Teza pellazgjike rizgjohet sërish. E mbrojtur dikur si pjesë e propagandës, pastaj e hedhur poshtë nga studiuesit, kjo tezë risillet sërish në vë- mendje. Është dr. Arsim Spahiu që vijon të ngulmojë në tezën e tij të linjës së pandërprerë pallazgo-liro-arbërore. Në ambientet e Akademisë së Shkencave, Spahiu ka prezantuar botimin e tij të radhës, “Mbi mitologjinë dhe fenë e maqedonasve të vjetër”.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin specialistë të fushës, historianë e arkeologë, që jo detyrimisht janë dakord me tezat e Spahiut, i cili kësaj here, për të mbështetur ato, i është drejtuar mitologjisë. “Në këtë punim jam përpjekur të provoj si mitet dhe feja pellazgjike janë njohur në Pellazginë Jugore e më gjerë, shumë kohë para arritjes së grekëve dhe se këta lëmenj të dijes vetëm pas formimit të qyteteve-shtete, grekët i kanë mësuar nga pellazgët. Pastaj, grekët janë përpjekur t’i përshtatin gjendjes historike mitet dhe fenë pellazgjike; ata kanë dashur t’ua aneksojnë mitet dhe fenë pellazgjike historisë së grekëve”, thotë autori i botimit.
“Mendimi i tij është i thjeshtë, se pellazgët janë paraardhës të ilirëve, shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve. Kjo është triada, të cilën nuk mundet që ta kundërshtojë askush, por që janë prapa ata që e atakojnë, mënyrën, mjetet dhe metodologjinë për ta zgjidhur këtë trinom, ku kemi vetëm një të njohur, që është elementi shqiptar, dy të tjerat, ilir edhe i pellazgëve, mbetet gjithmonë në diskutim, qoftë të gjuhësisë, qoftë të arkeologjisë dhe ajo që kërkon terren janë dy tema, për të vazhduar përpara në mënyrë më të thelluar edhe me shumë pikëpyetje. Këtu jemi në një metodologji të re, nuk janë më pjesë e tradicionales, që janë arkeologjia edhe gjuhësia, që gjithmonë kanë rezervat e tyre edhe nuk janë konfirmative në këtë drejtim. Por kemi një metodologji, që mbështetet te një material tjetër shumë i vlefshëm, që duket sikur nuk përmban elemente të vërteta historike, që është mitologjia”, thotë arkeologu Neritan Ceka.
Vetë autori i veprës, Spahiu, thotë se veprat e tij nuk janë marrë parasysh nga akademikët, duke e “persekutuar” atë ashtu si atëherë diktatura komuniste, në Gradishtë të Lushnjës. Ndërsa Ceka thotë se “në nivelet tona akademike, sot nuk ka njeri që të bëjë një recesion të librit, që të thotë, se ku e ka gabim dhe ku mirë, sepse asnjë nuk ka studiuar në këtë drejtim”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al