dhe ai ju premtoi juve, amerikanë, se do të jetë e lehtë”, tha Walz, guvernator i Minesotës.

Një çështje tjetër e zëshme në politikën e brendshme amerikane, janë të drejtat për abort. Derisa demokratët janë, kryesisht, më të hapur, republikanët janë më konservatorë.

Vance, senator i Shteteve të Bashkuara, tha se nuk e mbështet ndalimin kombëtar të abortit, edhe pse më herët e ka bërë një gjë të tillë. Ai tha se qëndrim i Trumpit është se shtetet individuale duhet të vendosin nëse do ta kufizojnë abortin ose jo.

Debati në Qendrën e Transmetimeve të CBS-it në Nju Jork u mbajt në ditën kur kriza në Lindjen e Mesme u përshkallëzua dukshëm, pasi Izraeli vazhdoi sulmet në Libanin jugor dhe Irani, në shenjë hakmarrjeje, sulmoi me raketa Izraelin.

Walz tha se Trump është shumë “i paqëndrueshëm” dhe dashamirës ndaj njerëzve të fortë, për t’ia besuar trajtimin e konfliktit në rritje, ndërsa Vance tha se Trump e ka bërë botën më të sigurt gjatë mandatit të tij të mëparshëm si president.

Të pyetur nëse do t’i mbështesnin sulmet parandaluese të Izraelit ​ ​kundër Iranit, Vance tha se do t’i bindej gjykimit të Izraelit, ndërsa Walz nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes.

“Ajo që është e rëndësishme këtu, është një udhëheqje e qëndrueshme”, tha Walz.

“Një Donald Trump, gati 80-vjeçar, që flet për madhësinë e turmës, nuk është ajo që na nevojitet në këtë moment”, shtoi ai.

Walz mori mbështetjen e presidentit amerikan, Joe Biden, pas debatit.

“Më besoni, unë e di se si duket një zëvendëspresident i mirë. Debati i sotëm e bëri të qartë se miku im, Tim Walz, ka atë që duhet”, shkroi Biden në platformën X.

Kandidati republikan për president, Donald Trump, bëri disa postime në rrjetet sociale, ku, mes tjerash, tha se “JD e ka shkatërruar atë”, dhe me shkronja të mëdha shkroi: “Punë e shkëlqyer JD”.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 5 nëntor.

Harris dhe Trump kanë mbajtur deri më tash vetëm një debat televiziv dhe nuk është ende e sigurt nëse do ta mbajnë edhe të dytin./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura