Presidenca e Shqipërisë hapi sot dyert për një grup fëmijësh shqiptaro- amerikanë, të cilët ndodhen në Shqipëri për të festuar Ditën e Pavarësisë.
Grupi, i përbërë nga artistë valltarë, është pjesë e shoqatës “Rrënjët shqiptare”, e drejtuar nga Marko Kepi.
Me origjinë nga trevat shqiptare dhe veprimtari në New York, nxënësit dhe përfaqësuesit e shoqatës “Rrënjët shqiptare” kanë ruajtur gjuhën amtare dhe traditat e të parëve të tyre.
Begaj shprehu dashamirësinë për grupin e artistëve, që me shumë pasion vijojnë të ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat, si dhe i përgëzoi ata për veprimtarinë e tyre.
Presidenti Begaj vuri theksin mbi bashkëpunimet dhe mundësitë mbi vizitat në tryezën mike të “Rrënjëve shqiptare” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Drejtuesi Marko Kepi i dha Presidentit të Republikës një vlerësim në emër të shoqatës, duke i shprehur falënderimet për premtimin e mbajtur, si dhe për punën që bën për kombin shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al