Presidentja Osmani i kërkon parlamentit të Kosovës rishqyrtimin e ligjit për Këshillin e Sigurisë: Rregullimi ligjor, i rëndësishëm për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë

Nov 19, 2024 | 18:59
SHPËRNDAJE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ktheu të martën parlamentit të Kosovës për rishqyrtim ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe atë për mbrojtjen e konsumatorit, të miratuara në tetor të këtij viti.

63ff147000e3a, Vjosa Osmani

Në njoftimin e zyrës së presidentes Osmani, thuhet se ligji për Këshillin e Sigurisë “me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, ndërkaq ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer për shkak të dispozitave të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve”.

Në arsyetimin e presidentes Osmani thuhet se në ligjin për Këshillin e Sigurisë, funksionimi i këtij mekanizmi gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme është lënë tërësisht i patrajtuar, duke tërhequr vërejtjen se boshllëqet ligjore në këtë aspekt mund të shkaktojnë pasoja.

Në vendim thuhet poashtu se rregullimi ligjor i funksionimit të Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme është posaçërisht i rëndësishëm për shkak të tendencave për destabilizim të vendit nga ana e Serbisë.

“Akti i agresionit të shtatorit 2023 është tregues i qartë se Serbia dhe struktura politike aktuale e saj nuk është e interesuar për paqe as fqinjësi të mirë, gjë që përbën kërcënim të vazhdueshëm ndaj sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Kosovës”, thuhet në vendim.

Ligji i miratuar nga parlamenti i Kosovës parasheh shfuqizimin e ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili deri tani rregullonte funksionimin e tij në kohë paqeje dhe në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme. Në ligjin e ri thuhet se “funksionimi i Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme rregullohet me ligj përkatës”.

Në vendimin e presidentes Osmani thuhet se “pavarësisht faktit se ligji që synohet të shfuqizohet përmban dispozita të pakta dhe të pamjaftueshme sa i takon mënyrës së funksionimit të Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, kthimi në një situatë ku nuk ka fare rregullim juridik është shumë më i dëmshëm sepse pamundëson funksionimin kushtetues të institucioneve përkatëse në raste të tilla”.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës se presidentja Osmani me të drejtë ka kthyer dy ligjet për rishqyrtim, me theks të posaçëm ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës dhe parlamenti i Kosovës në mënyrë të pazakontë dhe të pashpjegueshme kanë shfuqizuar dispozitat e ligjit në fuqi qe lidhen me mandatin, funksionimin, dhe kompetencat e këtij këshilli në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme”, thotë zoti Miftaraj.

Sipas procedurave ligjore, presidenti i shtetit ka të drejtë të kthej vetëm një herë në rishqyrtim ligjin. Parlamenti, me shumicën e votave vendos për miratimin e ligjit të rikthyer me ose pa ndryshimet e kërkuara nga Presidenti.

Nëse brenda tetë ditësh nga marrja e ligjit të rimiratuar nga parlamenti presidenti nuk e dekreton atë, atëherë ligji hyn në fuqi pa nënshkrimin e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura