Presidenti Begaj zhvillon vizitën e parë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë, kërkon njohjen e Kosovës

Oct 22, 2024 | 16:28
SHPËRNDAJE

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u takua sot në Sarajevë me Kryesuesin e radhës së Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beçiroviç, si dhe dy anëtarët e Presidencës, Zeljko Komsiç dhe Zeljka Cvijanoviç.

bajkram begaj

Në fokus të bisedës ishin intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe, që tashmë me rihapjen e ambasadave respektive do të ketë një rigjallërim, si dhe çështjet e sigurisë dhe të bashkëpunimit në rajon, udhëzimet e Procesit të Berlinit, integrimi evropian dhe NATO.

Kjo është vizita ime e parë zyrtare në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe nga takimi që zhvilluam jam i bindur se marrëdhëniet tona tradicionalisht miqësore dhe bashkëpunimi ekzistues do të zhvillohen edhe më tej në të ardhmen”, – deklaroi Presidenti i Republikës ndërsa rikonfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin në nivel dypalësh dhe atë rajonal.

Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbështet pa ekuivok sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social, si dhe përparimin në rrugën Euroatlantike të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Përballë kërcënimeve në rajon, Presidenti Begaj konfirmoi politikat e konsoliduara të Shqipërisë për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke garantuar vazhdimin e kontributit në misionin EUFOR-ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Do të mbetemi të zëshëm dhe kundërshtues ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese dhe retorike separatiste”, – u shpreh Presidenti duke rikonfirmuar mbështetjen e marrëveshjes së Dejtonit.

Në lidhje me mesazhet e samitit të fundit të Procesit të Berlinit, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e integrimit rajonal dhe përshpejtimit të integrimit evropian, ndërsa kërkoi nga Bosnjë dhe Hercegovina rishikimin e qëndrimit ndaj Kosovës.

Do të vlerësonim angazhimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në njohjen e dokumenteve të Kosovës dhe heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, – u shpreh Presidenti i Shqipërisë.

Duke e cilësuar anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE si të vetmen alternativë për sigurinë dhe zhvillimin e rajonit tonë, Presidenti Begaj shprehu gatishmërinë për të ndarë me Bosnjë- Hercegovinën përvojën e Shqipërisë në rrugëtimin evropian.

Presidenti Begaj, gjithashtu, theksoi faktin se Shqipëria, si aleate e NATO-s, mbështet politikat e “Dyerve të Hapura”.

Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Begaj bëri të ditur se në takim u diskutua për avancimin më shpejt me projektet e infrastrukturës rrugore, duke përfshirë Korridorin Blu e gazsjellësin Adriatiko-Jonian.

Gjatë vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë Presidenti i Republikës i kushtoi një rëndësi të veçantë, komunitetit shqiptar që jeton atje. Kreu i Shtetit theksoi se “Bosnjë dhe Hercegovina është shtëpia e një komuniteti shqiptar të integruar në shoqërinë ku jetojnë dhe kontribuojnë”. Në takime u diskutua për adresimin e kërkesave të tyre për ruajtjen e gjuhës, traditave, identitetit kombëtar dhe historisë në reciprocitet me trajtimin e boshnjakëve dhe serbëve në Shqipëri.

Gjatë vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Presidenti i Republikës së Shqipëris, Bajram Begaj, zhvilloi takime të veçanta dhe me Kryeministren Borjana Krišto dhe Kryetarët e Dhomave të Popullit dhe të Përfaqësuesve në Asamblenë Parlamentare.

begaj bosnje

begajj presidenti ne bosnje beggaj begaj ne sarajeve

Fjalimi i poltë i Begajt:

Jam i kënaqur dhe i nderuar të vizitoj një vend mik si Bosnjë dhe Hercegovina.

I dashur Denis,

Shumë faleminderit për ftesën dhe mikpritjen e rezervuar!

Kjo është vizita ime e parë zyrtare në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe nga takimi që zhvilluam jam i bindur se marrëdhëniet tona tradicionalisht miqësore dhe bashkëpunimi ekzistues do të zhvillohen edhe më tej në të ardhmen.

Miqësia tradicionale mes dy vendeve tona dhe, mbi të gjitha,mes qytetarëve tanë, shënon disa momente domethënëse për ne.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë jeton një komunitet i integruar dhe vlerësuar shqiptarësh, që janë punëtorë e zejtarë, tregtarë, artistë, juristë, mjekë, ushtarakë, inxhinierë, biznesmenë, gazetarë dhefarmacistë, të  gjithë të organizuar në shoqatën “BashkësiaShqiptare” në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në Shqipëri jeton e punon një komunitet boshnjak i hershëm, i njohur si pakicë, të cilët gëzojnë të drejta gjuhësore, kulturore e fetare.

Shkrimtari i shquar dhe kleriku i famshëm Gjergj Fishta është shkolluar në Bosnjën e fundshekullit të 19-të dhe aktorja e shquar shqiptare Tinka Kurti ka lindur në Sarajevë. I përmend këto për faktin që ky komunitet, në të dyja vendet, është një bazë e fortë për të shtuar miqësinë dhe raportet e mira që kanë Shqipëria dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Jam i lumtur që vizita ime në Sarajevë bëhet teksa po rihapim ambasadat në kryeqytetet respektive.

Vlerësoj faktin që kjo bëhet njëkohësisht në të dyja vendet dhe në mënyrë të koordinuar.

Jam i bindur se ky hap, ndonëse i vonuar, do të sjellë shtimin e kontakteve midis qytetarëve dhe vendeve tona, si dhe do të rigjallërojë bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare.

Të dyja vendet tona ndajnë një histori të përbashkët rajonale dhe synojnë që në të ardhmen të jenë së bashku në familjen evropiane, të cilës i përkasin gjeografikisht, por ndajnë edhe parime e vlera të përbashkëta.

Në takimin që zhvillova me Presidentët rikonfirmova edhe një herë gatishmërinë e Shqipërisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin politik dhe diplomatik, si dhe në çështje të interesit të ndërsjellë dypalësh, po ashtu edhe ato rajonale.

Gjithashtu, shpreha qëndrimin e njohur të Shqipërisë në mbështetjen pa ekuivok të sovranitetit, integritetit territorial, kohezionit social, si dhe përparimit në rrugën Euroatlantike të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të përballet me kërcënime reale për sigurinë dhe stabilitetin.

Shqipëria ka kontribuar dhe do të vazhdojë të kontribuojë për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Në zbatim të kësaj politike rajonale dhe të politikës së jashtme, të linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian, vendi im:

* do të vazhdojë të kontribuojë në misionin EUFOR/ALTHEA;

* do të mbetemi të zëshëm dhe kundërshtues ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese dhe retorike “separatiste” për Bosnjën;

* do të vazhdojmë të mbështesim marrëveshjen e Dejtonit si një bazë solide për stabilitetin e vendit tuaj,

* si dhe të mbështesim rolin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Vendimi i Këshillit Evropian në mars 2024 për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë dhe Hercegovinën ishte një lajm i mirë për ju dhe për rajonin.

Shqipëria mbështet avancimin e Bosnjë dhe Hercegovinës drejt Bashkimit Evropian dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të ndarë përvojën tonë në këtë drejtim.

Ne kërkojmë një të ardhme në të cilën Ballkani Perëndimor të jetë plotësisht i integruar në Bashkimin Evropian.

Kjo është e vetmja alternativë për sigurinë dhe prosperitetin e vendeve tona dhe për një jetë më të mirë e më të begatë për qytetarët tanë.

Pak ditë më parë Shqipëria hapi negociatat për disa kapituj, teksa ndjek një politikë të jashtme të përafruar plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Integrimi në Bashkimin Evropian është strategjik për ne dhe jetik, gjithashtu.

Agresioni rus kundër Ukrainës, si dhe ndikimi i aktorëve të tretë në rajonin tonë dikton që ky proces të avancojë me ritme më të shpejta se deri më tani.

Bosnja dhe Hercegovina është shtëpia e një komuniteti shqiptar të integruar në shoqërinë ku jetojnë dhe kontribuojnë.

Në përmbushje të detyrimeve të mia kushtetuese, unë sot diskutova edhe për adresimin e disa kërkesave që ky komunitet të ketë të drejtën e ruajtjes së gjuhës, traditave dhe identitetit kombëtar në reciprocitet me trajtimin e boshnjakëve dhe serbëve në Shqipëri.

Po ashtu, do të dëshiroja të shihja më shumë shqiptarë të punësuar në administratë.

Në takimin e sotëm diskutuam edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar në fusha me interes të ndërsjellë.

Me kënaqësi konstatoj se gjithnjë e më shumë qytetarë të Bosnjës dhe Hercegovinës po vizitojnë Shqipërinë si turistë për të shijuar mikpritjen shqiptare dhe natyrën magjepsëse, qoftë atë malore apo bregdetare.

Do të doja që fluksi i turistëve nga të dyja anët të nxitej më shumë dhe ndërlidhja midis dy vendeve tona të përmirësohej. Vendosja e një linje ajrore apo projekteve të përbashkëta ekonomike do të ishin me rëndësi të veçantë, prandaj ne sot ndamë shqetësimin e përbashkët për avancimin më shpejt me projektet e infrastrukturës rrugore, duke përfshirë edhe Korridorin Blu, po ashtu edhe gazsjellësin Adriatiko-Jonian.

 

Pavarësisht se për Kosovën ndajmë mendime të ndryshme vetëm me një pjesë të lidershipit, në takimin e sotëm theksova se Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm.

Kosova ka dëshmuar se është një partner i besueshëm, i angazhuar për të forcuar fqinjësinë e mirë, ndërkohë që ka kontribuar aktivisht në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese Euroatlantike në Ballkanin Perëndimor.

Njohja e Kosovës do të ndikojë qenësisht për paqen, sigurinë, pajtimin dhe stabilitetin rajonal.

Një hap i tillë do të dëshmonte përgjegjshmërinë dhe angazhimin ndaj integrimit ekonomik rajonal dhe integrimit në familjen evropiane.

Ndërkohë, do të vlerësonim angazhimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në njohjen e dokumenteve të Kosovës dhe heqjen apo lehtësimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, siç kanë bërë disa vende të tjera të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e njohin Kosovën.

Procesi i Berlinit, i cili shënoi këtë vit 10-vjetorin e tij, mbetet një platformë unike dhe e rëndësishme që nxit bashkëpuniminekonomik, politik dhe social në Ballkanin Perëndimor.

Pra, thellimi i integrimit rajonal dhe përshpejtimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian ishte mesazhi që morëm qartë nga samiti i fundit në Berlin.

Ndërkohë, mbetet e një rëndësie vitale zbatimi i plotë i marrëveshjeve të nënshkruara deri tani në kuadër të këtij procesi.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë në rajon vetëm me karta identiteti është jo vetëm përfitim për qytetarët tanë, por edhe kontribut real për proceset e bashkëpunimit rajonal.

Shqipëria është anëtare në NATO-s dhe mbështet politikën e “Dyerve të Hapura”.

Anëtarësimi në Aleancë i Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut ka përmirësuar ndjeshëm sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe jemi të mendimit se sa më shumë NATO në rajon, aq më shumë siguri dhe stabilitet do të ketë rajoni, si dhe më shumë do të promovohen proceset demokratike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Është në interesin tonë të përbashkët t’i shohim të gjitha vendet e rajonit në bashkëpunim të ngushtë me Aleancën dhe në të ardhmen, pse jo, edhe aleatët tanë në NATO.

Në përfundim, më lejoni të theksoj se takimi i sotëm më shton bindjen se marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të forcohen më tej, si në aspektin dypalësh,ashtu edhe atë rajonal.

E kaluara e përbashkët historike ofron shumë shembuj inkurajues se si dy vendet tona dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të ecë me kurajë dhe vendosmëri drejt të ardhshmes së përbashkët, të ardhmes sonë në familjen evropiane.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura