Pretendimet, 1.1 milion minoritarë në Shqipëri

Aug 22, 2011 | 11:25
SHPËRNDAJE
Manual për formularin e regjistrimit, i sygjeruar nga pjestarë të minoritetit grek

Mbajtja e regjistrimit të popullsisë në tetor të këtij viti ka ngritur në këmbë strukturat përkatëse në shtetet fqinje, së bashku me pretendimet e tyre për minoritete etnike.Krahas kërkesave të hapura politike që kanë ardhur nga autoritetet më të larta politike, nuk mungojnë edhe pretendimet nga organizata shtetërore apo të financuara me para publike, që sipas përllogaritjeve të thjeshta, në Shqipëri ka më shumë se një milion minoritarë. Nëse bën disa kërkime të thjeshta në internet, Shqipëria përshkruhet si vend homogjen, por që ka një përqindje minoritetesh (jo më shumë se 5 për qind në rastin më ekstrem), të përbërë kryesisht nga grekë, maqedonas, sllavë. Por, mjaft organizata publike dhe joqeveritare japin pretendimet e tyre mbi komunitetet etnike, madje nuk mungojnë as thirrjet për regjistrimin e popullsisë që do të mbahet në muajin tetor.
Minoriteti grek
I vetmi që ka një status të tillë, minoriteti grek, është më i ndjeshmi dhe me një lobim më të mirë. Askush nuk jep një shifër të saktë të përqindjes së tyre. Por, nëse i referohemi një burimi të huaj, siç është CIA, në Shqipëri pretendohet se mund të jenë deri në 12 për qind grekë. CIA, në raportet e saj, “The World Factbook”, shprehet se këto pretendime vijnë nga organizata minoritare, ndërsa thekson se në vitin 1989 nuk kishte më shumë se një për qind grekë në Shqipëri dhe sot mund të pretendohet deri në 3 për qind. Shteti helen nuk ka ende një pretendim, por, gjithsesi, pretendon për disa qindra mijëra. Nëse pretendon të paktën 10 për qind të popullsisë, atëherë bëhet fjalë se në Shqipëri kërkohet të jenë mbi 300 mijë grekë minoritarë. Regjistrimi i popullsisë në muajin tetor ka vënë në lëvizje organizatat e këtij minoriteti, i cili ka kërkuar shtyrjen e tij, madje edhe disa “garanci”. Këto pretendime do të shihen në muajin tetor.
Bullgarët
Në Shqipëri ekzistojnë disa zona në Veri në vendit, të cilat kanë banorë që flasin sllavisht dhe që njihen me emra si “goranë” apo “gollobordas”. Shteti bullgar është vënë në veprim për të pretenduar një minoritet bullgar në vendin tonë në shifra që arrijnë deri në 50 mijë shtetas. Krasimir Karakachanov, një politikan bullgar, kreu i Partisë Lëvizja Nacionale Bullgare, ka kërkuar nga strukturat shtetërore ta kenë vëmendjen nga regjistrimi që do të bëhet në Shqipëri. “Do të ketë një regjistrim popullsie në tetor në Shqipëri dhe është e rëndësishme të marrim masat të sigurojmë minoritetin bullgar në Shqipëri, pa përfshirë atë maqedonas”, ka thënë ai.
Në regjistrimin e popullsisë në vitin 1989, 782 persona u deklaruan si rumunë, bullgarë apo çekosllovakë. Agjencia shtetërore për bullgarët që jetojnë jashtë vendit ka pretenduar se në Shqipëri jetojnë midis 40 deri në 50 mijë persona me origjinë bullgare dhe, sipas kësaj, agjencia publike ka pretendime që ky numër shkon deri në 100 mijë persona. Gjithsesi, theksohet ngatërresa që bëhet me popullsinë maqedonase.
120 mijë maqedonas?
Po. Ka një pretendim nga shteti fqinj që në juglindjen e Shqipërisë jetojnë rreth 120 mijë shtetas me kombësi maqedonase. Një shkrim në gazetën maqedonase “Dnevnik” i acaroi ndjeshëm bullgarët, por edhe vende të tjera në rajon mbi një lajm të tillë. Në shkrim u publikuan statistika të ish-Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë për praninë e maqedonasve në vende të tjera. Kështu, thuhet se në Bullgari janë 750 mijë maqedonas, në Greqi 700 mijë, në Shqipëri 120 mijë, në Serbi 85 mijë, në Kosovë 12 mijë e në Rumani 15 mijë. Gjithsesi, pretendimet e shtetit fqinj janë se dhjetëra mijëra maqedonas jetojnë në Shqipëri, kryesisht rreth zonës së liqenit të Prespës.
Serbët dhe malazezët
Pretendohet se në Shqipëri, në Veri e saj, jetojnë të paktën 25 mijë shtetas me kombësi serbe ose malazeze. Në vitin 2000, në regjistrimin e atëhershëm, dolën rreth 2 mijë qytetarë me origjinë malazeze apo serbe, ndërsa tani pretendimet janë të tjera. Ministri serb për Diasporën do të deklaronte në vitin 2009 se në Shqipëri ka pasur një diskriminim dhe trysni ndaj serbëve me origjinë, të cilët sot nuk deklarohen më si të tillë. Gjithsesi, në regjistrimin e këtij viti do të shihet nëse do të ketë qytetarë që do të deklarohen si serbë.
Boshnjakët
Në Shqipëri jeton edhe një komunitet boshnjakësh të ardhur para rreth 120 viteve në vendin tonë, të cilët ndodhen të pozicionuar rreth disa zonave të Shqipërisë së Mesme, si në Shijak. Gjithsesi, nuk ka ndonjë pretendim për numrin e tyre.
Romët dhe egjiptianët
Janë dy komunitete historike në vendin tonë, por që fatkeqësisht mungojnë shifrat e sakta. Shpesh bëhet ngatërrimi mes tyre, por janë dy komunitete të ndryshme. Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Romëve pretendon, sipas raportimeve nga disa shoqata brenda vendit, se në Shqipëri ka mes 120 deri 150 mijë romë. Natyrisht, sipas të dhënave të tyre, nëse përfshihen edhe egjiptianët, atëherë kjo shifër është mbi 200 mijë.
Arumunët
Arumunët pretendojnë se janë komuniteti më i madh në Shqipëri, plot 400 mijë shtetas, dhe pretendojnë statusin e minoritarit. Një gjë të tillë e kërkoi edhe Presidenti rumun në vendin tonë në vizitën e tij të fundit. Sipas fondacionit për arumunët në të gjithë botën, Shqipëria ka një komunitet të konsoliduar tashmë. Sipas kësaj organizate, ekzistojnë lidhje të forta me shtetin rumun dhe komunitetit, duke bërë që të jepen edhe mbi një mijë bursa studimi për në Rumani për këtë komunitet që nga viti 1992.

Hebrenjte

Në Shqipëri jeton edhe një komunitet hebrenjsh, që numërohen të jenë rreth 160 persona, të cilët  jetojnë kryesisht në Tiranë. Ata kanë tashmë edhe një udhëheqës shpirtëror dhe një sinagogë që u hap në dhjetor të vitit 2010. Pjesëtarët e këtij komuniteti janë disa prej figurave të njohura të shoqërisë, madje edhe familje që kanë dhënë kontribut të veçantë për vendin, si ajo Shvarc. Gjithsesi, lidhjet historike mes Shqipërisë dhe këtij komuniteti janë të shumta dhe nisin që herët.

100 mijë
lekë do të jetë gjoba ndaj çdo shtetasi që jep deklarim të rremë në formularin e regjistrimit të popullsisë. Penalitete të ngjashme do të ketë edhe ndaj punonjësve të regjistrimit që tentojnë të manipulojnë me formularët.

3.5 milionë
qytetarë pretendohen se mund të jetojnë në Shqipëri, ndërkohë që qindra mijëra të tjerë ndodhen në emigrim. Shifrat e sakta rreth gjendjes së popullsisë dhe migrimit të saj kanë munguar gjithnjë dhe priten përgjigje me regjistrimin e tetorit.

Amendimet e PDIU

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet arriti të përfshijë dy mendime ligjore në ligjin për regjistrimin e popullsisë. Krahas gjobës prej 100 mijë lekësh për çdo të dhënë të pasaktë ndaj çdo qytetari, u vendos që të dhënat e përfituara nuk do të përdoren për qëllime të tjera. Konkretisht, edhe nëse ka rritje fiktive të numrit të personave që cilësohen minoritarë, nëse nuk janë të regjistruar si të tillë në gjendjen civile, atëherë përgjigjja e tyre nuk do të merret parasysh, madje edhe do të gjobiten.

Pretendimet

Minoriteti grek
mbi 300 mijë pjesëtarë

Arumunët
400 mijë pjesëtarë

Romët e egjiptianët
mbi 200 mijë pjesëtarë

Serbët e malazezët
mbi 25 mijë pjesëtarë

Maqedonasit
120 mijë pjesëtarë

Bullgarët
mbi 50 mijë pjesëtarë

Totali:
Rreth 1.1 milion pjesëtarë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura