Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që këtë vit u mbajt në qytetin malazez të Tivatit.
Në fokus të këtij samiti ishte forcimi i stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Evropës Juglindore, mbajtja e të rinjve përmes mundësive më të mira, si edhe përshtatja me qëllimet e Planit të Gjelbër Evropian.
Kreu i Shtetit konfirmoi qëndrimin se Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për stabilitetin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe se perspektiva e integrimit evropian mbetet në thelb të përpjekjeve tona.
“Bashkimi Evropian duhet të jetë proaktiv në adresimin e nevojave dhe sfidave specifike të Ballkanit Perëndimor”, – vlerësoi Presidenti i Republikës në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, duke thekuar se kjo përfshin përshpejtimin e projekteve infrastrukturore që lidhin rajonin më ngushtë me pjesën tjetër të Evropës, përmirësimin e marrëdhënieve tregtare dhe integrimin e ekonomive rajonale në tregun më të gjerë të BE-së.
Ndërsa theksoi rëndësinë e konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE, që do të mbahet më 15 tetor për kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit, Presidenti Begaj e vlerësoi atë si një sinjal inkurajues edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës u shpreh se e ardhmja e rajonit tonë është e lidhur ngushtë me të ardhmen e brezave të rinj dhe se sfidat e kohës kërkojnë përpjekje të përbashkëta për të trajtuar në mënyrë efektive çështjen “Brain Drain”.
Edhe për çështje të tjera që ishin në fokus të Samitit të Procesit Brdo-Brijunit, Presidenti i Shqipërisë konfirmoi angazhimin e vendit për agjendën e ndërlidhjes si një nga prioritetet më të larta, si edhe inkurajimin e ekonomive “të gjelbra”.
Krerët e shteteve pjesëmarrëse në këtë samit arritën në një konkluzion të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe ecurinë e proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si rruga më premtuese dhe e pazëvendësueshme drejt një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe. Gjithashtu, u theksua rëndësia e veprimeve të guximshme për të siguruar stabilitetin afatgjatë dhe krijimi i kushteve për të rinjtë, që ata të mund të qëndrojnë në vendet e tyre.
FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, Sh.T.Z. BAJRAM BEGAJ NË SAMITIN E PROCESIT TË BRDO BRIJUN-IT
Është një kënaqësi e vecante të jem këtu në Tivat. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ju, Jakov, për mikpritjen e ngrohtë. Jam i bindur se takimi i sotëm ofron një mundësi të shkëlqyer për të shkëmbyer pikëpamje mbi disa çështje të rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Siç e thashë në takimin e mëparshëm, Shqipëria mbetet e përkushtuar për të forcuar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, besoj plotesisht se Procesi I Brdo – Brijunit zë një vend të rëndësishëm dhe kontribuon si një angazhim i vlefshëm për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të rajonit tonë.
Është e qartë se implikimet serioze të sigurisë të nivelit gjeopolitik, për shkak të agresionit të paligjshëm ushtarak rus kundër Ukrainës, e kanë bërë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian një proces me rëndësi të veçantë strategjike dhe gjeopolitike, si për vendet e rajonit ashtu edhe për vetë BE.
Procesi i integrimit evropian është shumë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor si politikisht ashtu edhe ekonomikisht. BE-ja duhet të vazhdojë të sigurojë një rrugë të qartë dhe të arritshme drejt anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke mbajtur një politikë të besueshme zgjerimi, BE-ja mund të inkurajojë reformat dhe të nxisë një ndjenjë shprese dhe drejtimi.
Në ketë moment, më lejoni të përmend një vendim të vonuar për Shqipërinë për hapjen e “Klasterit 1 – Bazat” dhe konferencën ndërqeveritare më 15 tetor. Ky është një sinjal inkurajues për Shqipërinë dhe rajonin.
Për më tepër, BE-ja duhet të jetë proaktive në adresimin e nevojave dhe sfidave specifike të Ballkanit Perëndimor. Kjo përfshin përshpejtimin e projekteve infrastrukturore që lidhin rajonin më ngushtë me pjesën tjetër të Evropës, përmirësimin e marrëdhënieve tregtare dhe integrimin e ekonomive rajonale në tregun më të gjerë të BE-së.
Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të riafirmojnë angazhimet e tyre ndaj procesit të anëtarësimit për periudhën e ardhshme. Kjo do të thotë të punojmë së bashku për të zbatuar reformat e nevojshme brenda një afati të prekshëm, duke promovuar një qasje më bashkëpunuese dhe për të gjetur mënyra për të integruar Ballkanin Perëndimor përpara anëtarësimit në BE.
Kam kënaqësinë të konfirmoj se që nga takimi ynë i fundit i Procesit Brdo-Brijuni, vendi im ka qenë aktivisht i angazhuar dhe nuk ka kursyer asnjë përpjekje për të kontribuar në thellimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. Në këtë përpjekje, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për nevojën për të zbatuar objektivat e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) për të rritur integrimin ekonomik rajonal si një rrugë drejt Tregut të Vetëm të BE-së.
Opsionale: Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, por ky bashkëpunim nuk është i plotë dhe efektiv nëse të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën, nuk janë anëtarë të plotë të organizatës rajonale.
Më 16 tetor 2023 u mbajt për herë të parë në rajonin tonë Samiti i Procesit të Berlinit. Samiti pati disa arritje të rëndësishme, si forcimi i lidhjes dhe promovimi i lëvizshmërisë së profesionistëve në Ballkanin Perëndimor, transporti, tregtia, energjia dhe lidhjet dixhitale brenda Ballkanit Perëndimor, si dhe midis rajonit dhe BE-së. Këto do të kontribuojnë në arritjen e rezultateve konkrete në bashkëpunimin rajonal, duke ndikuar pozitivisht në jetën e përditshme të qytetarëve tanë.
Përveç kësaj, ne mirëpritëm Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe shprehëm përkushtimin tonë për avancimin e integrimit ekonomik rajonal përmes Tregut të Përbashkët Rajonal. Ne theksuam gjithashtu rëndësinë e përshpejtimit të reformave të brendshme, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Shqipëria e kupton plotësisht rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë për të siguruar paqen dhe stabilitetin afatgjatë rajonal. Ne kemi mbështetur gjithmonë rritjen e rolit të të rinjve dhe pjesëmarrjen aktive në pajtim, ndërtimin e urave të komunikimit dhe dialogut në rajon. Këto përpjekje do të kontribuojnë në krijimin e një fryme të re mirëkuptimi midis popujve në Ballkanin Perëndimor.
Ka një sërë shembujsh inkurajues. Më lejoni të përmend një të spikatur: Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor dhe koncertin e saj në Tiranë, në Ditën Evropiane, kushtuar Përfshirjes, Diversitetit dhe të Drejtave të Njeriut.
Për më tepër, e ardhmja e rajonit tonë është e lidhur ngushtë me të ardhmen e brezave të rinj në Ballkanin Perëndimor. Potenciali i tij është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social. Në të vërtetë, këto sfida kërkojnë përpjekjet tona të përbashkëta për të trajtuar në mënyrë efektive çështjen e Braid Drain.
Rritja e gjelbër dhe e qëndrueshme mbetet thelbësore për rajonin tonë në inkurajimin e ekonomive “të gjelbra”, programet e energjive të rinovueshme dhe diversifikimin e burimeve të energjisë. Kjo do t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin më shpejt drejt një të ardhmeje me karbon të ulët, duke sjellë përfitime të prekshme mjedisore dhe sociale. Shqipëria është e angazhuar për transformimin e gjelbër të vetes dhe të Ballkanit Perëndimor, duke synuar përafrimin me ambicien e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane për arritjen e neutralitetit të karbonit deri në vitin 2050.
Në këtë kontekst, Shqipëria nuk kursen përpjekjet për të futur një shumëllojshmëri të burimeve të rinovueshme të energjisë. Në vendin tonë, pothuajse e gjithë energjia elektrike prodhohet nga hidrocentralet, duke e bërë atë një nga vendet e pakta në botë që prodhimi i energjisë elektrike varet nga hidrocentralet.
Më lejoni të nënvizoj faktin se Shqipëria, në kuadër të përpjekjeve të Ballkanit Perëndimor, e ka bërë axhendën e nderlidhjes një nga prioritetet më të larta, me theks të veçantë në përgatitjen dhe financimin e projekteve konkrete të investimeve në infrastrukturën rajonale. Unë besoj se duke përmirësuar lidhjen brenda Ballkanit Perëndimor, si dhe midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ne kontribuojmë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për ekonomitë dhe qytetarët e rajonit.
Një politikë praktike dhe proaktive e lidhjes nxit rritjen ekonomike dhe vendet e punës, tërheq investime dhe ofron mundësi për bizneset, njerëzit dhe të rinjtë. Në këtë këndvështrim, ne jemi të përqendruar në përmirësimin e rrjetit rrugor të vendit duke përfshirë: 1) Korridorin 8, i cili lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë 2) të ashtuquajturin “Korridori Blu”, i cili lidh Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovina, Malin e Zi, Shqipërine dhe Greqine; 3. Lidhja hekurudhore midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe 4) porti i ri në Porto Romano, Durrës.
Si përfundim, Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për të kontribuar efektivisht në stabilitetin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Shqipëria ka marrë këtë vit Presidencat e disa nismave rajonale si, të BSEC (Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi), CEI (Iniciativa e Evropës Qendrore, Presidenca e SEECP (Procesi i Bashkëpunimit Juglindor) dhe MARRI (Nisma për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët).
Perspektiva e integrimit europian mbetet në thelb të përpjekjeve tona dhe në këtë kontekst më lejoni të kujtoj se motoja e Kryesimit në detyrë të SEECP Tiranë 2024-2025 është “Të formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al