Presidentja e KE-së sot në Tiranë, fokusi paketa e BE-së për rritje dhe reforma në rajon! Ja axhenda

Oct 23, 2024 | 7:22
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nis sot nga Tirana turin ballkanik.

edi rama ursula von der leyen

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nis sot nga Tirana turin ballkanik. Vizita është pjesë e turit të Ballkanit Perëndimor me fokus paketën e BE-së për rritje dhe reforma në rajon, e cila përfshin ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.

Vizita e parë e Von der Leyen do të jetë në Tiranë, ku do të qëndrojë dy ditë 23 dhe 24 tetor. Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Kryeministria, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen pritet të mbërrijë në Kryeministri në orën 15:00, ku do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama. Pas takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Rreth orës 17:00, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së Kampusit të Kolegjit të Europës.

Ky është i pari kampus që hap dyert jashtë një vendi të Bashkimit Europian. Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik me standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë, dhe do të hapë ciklin e studimeve duke filluar nga ky vit akademik. Agjenda e Von der Leyen vijon të enjten me një takim me presidentin Bajram Begaj në orën 10:00. Më pas, Presidentja e Komisionit Europian lë Tiranën për të vijuar me turin ballkanik në 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Turin në shtetet e Ballkanit Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nis sot nga Tirana.

Turi i Von der Leyen fillon në Shqipëri dhe mbyllet në Kosovë, sipas asaj që është bërë e ditur në kalendarin e publikuar në web-faqen e KE-së. Po të enjten, Ursula von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut ku do të takohet me kryeministrin Hristjan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova. Më pas, po të enjten do të vizitojë Bosnjën e Hercegovinën, ku fillimisht pritet t’i vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet e fundit vdekjeprurëse. Presidentja e KE-së të premten do të ketë takime në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës. Nga Bosnja, ajo do të shkojë në Serbi, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Millosh Vuçeviç. Ditën e fundit të turneut, presidentja Ursula von der Leyen do qëndrojë për vizitë në Kosovë, kurse më pas do të shkojë në Mal të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq. Kosovën, Presidentja e Komisionit Evropian pritet ta vizitojë me 26 tetor, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti./ Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura