NGA FATOS ÇOÇOLI
12 ditë më parë u hap gara për tenderin e ndërtimit të portit të ri tregtar në Porto Romano pasi kompania e mirënjohur holandeze “Royal Haskoning” përfundoi fazën e studimit të leverdishmërisë dhe projektimit të portit. Në hapje të kësaj gare merrnin 15 kompani të huaja ndërtimi portesh, pesë prej tyre janë sot kantiere detare të njohura në botë, me asete qindra deri në miliarda euro. Duhet të ecësh në kohë prapa disa dekada, për të parë një port tregtar tërësisht të ri të rëndësishëm në Evropë, të ndërtuar nga zero. Porti i ri në Porto Romano e bën Shqipërinë një pikë kyçe strategjike për tregtinë dhe për sigurinë e rajonit. Në katër vjet, Durrësi do të ketë tri porte. Portin tregtar të Porto Romanos, portin turistik që po ndërtohet në një pjesë të hapësirës që sot ka Porti i vjetër i Durrësit dhe portin e ri ushtarak të NATO-s.
Porti i ri tregtar i Porto Romanos do të lidhë në vijim tregtinë me pjesën tjetër të rajonit dhe më gjerë, përmes hekurudhave 100 për qind elektrike që do të ndërtohen Durrës-Rrogozhinë-Qafë Thanë dhe Durrës-Vorë-Hani i Hotit, si dhe përmes dy porteve të thata që do të ndërtohen në Prishtinë dhe Strugë. Hapësirat në Porto Romano përbëjnë mundësi për terminale logjistike, për zhvillimin e dhjetëra zonave ekonomike, me veprimtari prodhuese, që sot nuk kemi mundësi t’i zhvillojmë në portin aktual. Porti i ri tregtar do t’i japë përmasat dhe rëndësinë që i takon Korridorit të Tetë. Ai do të orientojë shumë flukse tregtare, të cilat deri më sot kanë qenë jashtë rrezes sonë të influencës. Fondi limit për ndërtimin e portit është 392 milionë euro, tërësisht nga buxheti ynë i Shtetit. Faza e tenderimit do të zgjasë 45 ditë dhe në muajin mars ose prill 2025 pritet nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese të tenderit.
Projekti i “Royal Haskoning”, që po tenderohet përfshin ndërtimin e një baseni të ri në port, një kanal hyrës të ri, kalata të reja portuale për kontejnerët dhe terminal të ri kontejnerësh, bashkë me ndërlidhjen me hekurudhën dhe rrugën automobilistike. Ndërtimi i portit të ri tregtar të Porto Romanos pritet të përfundojë brenda vitit 2028. Sipas literaturës botërore, një port i ri tregtar mund të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së një vendi me 1 deri në 6 për qind të prodhimit të tij kombëtar(GDP-së), në varësi të madhësisë së portit dhe pozicionimit strategjik të tij. Duke qenë se porti i ri i Porto Romanos do të jetë porti ynë kryesor në të ardhmen dhe me rëndësi parësore strategjike, parashikohet që kontributi i tij në ekonominë tonë të jetë të paktën 3 për qind çdo vit.
Pra, ekonomia jonë shtohet me 3 për qind nga aktiviteti shumë më i rritur i portit tregtar në Porto Romano, në krahasim me portin aktual të Durrësit. Prodhimi ynë kombëtar për vitin 2023 ishte 22 miliardë euro. Sikur porti i ri tregtar në Porto Romano të vihej në funksionim tani, ai do të na jepte një kontribut prej 660 milionë eurosh më shumë në vit. Porti i ri do të ketë kapacitete përpunimi shumëfish më të larta, me thellësi më të madhe dhe strehim-parkim anijesh më të mëdha. Me të, ne do të kemi një trefishim të mundësive përpunuese dhe strehuese në port, në raport me kapacitetet aktuale për kontejnerët në portin e sotëm 2700- vjeçar të Durrësit.
Nga ana tjetër, një port i ri tregtar nuk është vetëm një mundësi për të ngarkuar dhe shkarkuar mallra dhe kontejnerë. Është një mundësi për të prodhuar më shumë, për të zhvilluar më shumë ekonominë tonë. Zona përreth Porto Romanos do të shndërrohet shumë shpejt në një zonë të lirë ekonomike. Një aset i rëndësishëm i Porto Romanos dhe pjesë përbërëse e investimit janë dhe dy terminalet logjistike, portet e thata në Strugë dhe Prishtinë. Këto dy qendra të mëdha përpunimi kontejnerësh në tokë (prandaj quhen porte të thata) e bëjnë edhe më të dobishëm dhe më me përfitim investimin e qeverisë në Porto Romano. Aktualisht, 30 për qind e mallrave që përpunohen në Portin e Durrësit janë, ose në drejtim të Kosovës, ose vijnë për eksport nga Kosova drejt vendeve të tjera. E gjithë industria dhe jo vetëm ajo logjistike, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe e gjithë industria e tyre e transportit, ajo rrugore dhe hekurudhore, e kanë mirëpritur si lajm ndërtimin e portit të ri kryesor tregtar të Shqipërisë në Porto Romano.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al